BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 10 janar 2008 - 19:26 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BE-ja përgatitet për misionin në Kosovë
Christina Gallach
Christina Gallach thotë se ky vit është themelor në zgjidhjen e statusit. (© Këshilli i BE-së)
Bashkimi Evropian e ka përshëndetur konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës dhe ka thënë se mbështetet në pjekurinë e udhëheqjes së re kosovare në raport me statusin e Kosovës.

Christina Gallach, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana, i ka thënë BBC-së se udhëheqësit politikë të Kosovës e kuptojnë se atyre iu duhet një mbështetje e pranisë së rëndësishme të BE-së, dhe ka shtuar se çështja e statusit duhet të zgjidhet shpejt meqë situata aktuale e sigurisë nuk çon drejt qëndrueshmërisë në rajon.

Sipas saj, ky vit është themelor në zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Zonja Gallach ka thënë se për BE-në bisedimet për Kosovën kanë përfunduar dhe se ajo po punon që të përgatitet për një prani të shtuar në Kosovë.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zonjën Gallach.

BBC: Si i ka parë Brukseli zhvillimet e fundit në Kosovë?

Christina Gallach: Ne jemi të kënaqur që përfundimisht të gjitha institucionet janë konstituuar. Zoti Solana i ka dërguar përgëzimet e tij për presidentin, kryeministrin dhe qeverinë.

Ai ka punuar shumë mirë në të kaluarën me personalitet që janë emëruar në detyra të ndryshme dhe këtu do të nënvizoja një marrëdhënie konstruktive me presidentin dhe gjithashtu edhe me kryeministrin aktual që në të kaluarën ishte në opozitë.

 ...ne jemi të sigurtë se do të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira me udhëheqjen, të cilën kosovarët e kanë zgjedhur
Christina Gallach

Prandaj ne jemi të sigurtë se do të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira me udhëheqjen, të cilën kosovarët e kanë zgjedhur.

BBC: Por zonja Gallach, kryeministri i ri Hashim Thaçi, kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës, ka thënë se ajo brenda javës do të jetë e pavarur. A po shohim këtu një përshpejtim të procesit të zgjidhjes së statusit?

Christina Gallach: Ajo që duam të nënvizojmë është se status-quo është e paqëndrueshme dhe e kemi thënë në shumë raste se duhet të ecim përpara drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës në një mënyrë që rrit qëndrueshmërinë e rajonit dhe të Evropës.

Prandaj ne e shohim këtë vit si një vit me rëndësi thelbësore për të ecur drejt këtij drejtimi. Por ajo që unë nuk do ta bëj është të vendos afate për vendime dhe zhvillime.

Bashkimi Evropian do të jetë konstruktiv dhe mbështetës në këtë process të definimit të statusit të Kosovës.

Ne nuk do të përshpejtojmë asnjë gjë por do të jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me qëllim që ta kemi Kosovën dhe rajonin në tërësi në një formë më të qëndrueshme se sa është tani.

 Ne nuk do të përshpejtojmë asnjë gjë por do të jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me qëllim që ta kemi Kosovën dhe rajonin në tërësi në një formë më të qëndrueshme se sa është tani.
Christina Gallach

BBC: Por Beogradi ka thënë se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje që nuk del si një marrëveshje mes palëve. Madje ka kërkuar edhe zgjatje të bisedimeve për të gjetur zgjidhje...

Christina Gallach: Mund t'ju kujtohet se kur procesi i fundit i bisedimeve u shpall i përfunduar, diku nga mesi i dhjetorit të kaluar, qëndrimi i BE-së në atë moment ishte shumë i qartë.

Ne menduam se kjo ishte përpjekja e fundit që nuk ishte e padobishme. Në të kundërtën, ajo u ndihmoi shumë të gjithëve që të shohin rritjen e një game të zgjidhjeve të shumëllojshme rreth të cilave do të mblidheshin të dyja palët.

Natyrisht se nuk është një zgjidhje e ngurtë por nuk ishte e padobishme.

Ne si BE thamë se kjo ishte përpjekja e fundit që të kemi një process të negociuar.

Tani ne, si BE, po punojmë mbi bazën e mandatit që na kanë dhënë krerët e qeverive të shteteve anëtare, dhe që ishte shumë i qartë, që të përgatitemi për një prani të shtuar të BE-së në terren, megjithëse ne jemi të pranishëm atje në mënyra të ndryshme.

Në të nëjtën kohë ne po punojmë në aspektin diplomatik dhe atë politik me udhëheqësit në Serbi dhe me udhëheqësit e rinj të Kosovës me qëllim që të sigurojmë se në javët dhe në muajt e ardhshëm të shohim një rajon më të qëndrueshëm. Kjo është ajo që ne po punojmë tash për tash.

BBC: Kur jemi te misioni i BE-së që duhet të dërgohet në Kosovë. Në parim ministrat e BE-së janë pajtuar që të dërgojnë misionin por a ka gjasa të kemi një vendim të përbashkët në takimin e fundit të janarit?

Christina Gallach:Është me shumë rëndësi që ne të përgatitemi mirë dhë që të kemi njerëzit më të përgatitur për t'u vendosur, se sa një datë e caktuar.

Ajo që ne kemi bërë, në vecanti sipas instruksioneve të të gjithë kryeministrave dhe kryetarëve të vendeve anëtare të BE-së, është të përshpejtojmë përgatitjet dhe të sigurojmë se kemi njerëzit më të kualifikuar dhe të gjitha formalitetet e kryera.

Pas kësaj do të shohim se kur saktësisht do të mund të merren vendimet.

 Ne kemi një porosi të qartë se BE-ja do të ndihmojë aq sa mundet në shumë fusha në Kosovë.
Christina Gallach

Kjo nuk do të ndodhë gjatë shumë muajve të ardhshëm. Kjo do të ndodhë sa më parë, por të mos merremi vetëm me një datë të caktuar.

Ne kemi një porosi të qartë se BE-ja do të ndihmojë aq sa mundet në shumë fusha në Kosovë.

Do të nënvizoj edhe njëherë se kjo do të ndodh sa më parë.

BBC: Zonja Gallack a është ky mission në shpërputhje me Rezolutën 1244?

Christina Gallach: BE-ja nuk përplaset me Rezolutat e KS të OKB-së.

 ... të jeni të sigurtë se ne nuk do të përplasemi me rezolutat, as ato në të kaluarën as me ato në të ardhmen
Christina Gallach

Ne jemi një organizatë që është e përkushtuar për multilateralizëm dhe KS i OKB-së është organi kryesor që na jep drejtimet kryesore për të parë se si funksionon një botë multilaterale.

Prandaj të jeni të sigurtë se ne nuk do të përplasemi me rezolutat, as ato në të kaluarën as me ato në të ardhmen.

BBC: Por a do të prisni për një sinjal nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për ta dërguar misionin në Kosovë?

Christina Gallach: Ne jemi në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe me ekipin e tij. Ne fakt në një mënyrë intensive, zoti Solana ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm, pothuaj në takime të rregullta cdo dy javë, dhe do ta takojë edhe në fillim të javës së ardhshme në Madrid, në margjinat e një konference ndërkombëtare.

Prandaj ka një koordinim të fuqishëm dhe në të njëjtën kohë, personeli ynë, ekspertët në zyrën tonë, që janë përgjegjës për përgatitjet janë në një kontakt të përhershëm me ekspertët e OKB-së.

 ...prania e OKB-së në Kosovë është e madhe dhe shumë e rëndësishme. Tani BE-ja duhet të përgatitet, marrë parasysh mënyrën se si mund të bashkëpunojmë me OKB-në.
Christina Gallach

Kjo është e mirë, në fakt është thelbësore, sepse prania e OKB-së në Kosovë është e madhe dhe shumë e rëndësishme. Tani BE-ja duhet të përgatitet, marrë parasysh mënyrën se si mund të bashkëpunojmë me OKB-në.

Kjo për faktin se prania e ardhshme e BE-së në Kosovë do të jetë e ndryshme nga ajo kur qe vendosur misioni I OKB-së në vitin 1999.

BBC: Por ky mission ka krijuar një kundërshtim të fuqishëm në Serbi, që është mbështetur edhe nga Rusia. BE-së I është bërë thirrje nga Serbia që të mos e dërgojë misionin në Kosovë?

Christina Gallach: Unë nuk mendoj se autoritetet e Beogradit dhe udhëheqësit atje janë kundër një pranie të shtuar të Evropës në Ballkan. Në deklaratat që kemi dëgjuar madje edhe në takimet që kemi patur me autoritetet e Beogradit, ata duan që Evropa të jetë më e pranishme në Ballkan. Kjo madje është e fuqizuar edhe nga deklaratat e të gjithëve atje. Unë dua që të nënvizojë, se prania eventuale e BE-së, që edhe ashtu është e madhe në rajon dhe në Kosovë, është e organizuar në përputhje me ato që ne po përgatisim, dhe përfundimisht do të jetë pozitive jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin në tërësi. Dhe ne jemi të bindur se kjo është rruga që udhëheqësit në Beograd do ta ndjekin, dhe mendoj se po e bëjnë.

BBC: Dhe cila do të jetë fuqia e misionit të BE-së në Kosovë?

Christina Gallach: Këto janë gjërat që do të zgjidhen, sepse ajo që nuk do ta bëjmë është të parashikojmë zhvillimet. Por ne do të mbështesim zhvillimet dhe strukturat që janë të domosdoshme me qëllim që të kemi një administratë që do të përgjigjet në cështjet që kanë të bëjnë me sistemin juridik, me atë që kanë të bëjnë me fushën e policisë. Mendoj se ne po përgatitemi që t'I japim krahun asaj që duhet të bëhet në fushat që janë fundamentale, të themi cdo gjë që ka të bëjë me krimin e organizuar, me sigurinë duke mos përfshirë atë që bën NATO. Ka shumë fusha në të cilat ne mendojmë se mund të jemi të dobishëm dhe mendoj se kosovarët dhe të tjerët në rajon do të jenë të falenderueshëm nëse BE-ja merr më shumë përgjegjësi.

BBC: A do të ketë ky mission një rol më të madh se sa ka patur misioni I OKB-së deri tash?

Christina Gallach: Nuk dua që të bëjë krahasime. Mendoj se misioni I OKB-së u vendos më 1999 në rrethana shumë specifike. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka qenë fundamental prandaj Kosova ka ecur nga një situatë e tillë drejt asaj që e shohim sot, dhe tani kemi institucionet që kanë dalë nga proceset zgjedhore që kanë qenë shumë demokratike. Mos të bëjmë krahasime sepse situate tani ëhstë e ndryshme dhe ne do ta definojmë rolin tonë. Por më lejoni të nënvizojmë se do të ketë një lidhje për praninë evropiane në një fushë që ëhstë mbështetja për Kosovën që të ketë marrëdhënie të mira mes pakicës dhe shumicës. Prandaj ka shumë fusha në të cilat ne mendojmë se mund të jemi konstruktiv.

BBC: Dhe me lejoni që të kthehem edhe njëherë tek statusi. I keni këshilluar udhëheqësit kosovarë që të jenë të kujdeshëm dhe të durueshëm?

Christina Gallach: Ta përsëris edhe njëherë. Ne nuk do të parashikojmë zhvillimet. Ne llogarisim në pjekurinë e udhëheqjes së re të zgjedhur me të cilët ne kemi punuar dhe të cilët e dijnë se situate është shumë komplekse. Meqë jemi në kontakt me ta, ata e dijnë se ju duhet një mbështetje e pranisë së rëndësishme të BE-së. Por cështja e statusit, sic e thash, duhet dhe do të zgjidhet, sepse situate aktuale nuk është e tillë që con drejt qëndrueshmërisë që ne duam. Por të mos parashikojmë zhvillimet. Me qeverinë e re që ëhstë krijuar do të punojmë dhe duam që e njëjta të punojë në një mënyrë korrekte me opozitën.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Thaçi "Kosova e pavarur brenda javësh"
09 janar 2008 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>