BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 10 janar 2008 - 10:14 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Thaçi "Kosova e pavarur brenda javësh"

Fatmir Sejdiu (m) dhe Hashim Thaçi (d)
Parlamenti votoi për Sejdiun president dhe Thaçin kryeministër
Udhëheqësit e sapozgjedhur kosovarë thonë se pavarësia e Kosovës dhe ndërtimi i shtetit demokratik do të jenë prioritet i punës së tyre.

Institucionet e reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, u votuan të mërkurën në Kuvendin e Kosovës me shumicën e votave të nevojshme.

President i Kosovës është rizgjedhur Fatmir Sejdiu, kryeministër lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi ndërsa kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i PDK-së.

Procesi më i ndërlikuar ka qenë ai për presidentin e Kosovës.

Fatmir Sejdiu arriti të rizgjidhej në këtë post vetëm në raundin e tretë të votimit, kur mori 68 vota, apo më shumë se 50 përqindëshin e domosdoshëm.

Në dy raundet e para të votimit nevojiteshin 2/3 e votave, të cilat nuk u siguruan dot. Përballë tij për postin ishte zoti Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që mori 39 vota.

Pas rizgjedhjes president i Kosovës, Fatmir Sejdiu u zotua para deputetëve të Kuvendit se institucionet e reja do ta bëjnë shpejt Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

 Do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojmë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës...
Fatmir Sejdiu

"Do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojnë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Do të zgjerojnë korpusin legjislativ në përputhje me Pakon e Presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta bashkëkohëse ndërkombëtare, si dhe gjithë korpusin legjislativ të nevojshëm për të mbështetur funksionimin institucioneve dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve", tha presidenti Sejdiu.

Fatmir Sejdiu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është president i dytë i Kosovës. Ai pasoi në post në shkurt të vitit 2006 Ibrahim Rugovën, pasi ai u nda nga jeta.

Para se të votohej për mandat të dytë në Parlamentin e ri të Kosovës, zoti Sejdiu dha dorëheqje nga mandati i parë presidencial, i cili do t'i skadonte pas një viti.

Aprovohet qeveria e re

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash qeverinë e re të cilën do ta udhëheqë kryeministri Hashim Thaçi.

Për zotin Thaçi dhe kabinetin e tij qeveritar kanë votuar 85 deputetë nga 112 sa ishin në sallë.

Udhëheqësi politik i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë në krye të qeverisë së koaliconit PDK-LDK për një mandat katërvjeçar.

Kryeministri Thaçi ka premtuar se qeveria e tij do të bëjë ndryshime në Kosovë. Ai ka përsëritur premtimet e dhëna gjatë fushatës për ndryshime pozitive në ekonomi, infrastrukurë, arsim, shëndetësi e fusha tjera.

 Ne jemi duke u përgatitur që në fillim të pjesës së parë të këtij viti ta bëjmë Kosovën e pavarur dhe sovrane, vend të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj...
Hashim Thaçi

Por prioritet i qeverisë së re, sipas kryeministrit Hashim Thaçi do të jetë pavarësia e Kosovës që siç thotë ai është çështje javësh.

"Ne jemi duke u përgatitur që në fillim të pjesës së parë të këtij viti ta bëjmë Kosovën e pavarur dhe sovrane, vend të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, të drejtat e minoritarëve do të respektohet dhe do të garantohen përmes angazhimeve afirmative të përgjegjshme të garantuara edhe me kushtetutë.
Ne jemi të koordinuar dhe një një krah me miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n", u shpreh kryeministri i ri i Kosovës.

Kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi do të ketë dy zëvendëskryeministra, Hajredin Kuçin nga Partia Demokratike dhe Ramë Manajn nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shtatë ministri do të udhëhiqen nga PDK-ja, pesë nga LDK-ja ndërsa tri të tjera u janë lënë pakicave.

Subjektet politike serbe që dolën në zgjedhjen e 17 nëntorit kanë pranuar të jenë pjesë e kabinetit Thaçi dhe të udhëheqin Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe atë të Punës e Mirëqenies Sociale.

Ndërsa në emër të pakicave joserbe, Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor do të udhëheqë një përfaqësues i komunitetit turk.

Miratohet kryetari dhe kryesia e Parlamentit

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur edhe kryetarin dhe kryesinë e Parlamentit, me përjashtim të dy anëtarëve të kryesisë nga pakicat joserbe, të cilët nuk janë zgjedhur për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të këtyre komuniteteve.

Në krye të organit ligjvënës të Kosovës është zgjedhur Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi premtoi se gjatë punës së tij nuk do t'i ndajë deputetët në ata të pozitës dhe opozitës.

Ai shfaqi bindjen se do të ketë një bashkëpunim të mirë në mes të deputetëve në këtë fillim viti kur Parlamenti pritet të shpallë pavarësinë e Kosovës.

 Në vitin e parë te kësaj legjislature do të ndodhë zyrtarizmi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran në koordinim me vendet e demokracisë Veri-Atlantike...
Jakup Krasniqi

"Në vitin e parë te kësaj legjislature do të ndodhë zyrtarizmi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran në koordinim me vendet e demokracisë Veri-Atlantike, të cilat po e mbështesin fuqishëm të drejtën tonë për mëvetësi. Ne me punën dhe angazhimin tonë të përditshëm, me përgjegjësi e përkushtim do të tregojmë e garantojmë se e meritojmë këtë mbështetje", tha kryeparlamentari Krasniqi.

Reagime të opozitës

Opozita ka reaguar për zgjedhjen e institucioneve të reja të udhëhequra nga dy forcat politike Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike që historikisht kanë qenë rivale të njëra tjetrës.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli e quajti koalicionin qeveritar ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike joparimor dhe jo të natyrshëm.

Por z.Pacolli, ka thënë se partia e tij që ka 13 vende në parlament, do të jetë një opozitë konstruktive dhe do ta ndihmojë qeverinë e re për realizimin e projekteve të veta.

Zoti Pacolli porositi kryeministrin Thaçi të mos harronte premtimet që i kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

"Z.Kryeministër ne do të votojmë për ju. Ju keni votën e qytetarëve të Kosovës dhe ne do t'ju votojmë. Por mos harroni, 24 orë rrymë zoti kryeministër, mos harroni autostradat në Kosovë, mos harroni zbutjen e varfërisë, mos e harroni punësimin, mos e harroni sigurinë e qytetarit, sepse ne jetojmë sot të pa sigurt, mos e harroni edukimin, shëndetësinë, mirëqenien e qytetarit", tha z.Pacolli.

Nga ana tjetër, deputetja Besa Gaxherri, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë tha se qeveria e re e Kosovës nuk është bërë sipas vullnetit të qytetarëve që votuan në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Zonja Gaxherri tha se LDD-ja do të jetë një opozitë e fuqishme e qeverisë.

"Lidhja Demokratike e Dardanisë është opozitë, por do të jetë shumë konstruktive dhe shumë parimore në çështjet nacionale, por natyrisht që do të jetë opozitë e fuqishme edhe nëse juve ju duket e pa peshë dhe e vogël, sepse keni pasur se as 40 përqind e qytetarëve nuk kanë dalë në zgjedhje. Edhe atyre që kanë dalë në zgjedhje, u është shkelur vullneti i tyre, iu ka shkel vota për çka kanë votuar, andaj ne do të jemi vërtetë një opozitë e fuqishme", tha deputetja Gaxherri.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se qeveria e re është qeveri e interesave të ngushta të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Zoti Isufi është shprehur kundër ndryshimeve që janë bërë në kornizën kushtetuese për zgjatjen e mandatit të institucioneve të Kosovës.

"Këtu kemi një shkelje që konsederojmë se në të ardhmën nuk duhet të lejohet të bëhet, sepse Parlamenti i Kosovës është ai i cili duhet të vendosë për aktet ligjore dhe kur në Parlament të votohet diçka, edhe kryeadministratori Reucker mund ta nënshkruajë, por jo që të përmbushen disa nga interesat e ngushta të partive të cilat sot kanë ofruar koalicione, "u shpreh z.Isufi.

Pakicat - pjesë e qeverisë Thaçi

Pjesë të kabinetit qeveritar do të jenë edhe pakicat.

Serbët e Kosovës në qeveri do të jenë të përfaqësuar nga subjektet politike të cilat morën pjesë në zgjedhjet e fundit por që morën një numër të vogël të votave për shkak të pjesëmarrjes të ulët të serbëve në votime.

Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq ka deklaruar se është nder dhe përgjegjësi e madhe që komuniteti serb do të udhëheqë dy ministri në qeverinë e Kosovës.

 Ne si njerëz të përgjegjshëm, si përfaqësues të pakicës serbe jemi këtu para se gjithash t'i mbrojmë interesat e pakicës, gjithsesi jo në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera....
Slobodan Petroviq

"Ne si njerëz të përgjegjshëm, si përfaqësues të pakicës serbe jemi këtu para se gjithash t'i mbrojmë interesat e pakicës, gjithsesi jo në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera. Ne jemi në gjendje t'u ndihmojmë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Vetë hyrja jonë në parlament dhe në qeveri, flet për qëllimet dhe ambiciet tona", tha zoti Petroviq.

Edhe udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovë e Metohi, Oliver Ivanoviq, i cili bojkotoi zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë ka shfaqur shpresën se qeveria e re do të punojë më shumë për të mbrojtur të drejtat e komunitetit serb.

"Shpresoj që kjo qeveri do të jetë e fortë dhe do të përmbushë atë që e ka premtuar. Lufta kundër korrupsionit është një prej çëshjeve që janë premtuar. Unë shpresoj se komuniteti serb do të ketë dobi nga kjo qeveri sepse pas gjithë këtyre viteve shpresat tona janë se qeveria e Kosovës, pavarësisht çfarë do të jetë ajo, do të fillojë të mendojë për serbët e Kosovës", tha zoti Ivanoviq.

Nga ana tjetër, pakicat joserbe në përbërjen e tanishme të Kuvendin kanë 14 vende, prej të cilave dhjetë i kanë pasur të rezervuara me kornizën kushtetuese.

Ato po ashtu do të udhëheqin një ministri në qeverinë e re.

Megjithatë përfaqësues të pakicave joserbe kërkojnë që institucionet e reja të Kosovës t'u kushtojnë më shumë vëmendje dhe të mos përqëndrohen vetëm te pakica serbe.

Xhevdet Neziraj është deputet nga komuniteti egjiptian.

"Këtu nuk po më pëlqen fjalori i disa individëve, qoftë vendorë, qoftë ndërkombëtarë që e përmendin veçanërisht komunitetin serb, duhet t'i keni parasysh edhe komunitetet tjera.

Nuk jemi të integruar në institucione, ashtu siç duhet, nuk jemi të përfaqësuar në ndërmarrje publike dhe në shumë institucione tjera me rëndësi. Nuk duhet të kërkohet vetëm nga komuniteti serb", theksoi z.Neziraj.

Konstitumin e institucioneve të reja të Kosovës e ka përshëndetur edhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Reucker.

Ai midis të tjerave tha "Kjo ka qenë një ditë tjetër e mirë për demokracinë në Kosovë, që tregoi se kemi inst të pjekura, tani kemi qeveri stabile, kemi qeveri me bazë të mirë, kemi pasur një debat të mirë sot dhe, kishim rikonfirmimin e presidentit për mandat të ri dhe mendoj se njerëzit e Kosovës do të duhej të ishin krenarë me këtë demokraci", tha z.Ruecker.

Analistët vlerësojnë se z.Reucker bashkë me zyrat dipomatike në Prishtinë, në veçanti atë amerikane, kanë pasur një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërtimin e institucioneve të reja.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>