 | | | Harta e Kosovës |
Autoritetet në Prishtinë i kanë bërë thirrje Shkupit zyrtar që të zgjidhin problemin e përcaktimit të vijës kufitare mes dy vendeve pasi Maqedonia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Autoritetet kosovare kanë kërkuar nga Maqedonia që të mos vërë kushte për njohjen e shtetit të Kosovës, pasi kjo e fundit ka kërkuar krijimin e një komisioni të përbashkët për përcaktimin e vijës kufitare. Zyrtarët kosovarë kanë theksuar se çështja e kufirit me Maqedoninë do të zgjidhet sipas paketës së zotit Ahtisaari që parasheh krijimin e një komisioni të përbashkët teknik, brenda 120 ditësh, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe mandati i tij duhet të përfundojë një vit pas krijimit të tij. Problemi i kufirit mes Kosovës e Maqedonisë, u përshkallëzua në vitin 2001 kur Shkupi zyrtar dhe qeveria e atëhershme e Beogradit nënshkruan një marrëveshje të përbashkët që përcaktonte vijën kufitare, me të cilën mbi 2500 hektarë të Kosovës i kaluan Maqedonisë. Marrëveshja e pranua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në vitin 2002, por ajo u kundërshtua fuqishëm nga institucionet kosovare dhe vetë banorët e vijës kufitare me Maqedoninë. |