|
Zhvillimet e vitit 2007 në Kosovë | |||||||||||||||||||||||||||||||||||
Zhvillimet e vitit që po e lëmë pas, renditen si zhvillimet më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës. Kjo për faktin se statusi i krahinës ish-jugosllave ishte vendosur në fazën e vet të fundit. Bisedimet e filluara në vitin 2006, pas dështimit të miratimit të një rezolute në Këshillin e Sigurimit, vazhduan edhe në vitin 2007. Viti 2006, për të cilin ishte thënë se do t'i vënte pikë vendimit për statusin politik të Kosovës, u përmbyll me një vendim të Grupit të Kontaktit për shtyrjen e tij. Kërkesa për shtyrjen e vendimit për statusin, u konsiderua si sfida më e papëlqyeshme për Prishtinën në fundvitin e shkuar. "Shprehim keqardhje të thellë për njoftimin e marrë nga zyra e presidentit Ahtisaari për shtyrjen e paraqitjes së propozimit të zotit Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në veçanti, jemi të shqetësuar se kjo shtyrje ndërlidhet me kalendarin e zgjedhjeve parlamentare të parashikuara në Serbi," - tha presidenti Sejdiu. Raunde bisedimesh Prishtina dhe Beogradi u gjendën përballë në disa raunde bisedimesh, duke përfshirë edhe bisedimet e muajve të parë të këtij viti në Vjenë. Grupe ekspertësh, por edhe delegacione politike e shtetërore të Serbisë dhe të Kosovës u gjenden përballë shumë herë, dhe pothuajse gjithmonë pa sukses. Nën drejtimin e ish-presidentit finlandez Ahtisaari, faza e parë e bisedimeve u përmbyll në shkurt të këtij viti, me propozimin e tij për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës. Kryeministri Çeku vlerësonte se plani Ahtisaari vinte bazat e shtetit të pavarur të Kosovës, sado që në dokument ishte shmangur vetë fjala pavarësi. Fjala 'pavarësi'
"Fjala 'pavarësi', vërtet është shmangur, por ajo që nuk përmendet, nënkuptohet", tha kryeministri Çeku. Plani Ahtisaari nuk u dorëzua në fillim të marsit, por në fund të tij, meqenëse bisedimet e filluara në shkurt të 2007, zgjatën deri më 10 mars dhe ky raund bisedimesh ishte i fundit për planin Ahtisaari. Në fakt edhe ky raund përfundoi pa sukses. Beogradi këmbëngulte që bisedimet të vazhdonin edhe më, ndërkohë që Prishtina thoshte se plani Ahtisaari ishte i panegociueshëm. Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i pati deklaruar BBC-se se plani i Ahtisaarit, ishte i papranueshëm, por njëkohësisht ishte një plan i pritshëm. "Projekti i zotit Ahtisaari është diçka që nuk na ka befasuar, e kemi ditur në çfarë drejtimi do të shkojë…", ka thënë zoti Ivanoviq. Njëri nga përfaqësuesit e Beogradit, Sllobodan Samarxhiq, thoshte se Beogradi nuk mund ta pranonte planin Ahtisaari, sepse ai parashihte pavarësi për Kosovën, ndërkaq qëndrimi i Serbisë ishte që ajo të kishte një të ashtuquajtur 'autonomi substanciale'. "Ne nuk kemi pritur aq shumë që kur e kemi studiuar dokumentin Ahtisaari. Ne erdhëm ne përfundim shumë lehtë se ai favorizonte pavarësinë për Kosovën, por pavarësisht prej kësaj ne erdhem në Vjenë, paraqitem propozimet dhe amandamentet tona", tha atëkohë zoti Samarxhiq. Ndërmjetësi i OKB-së për statusin, Marti Ahtisaari, e kishte dorëzuar planin e tij në Këshillin e Sigurimit më 27 mars të 2007-tës dhe esenca e tij thuhej të ishte pavarësia e mbikqyrur. "Koncepti që kam pasur në mendje gjithmonë është që Kosova do të jetë një entitet më i efektshëm, më praktik, do të përgjigjet për çështjet e veta dhe kjo pavarësi do të mbikqyret nga komuniteti ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm", kishte deklaruar zoti Ahtisaari. Më pas, Këshilli i Sigurimit kishte dërguar një delegacion shumë anëtaresh në Kosovë, për të parë situatën ne terren. Ishin zhvilluar edhe ngjarje të tjera, lidhur me statusin e Kosovës, ndër të cilat edhe shumë takime ndërmjet autoriteteve më të larta ndërkombëtare, duke përfshirë edhe presidentët Bush dhe Putin.
Muaji maj nuk solli asgjë të pritur. Qershori ndërkaq solli një qëndrim të prerë të SHBA-ve për statusin. Presidenti Bush, gjatë një vizite në Tiranë, kishte thënë se pavarësia e Kosovës do të ndodhte shumë shpejt. Po në qershor 2007 u mbajt edhe samiti i G 8-ës, ku u diskutua edhe për Kosovën, por pa propozim konkret për zgjidhje. Muaji korrik ndërkaq solli një moment të ri në procesin për statusin. Këshilli i Sigurimit nuk arriti ta miratojë një rezolutë, për shkak të kundërshimit të Rusisë. Hashim Thaçi, anëtar i delegacionit të Prishtinës, konstatonte se Këshilli i Sigurimit kishte dështuar në gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën. Bisedimet shtesë
Zhvillimi i fundit, bosht në këtë proces, ishte një vendim i Këshillit të Sigurimit që të mbahej një fazë shtesë 120 ditëshe e bisedimeve për Kosovën dhe të emërohej trojka ndërmjetsuese e përbërë nga Ischinger, Kharchenko dhe Wisner. Thuhej që kjo ide ishte propozuar nga presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, dhe ishte mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Bashkimi Evropian. "Mandati i këtij misioni nuk do të jetë zëvendësimi i planit të Ahtisaari me një plan tjetër të ri. Ne do të trimërojme palët që ato të dalin me ide të reja në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Përgjegjësia për sukses ose jo do tu takojë palëve e jo misionit të trojkës," ishte njëra prej deklaratave të para të kryesuesit të trojkës ndërkombëtare, ambasadorit Volfgang Ischinger. Prishtina ndërkaq kishte vendosur që në bisedimet shtesë të dilte me një projekt të ri për marrëdhëniet me Serbinë. Ajo projektin e saj e kishte emërtuar 'Traktati i miqësisë se mirë' me idenë se kjo do të ishte një ofertë paqëtimi me Serbinë. Në fazën shtesë të bisedimeve, përfaqësuesit më të lartë të Kosovës, vizituan Londrën, Madridin, Parisin, Washingtonin dhe shumë vende të tjera, që vazhdojnë të kenë rol të jashtëzakonshëm në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Në shtator në Bruksel, ata realizuan takimin e parë të drejtpërdrejt me përfaqësues të Beogradit, por jo më shumë se kaq.
Në fakt edhe Prishtina edhe Beogradi, u zotuan se do ta respektojnë axhendën e caktuar nga treshja ndërkombëtare dhe nuk do të ndërmarrin hapa të njëanshëm. "Kosova do të respektojë axhendën ndërkombëtare deri më 10 dhjetor. Pas kësaj date, Kosova do ta ketë axhendën e vet të vendimit për pavarësi, të njohjes ndërkombëtare në koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin", tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Bisedimet e Vjenës Bisedimet përmbyllëse të kësaj faze dhe me gjasë të fundit për statusin e Kosovës, u zhvilluan sërish në Austri, në Baden, diku rreth 30 kilometra ne periferi të Vjenës. Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre, debatuan për 4 ditë rradhazi, por pa sukses. Ndërmjetësit e bisedimeve, ambasadorët Ischinger, Wisner dhe Kharchenko vetëm konstatuan se bisedimet kishin përfunduar pa sukses. "Për fat të keq palët nuk kanë arritur një marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës. Pavarësisht prej kësaj, treshja u bën thirrje palëve të mbajnë komunikim mes tyre, pa ndonjë paragjykim për statusin", ka thënë i dërguari evropian, Volfang Ischinger. Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit, secili nga këndvështrimi i vet, paralajmëruan hapat që do të ndërmarrin pas datës 10 dhjetor. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, paralajmëroi shpalljen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. "Kosova, në një kohë shumë të shpejtë, do të marrë vendimet e veta. Ne do të zhvillojmë konsultime shumë të ngjeshura dhe shumë dinamike me të gjithë partnerët e Kosovës. Ne e shohim këtë periudhë të bisedimeve të shterura dhe nuk ka alternativa tjera", tha presidenti Sejdiu. Presidenti serb, Boris Tadiq, ndërkaq tha se Serbia nuk do ta pranonte kurrë pavarësinë e Kosovës dhe do ta hidhte poshtë çdo vendim të njëanshëm të Prishtinës. "Ndaj një akti të tillë të njëanshëm, Serbia gjithmonë do të gjejë përgjigje në përputhje me ligjet dhe standardet evropiane. E kemi thënë se një unilateralizëm, ngjall një tjetër. Ne duam qe t'i mbrojmë interesat tona në mënyrë ligjore. Nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës", tha presidenti serb, Boris Tadiq. Zhvillimet e këtij viti për statusin u përmbyllën para pak ditësh në New Jork. U përmbyllën me dallime shumë të mëdha ndërmjet Përendimit dhe Rusisë për çështjen e Kosovës. Shtetet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara dolën me konstatimin se çështja e Kosovës duhej të zgjidhej jashtë Këshillit të Sigurimit, kjo në pamundësi për të arritur pajtim brenda tij, ndërkaq Rusia me konstatimin se bisedimet duhej të vazhdonin.
Në fakt, krahas procesit të statusit, në Kosovë kanë ndodhur edhe zhvillime të tjera, shpesh të mpleksura edhe me elemente destabiliteti. Në shkurt të këtij viti, në Prishtinë janë shënuar demonstrata të dhunshme, ku pas ndërhyrjes së policisë, dy veta humbën jetën dhe 11 të tjerë ishin plagosur. Në pjesën e dytë të vitit u evidentua paraqitja publike e një organizate paramilitare që veten e quajti 'Armata Kombëtare Shqiptare'. Në nëntor të vitit 2007 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për pushtetin qëndor dhe atë lokal. Në fakt këto zgjedhje, megjithëse me numrin më të vogël të votuesve në historinë e zgjedhjeve ne Kosovë, jane cilësuar të një rëndësie të madhe, sepse kanë ndërruar pushtetin në Kosovë. Opozita e deridjeshme tashmë është fituese e këtyre zgjedhjeve. Fituesi më i madh ishte Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Pas shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, zoti Thaçi u mandatua për formimin e qeverisë së re. Viti 2007 u përmbyll me një marrëveshje në parim që qeveria e ardhshme e Kosovës të krijohet nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe partitë e pakicave. Po ashtu 2007-ta u përmbyll edhe me një qëndrim pothuajse të palëkundur të Prishtinës, se hapi i radhës do të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës. | LOKALE Rezolutë kundër pavarësisë së Kosovës27 dhjetor 2007 | Rajoni Përgatitet misioni i BE-së në Kosovë 21 dhjetor 2007 | Rajoni "Kosova është rast unik dhe jo precedent"04 janar 2008 | Rajoni Perspektivat e Mitrovicës për vitin 200802 janar 2008 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||||||||||||||