BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 15 janar 2008 - 07:40 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Vollebaek kërkon afrim te pakicat
Knut Vollebaek
Z. Vollebaek thotë se duhet të ketë një prani ndërkombëtare në të ardhmen.
Komisioneri i OSBE-së për pakicat kombëtare, Knut Vollebaek, ka thënë se agjencitë ndërkombëtare kanë hartuar planet emergjente për periudhën e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Në një intervistë me BBC-në, zoti Vollebaek ka deklaruar se një numër i pjesëtarëve të pakicës serbe mund të vendosë të largohet në rast të ndryshimit të statusit aktual të Kosovës.

Por ai i ka bërë thirrje qeverisë kosovare që t'i afrohet bashkësive të vogla etnike, e veçanërisht serbëve të Kosovës, për të garantuar jetesën e tyre në Kosovë.

Një pjesë e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar se mund të zhvendosen, në rast se Kosova shpallë pavarësinë e saj.

Por autoritetet në Prishtinë janë zotuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe kanë paralajmëruar zbatimin e ligjeve që dalin nga paketa Ahtisaari, e cila ofron garanci të fuqishme për pakicën serbe në Kosovë.

Me zotin Knut Vollebaek bisedoi Arbër Vllahiu.

BBC: Si e vlerësoni gjendjen e të drejtave të pakicave?

 Duke udhëtuar nëpër Kosovë unë jam takuar me njerëzit që janë të shqetësuar, me njerëzit që janë të pasigurtë për të ardhmen e tyre
Knut Vollebaek

Knut Vollebaek: Më lejoni që në fillim të them se nuk jam këtu të diskutoj për statusin dhe kjo nuk është në mandatin tim. Unë u kam thënë edhe autoriteteve, por edhe përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme se në fushën në të cilën unë punoj, marrëdhëniet ndëretnike, duhet të fillojnë të punojnë që tani dhe nuk duhet të presin deklarimin e statusit.

Duke udhëtuar nëpër Kosovë unë jam takuar me njerëzit që janë të shqetësuar, me njerëzit që janë të pasigurtë për të ardhmen e tyre.

Unë jam i shqetësuar me faktin se ka një dallim nga ajo që dëgjon në Prishtinë. Unë jam shumë i kënaqur me atë që më thanë kryeministri dhe presidenti, por unë gjithashtu ju thashë se gjëja kryesore tani është zbatimi i fjalëve që kanë thënë dhe në shumë mënyra edhe të kornizës që e kanë.

Këtu na duhet ta ndjekim nga afër situatën dhe të jemi të përfshirë në zbatim sepse kjo do të jetë gjëja kryesore në të ardhmen.

BBC: Ambasador ju e takuat udhëheqjen e re kosovare. Është e gatshme ajo që të punojë në fushën e të drejtave, posaçërisht të pakicave?

 Mendoj se është me rëndësi që qeveria t'u ndihmojë atyre që ta përmbushin dëshirën dhe ëndërrën e tyre në këtë shoqëri.
Knut Vollebaek

Knut Vollebaek: Mendoj se deklaratat e tyre janë shumë të mira. Kisha një takim shumë të mirë me kryemninistrin si dhe me presidentin që e takova nga fundi i javës së kaluar.

Që të dy janë shumë të angazhuar në deklaratat e tyre se duan t'u afrohen të gjitha komuniteteve në Kosovë. Dhe unë jam i gëzuar që të dëgjoj një gjë të tillë.

Por gjatë takimit me përfaqësuesit, jo vetëm të serbëve por edhe të komuniteteve të tjera të vogla në enklava, ata më treguan për vështirësitë që kanë me autoritetet lokale.

Dhe mendoj se ky do të jetë një fakt i rëndësishëm që kryeministri dhe presidenti t'u drejtohen administratës lokale, udhëheqjes lokale dhe kryetarëve të komunave të jenë të hapur dhe të merren me komunitetet e vogla në rajonet e tyre, që ata të ndjehen edhe të sigurtë, por edhe se mund të adresojnë çështjet e tyre që janë të rëndësishme për ta në atë mjedis.

BBC: Ju keni takuar serbët dhe unë besoj se keni biseduar me ta edhe për periudhën që i pret ata dhe Kosovën, pra atë të statusit. A patë frikë në mesin e serbëve se si të jetojnë për shembull në një vend të pavarur?

 Kam takuar edhe serbë që thonë se nëse ndryshon statusi do të ikin
Knut Vollebaek

Knut Vollebaek: Mendoj se ka dallime në mesin e serbëve ashtu si ka edhe në mesin e të gjithë neve. Kam takuar serbë që qartë e thonë se ky është vendi ynë se duan të jetojnë këtu ku kanë jetuar edhe më parë dhe se duan të jenë pjesë e këtij komuniteti. Mendoj se është me rëndësi që qeveria t'u ndihmojë atyre që ta përmbushin dëshirën dhe ëndërrën e tyre në këtë shoqëri.

Kam takuar edhe serbë që thonë se nëse ndryshon statusi do të ikin. Ka shumë frikë, dhe mendoj se është me shumë rëndësi që qeveria t'u ofrohet atyre dhe t'i sigurojë se çfarëdo që do të ndodhë, ata supozohet të jenë pjesë e këtij komuniteti.

Ata kanë jetuar këtu për shumë vjet, janë pasuri e komunitetit dhe i mbetet qeverisë që të dëshmojë se kjo është e mundur.

 Të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme... thonë se prania ndërkombëtare në të ardhmen është e domosdoshme për zhvillimin paqësor të vazhdueshëm të shoqërisë.
Knut Vollebaek

Dua që të them se secilin që kam takuar thotë se është shumë i varur nga prania e bashkësisë ndërkombëtare.

Të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme me të cilët jam takuar thonë se e prania ndërkombëtare në të ardhmen është e domosdoshme për zhvillimin paqësor të vazhdueshëm të shoqërisë.

Dhe është prandaj shpresë imja dhe një porosi për të gjithë se duhet të ketë një prani të fuqishme ndërkombëtare në të ardhmen.

BBC: Pra kjo do të thotë se vetëm prania ndërkombëtare do të mund të garantonte paqen në të ardhmen?

Knut Vollebaek: Nuk do të thosha vetëm ajo, por e kemi parë në të kaluarën se është e dobishme që të kemi vëzhgues ndërkombëtarë. Kjo është ajo që ne në zyrën e Komisionerit të Lartë bëjmë në shumicën e vendeve dhe e kemi parë se ka qenë e dobishme në shoqëritë që kanë konflikte ose mosmarrëveshje ndëretnike.

Mendoj se kemi situatë të ngjashme edhe në Kosovë. Kur kam qenë në krye të OSBE-së në vitin 1999, kam deklaruar se mund të kemi nevojë për një prani prej më shumë se 20 vjetësh dhe kanë kaluar vetëm 8 vjet e mendoj se është ende shumë herët që bashkësia ndërkombëtare të largohet.

BBC: Ambasador. Po, a ka bashkësia ndërkombëtare një plan emergjent në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës?

Knut Vollebaek: Duhet të pyesni përfaqësues të ndryshëm, por jam i sigurt se unë kam edhe plane normale por edhe emergjente.

Mandati im megjithatë është i kufizuar në këtë aspekt, por unë po e diskutoj këtë me përfaqësues të ndryshëm dhe të organizatave të ndryshme që janë këtu. Jam siguruar se për situata të ndryshme, rezultate të ndryshme dhe skenarë të ndryshëm, ata po planifikojnë dhe këto janë pritjet e mia.

BBC: Sa i keni inkurajuar serbët të kthehen në Kosovë?

Knut Vollebaek: Ky është qëllim kryesor i aktivitetetit tonë. Kjo është diçka që ne e diskutojmë me serbët që janë të zhvendosur dhe ne gjithashtu kemi diskutuar këtë edhe me autoritetet lokale këtu, sepse duhet të bisedohet se si pranohen ata, por gjithashtu edhe me qeverinë në Beograd.

Kur e vizitova Beogradin në shtator ne gjithashtu e diskutuam edhe gjendjen për personat e zhvendosur. Ne jemi duke e adresuar këtë çështje, e dimë se është e vështirë, e dimë gjithashtu se ka patur pak të kthyer. Kjo është një sfidë e vazhdueshme, por ne jemi në dijeni të problemit.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>