|
Udhëheqja kosovare mirëpret njohjen | |||||||||||||||||||||||
Udhëheqja shqiptare në Prishtinë ka shprehur kënaqësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe është përpjekur ta sigurojë komunitetin ndërkombëtar se Kosova do të jetë shtet demokratik. Të hënën në mbrëmje kanë mbërritur në presidencën e Kosovës letrat e para të njohjes së shtetit të ri. Ato i janë dorëzuar presidentit nga përfaqësuesit e deritanishëm të zyrave të SHBA-së, Britanisë dhe Francës. Në mesazhet e krerëve shteteve njohëse të Kosovës shprehet dhe angazhimi që duhet të ketë shteti i ri në respektimin e pakicave dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Zotime Presidenti Fatmir Sejdiu përsëriti zotimet që bëhen edhe në deklaratën për shpalljen e pavarësisë. "Do të bëjmë punë që Kosova të jetë shtet demokratik, i vlerave dhe standarteve më të larta dhe i respektit për qytetarët e komuniteteve pakicë," tha z. Sejdiu. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria e Kosovës ishte në bisedime dhe po bënte përpjekje të vazhdueshme për njohje sa më të shpejtë. Thaçi tha se sfida e momentit ishte ngritja e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe aplikimi për anëtarësim në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Kundërshtim Por shpallja e pavarësisë së Kosovës është konsideruar e pavlefshme nga parlamenti i Serbisë, i mbledhur të hënën në mbrëmje. Me të njëjtën kërkesë në të njëjtën kohë iu drejtua Këshillit të Sigurimit dhe presidenti serb, Boris Tadiq që ndodhet në Nju-Jork. Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë dot ende një qëndrim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kosova u njoh vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë nga tre vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit - SHBA-ja, Britania e Madhe, dhe Franca. Por në mbledhjen e posaçme të KS të hënën në mbrëmje, shpallja e pavarësisë u kundërshtua nga dy anëtarët e tjerë të përhershëm, Rusia dhe Kina. Rusia, aleate tradicionale e Serbisë, prej kohësh e ka bërë të ditur qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë dhe disa vende të Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania dhe Qipro. Nga vendet fqinje, Kosovën e ka njohur vetëm Shqipëria. Greqia tha se do të vendosë më vonë lidhur me njohjen e pavarësisë. Prishtina ka njoftuar se harta e njohjes së Kosovës është zgjeruar dhe me vende të tjera si Gjermania, Italia, Austria, Finlanda, Belgjika. | LOKALE "Pavarësia - hapi i duhur", thotë Bush19 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Udhëheqja kosovare mirëpret njohjen19 shkurt 2008 | Rajoni Reagime pas shpalljes së pavarësisë 19 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Serbët bojkotojnë institucionet18 shkurt 2008 | Rajoni Shqipëria njeh Kosovën18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Serbët e Kosovës reagojnë pas pavarësisë18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||