|
Reagime pas shpalljes së pavarësisë | |||||||||||||||||||||||
Disa fuqi europiane i janë bashkëngjitur qëndrimit amerikan për njohjen e Prishtinës zyrtare, por Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit ta anullojë pavarësinë e Kosovës, por ai tha se Serbia do të përpiqet ta zgjidhë situatën me mjete diplomatike: "Republika e Serbisë nuk do të përdorë forcën. Asnjë krizë nuk është zgjidhur me sukses me mjete të forcës, me mjete të tilla shkatërrohet vetëm jeta e njeriut. Nga ana tjetër, ky vendim arbitrar përfaqëson një precedent që do të shkaktojë dëm të pandreqshëm të rendit ndërkombetar", ka deklaruar Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. Rusia dhe Kina e kanë mbështetur këtë qëndrimin e Serbisë. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, i dënoi veprimet e udhëheqësisë shqiptare të Kosovës: "Veprimet e paligjshme të udhëheqësisë shqiptare të Kosovës dhe atyre që e përkrahin, sjellin një precedent të rrezikshëm . Ato janë të ngarkuara me një përshkallëzim të tensionit e dhunës ndëretnike në krahinë, me pasoja shkatërrimtare për marrëdhëniet ndërkombëtare, për ndërtimin e të cilave u deshën dekada", tha ambasadori rus në OKB. Edhe homologu i tij kinez, Wang Guangya, tha se vendi i tij ishte kundër pavarësisë së Kosovës. "Kina është kundër çdo veprimi të njëanshëm dhe kundërshton zgjidhjet e imponuara me presion. Kina gjatë gjithë kohës ka thënë se rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës është arritja e një marrëveshjeje të pranueshme nga palët me anë të negociatave", është shprehur ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, vlerësoi Kosovën për përparimin e shënuar gjatë viteve të fundit. "Tani Kosova ka marrë një pamje politike të gjallë e të shumëllojshme. Liria e lëvizjes është përmirësuar dhe ka rënie të nivelit të krimit për motive ndëretnike", tha zoti Ban. "Gjatë ketyre viteve, Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në zbatimin e standardeve dhe ky proces tashmë është plotësisht i integrueshëm me atë që pret Bashkimi Europian", tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. "Objektivat e mia absolute në trajtimin e çështjes së Kosovës kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, teksa sigurohet stabiliteti dhe siguria e vetë Kosovës, siguria e vetë popullit të Kosovës", ka përcaktuar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||