BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 01 tetor 2010 - 14:56 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Zgjedhjet, sfidë për KQZ-në
Fatmir Sejdiu
LDK-ja e zotit Sejdiu kërkon zgjedhje në pranverë
Pas konsultimeve me subjektet politike, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka diskutuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme edhe me drejtuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Në parim KQZ-ja thotë se është e gatshme për të përgatitur zgjedhjet brenda 45 ditësh, po qe se i kërkohet një gjë të tillë.

Megjithatë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka kërkuar mirëkuptimin e udhëheqësve shtetërorë, duke theksuar se për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe transparent nevojitet plotësimi i disa kushteve teknike.

Ajo ka përmendur sigurimin e buxhetit në kohën e duhur, mbështetjen logjistike, përgatitjen e listave të votuesve që gjenden brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe informimin publik si disa nga sfidat që e presin KQZ-në po qe se ky institucion detyrohet t’i organizojë zgjedhjet e përgjithshme brenda një afati të shkurtër kohor.

Dorëheqja në fillim të kësaj jave e presidentit Fatmir Sejdiu, që pasoi konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se ai kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur poste të dyfishta, duket që përfundimisht do ta çojë vendin drejt mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Për këtë janë pajtuar edhe udhëheqësit e dy partive që përbëjnë koalicionin qeverisës në Kosovë, por kryeministri Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Sejdiu, nuk kanë arritur që të saktësojnë afatin e organizimit të zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike dhe shumica e partive opozitare kërkojnë që të mos nxitohet me zgjedhje të reja për t’i dhënë kohë përgatitjes më të mirë të tyre, ndërsa Partia Demokratike është treguar e interesuar për mbajtjen sa më të hershme të zgjedhjeve.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>