|
Rezolutë kundër pavarësisë së Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Kuvendi i Serbisë miratoi të mërkurën në mbrëmje, pas dhjetë ore debati, një rezolutë të re, në të cilën kundërshtohet pavarësia e Kosovës. Gjatë seancës në parlament, presidenti serb Boris Tadiq, tha se Serbia do të bënte çmos që ta mbante Kosovën. Kryeministri Vojisllav Koshtunica deklaroi se Serbia hidhte poshtë "njëherë e mirë", çdo lloj pavarësie të Kosovës. "Kjo është fjala e parë dhe e fundit e Serbisë," tha ai. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës pritet të shpallin pavarësinë brenda disa javësh me mbështetjen e aleatëve perëndimorë. Por në Rezolutën e re Beogradi thotë se do të rishikojë marrëdhëniet diplomatike me ato shtete që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Rezoluta Nga 239 deputetë të pranishëm në seancën për Kosovën në parlament, 220 votuan pro rezolutës, 14 kundër dhe tre abstenuan. Në rezolutë thuhet se mbrojtja e Kosovës si pjesë integrale e Serbisë, është përparësi e të gjitha organeve të shtetit. Ajo kërkon që të vazhdohen përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për statusin e Kosovës në KS të OKB-së. "Misioni i BE-së nuk mund të vijë në Kosovë pa vendim adekuat të Këshillit të Sigurimit," thuhet në rezolutë. Ndërkohë, të gjitha marrëveshjet që Serbia do të nënshkruajë në të ardhmen, duke përfshirë dhe atë Stabilizim-Asociimit me BE-në, 'duhet të jenë në funksion të ruajtjes së sovranitetit e tërësisë tokësore të Serbisë'. Korrespondenti ynë në Beograd, Fahri Musliu, thotë se me këtë Serbia faktikisht e ka bllokuar mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe anëtarësimin në NATO. Anëtarësimin në këto dy organizma, Beogradi e kushtëzon me mosnjohjen nga BE-ja të pavarësisë së Kosovës. Deklarata të ashpra Presidenti serb Boris Tadiq, duke folur gjatë seancës së jashtëzakonshme të parlamentit serb për Kosovën, tha se Serbia do të bënte çmos që ta mbante Kosovën. Ai shtoi se zgjidhja për statusin duhej kërkuar në KS të OKB-së dhe se vetëm KS-ja duhet t'i miratonte ndryshimet në misionin ushtarak dhe atë ndërkombëtar civil në Kosovë. Z. Tadiç tha se ushtria serbe ishte e gatshme të ndërhynte për t'u dalë në ndihmë serbëve të Kosovës. "Në rast të akteve të dhunës dhe nëse KFOR-i nuk do të kundërpërgjigjet si duhet ndaj saj duke mbrojtur serbët dhe jo-shqiptarët e tjerë, Ushtria Serbe është e gatshme të ndihmojë, " tha presidenti serb. Por ai shtois e një ndërhyrje e tillë do të bëhej vetëm me miratimin e institucioneve ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. Sulm mbi SHBA Kryeministri Vojisllav Koshtunica fajësoi SHBA-në për situatën e krijuar. "Nuk ka asnjë dyshim se SHBA po rrezikon Rezolutën 1244 për synimet e saj ushtarake dhe në fushën e sigurisë," tha z. Koshtunica. Ai shtoi: "SHBA qëllimisht po i sakrifikon interesat kombëtare të Serbisë dhe interesat jetësore të serbëve të Kosovës për të formuar një gjysëm shtet në të cilin NATO do të luante rolin e autoritetetit suprem, me një Kosovë që pretendohet të jetë e pavarur", tha kryeministri serb. Sa për anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen të Serbisë në BE, Kështunica tha se "Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm si shtet i tërë, pra me Kosovën e kurrsesi ndryshe". | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Parlamenti i Serbisë për Kosovën26 dhjetor 2007 | Rajoni Kuvendi serb debaton Kosovën më 28 dhjetor24 dhjetor 2007 | Rajoni Reagime në Prishtinë për seancën e KS-së21 dhjetor 2007 | Rajoni Sejdiu: Hapa të shpejtë drejt pavarësisë20 dhjetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||