BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 05 tetor 2010 - 13:45 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Zgjedhjet e reja me reforma të vogla

Pamje nga Prishtina
Vazhdon debati për reformat zgjedhore dhe këshillimet për datën e zgjedhjeve të parakohshme
Grupi punues për rishikimin e ligjit për zgjedhjet thotë se nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë ndryshime thelbësore në këtë ligj, po qe se Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme.

Reformat zgjedhore janë kërkuar nga Komisioni Evropian për të korrigjuar dobësitë që e kanë përcjellur procesin në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Debati për reformat zgjedhore po bëhet në kohën kur subjektet politike në Kosovë po këshillohen për caktimin e kohës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas dorëheqjes së ish-presidentit, Fatmir Sejdiu.

Data e zgjedhjeve të parakohshme është ende e diskutueshme, por partnerët e koalicionit qeverisës janë pajtuar që mbajtja e tyre është e domosdoshme për të dalë nga kriza politike në vend.

Lidhja Demokratike e udhëhequr nga presidenti i dorëhequr Fatmir Sejdiu ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në muajin mars për t’i lënë kohë kësaj partie të përfundojë procesin e brendshëm zgjedhor si dhe për t’i mundësuar KQZ-së përgatitjen më të mirë të tyre.

Ndërsa forca më e madhe politike, Partia Demokratike angazhohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Drejtues të institucioneve janë zotuar se do të respektohen afatet kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve marrë parasysh që sipas Kushtetutës së Kosovës, ushtruesi i detyrës së presidentit mund ta kryejë këtë funksion më së shumti gjashtë muaj.

Paralajmërimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duket se do të pamundësojnë reformat e thella zgjedhore.

Ndryshime ‘kozmetike’

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se ndryshimet në ligjin e ri pritet të jenë më shumë të natyrës teknike, se sa përmbajtësore. Ajo nuk ishte në gjendje të thotë nëse Kosova do të mund të hyjë në zgjedhje të reja me reforma zgjedhore.

“Gjithçka varet nga data e zgjedhjeve dhe ne tani nuk e kemi këtë datë, prandaj nuk kemi mundësi të themi a do të mund t’i harmonizojmë rregullat zgjedhore me ligjin e ri, por gjithsesi do të tentojmë t’i harmonizojmë vetëm rregullat zgjedhore, asgjë tjetër”, u shpreh zonja Daka.

Anëtari i PDK-së në grupin punues për zgjedhjet, Lirak Çelaj nuk e sheh si pengesë ligjin aktual për mbajtjen e procesit të ri zgedhor.

“Mendoj që me kohë nuk jemi keq dhe ne nuk jemi duke bërë ndryshime shumë të mëdha që do të na merrnin shumë kohë për t’u përgatitur teknikisht”, tha ai.

Shumica e anëtarëve të grupit punues për zgjedhjet janë pajtuar që edhe në ligjin e ri të ketë një zonë zgjedhore, të votohet me lista të hapura sipas sistemit proporcional, pragu zgjedhor të mbetet pesë përqind dhe përfaqësimi i femrave në kuotën 30 përqind. Risia e vetme për të cilën ka pajtueshmëri deri tani është që votuesi të mund të zgjedhë pesë kandidatët e preferuar të tij.

Anëtari i LDK-së në grupin për rishikimin e ligjit për zgjedhjet, Arsim Janova thotë se nuk u mjafton koha për të bërë ndryshime të mëdha deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne do të mundohemi t’i bëjmë ato ndryshimet e domosdoshme, kurse për një reformim rrënjësor të procesit zgjedhor, duhet kohë më e gjatë dhe për atë do të vendosim në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi zoti Janova.

Për partitë opozitare, reformat zgjedhore janë të domosdoshme për të garantuar një proces demokratik dhe transparent zgjedhor. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala vlerëson se ligji në fuqi është treguar si shumë i mangët.

“Dëshira e të gjithë neve do të duhej të ishte që ne të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike vitin e ardhshëm apo që zgjedhjet të jenë më kualitative se sa kanë qenë ato për pushtetin lokal vitin e kaluar”, u shpreh z.Shala.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli ka qenë më kritiku në debatin që po bëhet për reformat zgjedhore, të cilat sipas tij do të jenë vetëm kozmetike.

“Është një parim që gjashtë muajt e fundit para ditës së zgjedhjeve ligjet zgjedhore nuk preken askund për shkak të pamundësisë për të krijuar rregulla dhe për të zbatuar ato në praktikë, ndërsa ajo që do ndodhë tash besoj se do të jetë më tepër një ndërhyrje kozmetike”, tha zoti Makolli.

Kritika nga shoqëria civile

E pakënaqur me punën që po bëhen për reformat zgjedhore është shprehur edhe shoqëria civile. Drejtuesi i koalicionit “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu ka propozuar që të gjithë politikanët, përfshirë kryetarët e subjekteve politike, t’i nënshtrohen votës si dhe pragu zgjedhor të ulet nga pesë në tre përqind.

Ai ka kritikuar forcat politike për injorim të kërkesave të shoqërisë civile që, sipas tij, kanë për qëllim bërjen e një sistemi zgjedhor me të cilin deputeti do të ishte më llogaridhënës përballë votës së qytetarit.

“Deri tani nuk jemi duke parë vullnet të partive politike dhe unë kujtoj se ata që janë në lidershipin e partive e ndoshta edhe ata që janë sot në Parlament, po bëjnë një ligj për vete”, vlerësoi zoti Kryeziu.

Parregullsitë që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor vitin e kaluar kanë bërë që ai të tejzgjatet, si rrjedhojë e përsëritjes së votimeve në disa komuna.

Ekspertët thonë se për të shmangur mundësitë e keqpërdorimit të votës, ndryshimet përmbajtësore në ligjin aktual zgjedhor janë të domosdoshme. Sipas tyre, vendi nuk do të duhej të hynte në zgjedhje të reja me bazën e tanishme ligjore.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>