BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 05 mars 2008 - 10:22 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ndërkombëtarët për normalizimin e situatës
Trupa franceze të KFOR-it në Mitrovicë
Deklarimet vijnë pas ndërhyrjes së Serbisë në hekurudhat e Kosovës.
Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se do të mbrojnë mandatin e tyre ekzekutiv në polici, në dogana dhe në sistemin juridik të Kosovës dhe kanë bërë të ditur se nuk do të tolerojnë pengesa as në funksionimin e hekurudhave të Kosovës.

Deklarimet e tyre vijnë pas ndërhyrjes së Serbisë në hekurudhat e Kosovës, në veri të saj.

Por autoritetet në Kosovë kanë bërë me dije se policia ndërkombëtare ka ndërhyrë të martën në Leshak, në stacionin e fundit hekurudhor, për të parandaluar trenin që synonte të hynte në Kosovë.

 Ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj pengese në funksionimin e hekurudhave të Kosovës.
Joachim Ruecker, shefi i misionit të OKB-së në Kosovë

Shefi i misionit të OKB-së, Joachim Ruecker, tha pas një takimi me kryeministrin, Hashim Thaçi e me komandantin e KFOR-it, Xavier De Marnhac, se është rivendosur kontrolli mbi hekurudhat e Kosovës në veriun e saj, një ditë pasi serbët thanë se Beogradi ka vënë kontrollin mbi 50 kilometra hekurudhë në veriun e Kosovës.

Një numër i punëtorëve serbë të hekurudhave të Kosovës, vendosi dy ditë më parë që të largohet nga puna për t'iu bashkuar hekurudhave të Serbisë. Vendimi pasoi largimin e policëve serbë nga SHPK-ja.

"Unë isha shumë i qartë se UNMIK-u me ndihmën e KFOR-it, aty ku nevojitet, do të mbrojë mandatin e tij ekzekutiv, qoftë në polici, qoftë ne dogana, në sistemin juridik të Kosovës.

Ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj pengese në funksionimin e hekurudhave të Kosovës. Policia e UNMIK-ut ka ndërhyrë në Leshak dhe ka ndaluar trenin që donte të udhëtonte për në jug.

 Nuk ka sfidë që nuk do të jetë e përballueshme për institucionet legjitime të Kosovës.
Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës

Kudo që të jetë nevoja ne jemi të përcaktuar që të zbatojmë mandatin tonë që ka të bëjë me tërë Kosovën," ka thënë Joachim Ruecker.

Një mbështetje të fuqishmë në punën e tij, zoti Ruecker e ka marrë nga komandanti i trupave paqeruajtëse KFOR, gjenerali Xavier De Marnhac, i cili ka thënë se forcat e tij do të ndihmojnë në momente të caktuara dhe këtë do të vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë edhe më të përkushtuar.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se qeveria e tij do të shtrijë autoritetin në gjithë territorin e Kosovës. Ai ka bërë me dije nuk do të lejohet askush që të cenojë rendin kushtetues të Kosovës.

"Jam i zotuar që qeveria e Kosovës të ushtrojë autoritetin e vet legal në tërë territorin e Kosovës dhe kjo po ndodh e do të ndodh në të ardhmen.

Nuk ka sfidë që nuk do të jetë e përballueshme për institucionet legjitime të Kosovës.

Dua që të theksoj shumë qartë se nuk do të tolerojmë askë që të cënojë rendin kushtetues të Kosovës, të shtetit të ri të Kosovës. Dhe do të funksionojë ligji në tërë territorin e vendit,"- ka thënë Hashim Thaci.

Mbi 16 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe afro 10 mijë pjesëtarët të policisë ndërkombëtare dhe Shërbimit Policor të Kosovës kujdesen për sigurinë në vend e cila vlerësohet e qetë, por e tensionuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, vendim ky që nxiti zemërimin e Beogradit dhe serbëve lokalë.

LOKALE
Serbët braktisin institucionet
04 mars 2008 | Rajoni
Qetësi e brishtë në Kosovë
27 shkurt 2008 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>