|
Nuk janë kushtet për dialog | |||||||||||||||||||||||
Përfaqësuesit politikë të Kosovës thonë se nuk ekzistojnë kushtet për fillimin e dialogut me Beogradin derisa vendi po kalon në krizë politike pas dorëheqjes së presidentit. Dorëheqja e zotit Sejdiu, për të cilin Gjykata Kushtetuese konstatoi se kishte shkelur Kushtetutën, ka çekuilibruar skenën politike dhe tani vëmendja është përqëndruar se si të dilet nga kjo gjendje. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka gjasa që të shtyhen për disa muaj ndërsa Kosova përgatitet për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Në qeverinë e Kosovës thuhet se nuk ka gatishmëri për fillimin e dialogut me Beogradin, pasi Partia Demokratike e kryeministrit Thaçi, e cila tani kryeson qeverinë, kuvendin dhe presidencën, nuk dëshiron që të bartë mbi vete tërë përgjegjësinë për këtë proces. Ministri i Brendshëm i Kosovës dhe njëri nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se tani për tani përparësi e vendit është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, vetëm pas zgjedhjeve të reja dhe formimit të institucioneve që do të dalin nga ato, mund të fillojë dialogu me Serbinë. “Nuk kemi krizë institucionale, krizë politike mund të quhet në një mënyrë, por çështjet madhore si bisedimet me Serbinë mund të bëhen pas zgjedhjeve, ndërsa para zgjedhjeve nuk besoj që ka gatishmëri të tillë”, u shpreh zoti Rexhepi. Nisja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit u përcaktua me rezolutën e miratuar një muaj më parë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Bisedimet pritet të lehtësohen nga Bashkimi Evropian. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Prishtina nuk po përpiqet t’i shmanget dialogut me palën serbe për çështje të interesit të përbashkët por, sipas tij, në situatën e tanishme institucionet e Kosovës nuk mund të futen në këtë proces. “Duke mos mohuar rëndësinë e bisedave për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes dy shteteve, megjithatë ne si LDK konisderojmë që për momentin nuk ekzistojnë kushtet që këto biseda të fillojnë, sepse ato do të duhej të udhëhiqeshin nga ata të cilët për momentin kanë edhe shumë çështje që ua marrin kohën për stabilitetin e vendit”, tha zoti Beqiri. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës nga ana e presidentit dhe dorëheqja e tij, sipas opozitës, kanë treguar brishtësinë e funksionimit të koalicionit qeverisës dhe institucioneve vendore. Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, e sheh si të domosdoshme që para dialogut me Serbinë të legjitimohen institucionet e reja përmes zgjedhjeve të parakohshme. “Duhet të kemi institucione legjitime të zgjedhura nga populli. Udhëheqësit e zgjedhur duhet të jenë shumë transparentë për çfarë axhende duhet të bisedohet me Serbinë, ndërsa pushteti aktual nuk ka të drejtë e as kredibilitet që të ulet të bisedojë me asnjë shtet, e aq më pak me Serbinë”, theksoi znj.Gaxherri. Bashkimi Evropian, që pritet të lehtësojë bisedimet ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe, i ka bërë thirrje Prishtinës që të mos humbë mundësinë për dialog me Beogradin si pasojë e zhvillimeve të brendshme. Kjo për shkak 'të rëndësisë që ka ky dialog për qytetarët shqiptarë dhe serbë të të dyja vendeve'. Përfaqësuesi i BE-së për veriun e Kosovës, ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni, i tha BBC-së se beson që udhëheqja e Kosovës do ta menaxhojë mirë situatën e brendshme. “Mendoj se kjo shënon një hapësirë të mirë të mundësisë për Prishtinën, për Beogradin dhe për bashkësinë ndërkombëtare, që është e angazhuar në Ballkan, për qëndrueshmërinë dhe perspektivën evropiane për të gjithë rajonin”, tha ai. “Do të jetë kjo një mundësi e mirë që nuk duhet të humbet, sepse, po të ndodhë kështu, atëherë do të bëhet problematike për komunitetet dhe qytetarët”, shtoi zoti Giffoni. Pavarësisht hezitimit të Prishtinës për fillimin e shpejtë të dialogut me Beogradin, zyrtarët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për të rënë dakord për mënyrat e ecjes përpara në bisedimet e ofruara. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq, i ka deklaruar BBC-së se këshillimet me partnerët ndërkombëtarë dhe me të dyja palët kanë filluar dy javë më parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, por ato nuk kanë përfunduar ende. Ajo tha se qëllimi është që dialogu të fillojë sa më parë, por la të kuptohet se përgatitjet mund të marrin kohë. Bisedimet mund të marrin një impuls të ri pas vizitës së sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, në rajon në fillim të javës së ardhshme. | LOKALE Bisedime për datën zgjedhjeve08 tetor 2010 | Rajoni Giffoni: Sa më shpejt bisedimet për kornizën06 tetor 2010 | Rajoni Zgjedhjet e reja me reforma të vogla05 tetor 2010 | Rajoni Bisedime LDK-PDK për zgjedhjet 04 tetor 2010 | Rajoni Zgjedhjet, sfidë për KQZ-në01 tetor 2010 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||