BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 28 shkurt 2008 - 11:10 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Serbë nuk bashkëpunojnë në polici
Forca të UNMIK-ut
Policët serbë po punojnë vetëm nën urdhërat e UNMIK-ut.
Pjesëtarët serbë të policisë në disa pjesë të Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë dhe po punojnë vetëm nën urdhërat e UNMIK-ut.

Kjo bëhet në shenjë reagimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Stacion policie i improvizuar

Të mërkurën, rreth 130 pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, në mënyrë të organizuar dhe të veshur me uniformën e policisë kosovare, u mblodhën në një fshat dhe vazhduan punën në një stacion policie të improvizuar.

Njëri nga zyrtarët serbë të policisë së Gjilanit, Stojadin Norkoviq, ka deklaruar se nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë më tutje me institucionet e Kosovës dhe se ata do të punojnë vetëm nën urdhërat e Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Policët serbë të rajonit të Gjilanit po ndjekin rrugën e kolegëve të tyre në veri të Kosovës, të cilët që prej 17 shkurtit kur Kosova shpalli pavarësinë, kanë ndërprerë bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë.

Udhëheqësit e Shërbimit Policor të Kosovës thonë se SHPK-ja do të funksionojë si një institucion i vetëm.

Zëvendëskomisari i policisë, Gjeneral-Major Reshat Maliqi i tha BBC-së se kjo sjellje e pjesëtarëve serbë të Shërbimit Policor të Kosovës është e papranueshme.

"Ne kemi një organizatë policore dhe insistojmë që në Kosovë të kemi vetëm një institucion për zbatimin e ligjit dhe ky është Shërbimi Policor i Kosovës", tha z.Maliqi.

Ai tha se SHPK-ja do të përpiqet t'i bindë pjesëtarët serbë që t'i nënshtrohen urdhërave të eprorëve të tyre dhe të respektojnë hierarkinë komanduese.

Zoti Maliqi thotë se ende nuk është marrë vendim se a do t'i humbin policët serbë vendet e tyre të punës në SHPK, nëse vazhdojnë këtë mënyrë të sjelljes.

Ministrat serbë mungojnë në punë

Dy ministrat serbë në qeverinë e Kosovës nuk kanë dalë në punë që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka hedhur poshtë pohimet se ai dhe Ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Boban Stankoviq, i kanë ngrirë funksionet e tyre në qeveri.

Ai thotë për BBC-së se për momentin ata kanë vendosur të mungojnë në punë, deri në një vendim tjetër të partisë së tyre.

"Ministritë që i drejtojmë ne janë ende funksionale. Të gjitha punët po kryhen dhe ne nuk kemi i ngrirë funksionet. Ne prej fillimit e kemi lidhur pjesëmarrjen tonë në instutucione me gjendjen e serbëve. Përderisa nuk ka shpërthim të dhunës, që do të mund të rrezikonte jetën e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në territorin e Kosovës, do të vazhdojë funksionimi i Ministrive që ne drejtojmë", tha ministri Rashiq.

Ai nuk ishte në gjendje të thoshte nëse do të vazhdonte të ishte pjesë e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës.

"Ne marrim vendim në nivel të partisë, kështu që brenda një kohe të shkurtër do të vendosim si të veprojmë më tutje. Çdo vendim i yni do të jetë drejtpërdrejtë në interesin e komunitetit serb dhe i pakicave joshqiptare", tha Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Ndërkaq, ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Boban Stankoviq, nuk ka pranuar të flasë lidhur me pjesëmarrjen e tij në institucionet e Republikës së Kosovës.

Të dy ministrat serbë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë të mërkurën.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, ka shprehur mirëkuptimin e qeverisë për abstenimin e punës nga ana e ministrave serbë.

"Mendojmë që ata nuk e kanë ndërprerë aktivitetin, që do të kthehen shumë shpejt, dhe kemi pasur mirëkuptim për situatën e përgjithshme në të cilën ata mund të ekspozohen", tha z.Kuqi.

Boban Stankoviq dhe Nenad Rashiq u emëruan në ministrië përkatëse pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, në të cilat dolën një numër i vogël i votuesve serbë.

Të dy ministrat vijnë nga Partia e Pavarur Liberale Serbe, e cila është treguar më bashkëpunuese me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës.

Përfaqësuesit serbë kanë qenë në vazhdimësi nën presionin e Beogradit zyrtar dhe të disa udhëheqësve lokalë që të bojkotojnë punën e institucioneve vendore, me arsyetim se këto të fundit po punojnë për pavarësinë e Kosovës.

Edhe deputetët serbë të Kuvendit nuk po marrin pjesë në punimet e Parlamentit.

LOKALE
Qetësi e brishtë në Kosovë
27 shkurt 2008 | Rajoni
Sfidat e Kosovës së Pavarur
26 shkurt 2008 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>