BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 21 dhjetor 2007 - 10:07 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Përgatitet misioni i BE-së në Kosovë
Casper Klynge (© EUPT)
Z.Klynge thotë se po shikohet baza ligjore për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë. (© EUPT)
Shefi i misionit planifikues të Bashkimit Evropian në Kosovë, Casper Klynge, në një intervistë për BBC-në, thotë se zyrtarët evropianë po shikojnë bazën ligjore për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë.

Sipas tij, BE-ja do të preferonte që vendosja e misionit në Kosovë të bëhej me një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, zyrtarët evropianë pranojnë se një vendim i tillë vështirë se mund të merret në Nju Jork për shkak të kundërshtimit të ashpër të Rusisë.

Zoti Klynge thotë se një nga alternativat për dhënien e legjitimitetit të misionit evropian në Kosovë është vazhdimi i Rezoluts 1244 të Kombeve të Bashkuara, e kombinuar me një ftesë që do t'i bëhej Brukselit nga ana e institucioneve të Kosovës.

Korrespondentja e BBC-së, Violeta Hyseni, bisedoi me z.Klynge në fund të mandatit të tij në Kosovë.

BBC: Zoti Klynge, Bashkimi Evropian javën e kaluar mori vendim politik që të dërgojë në Kosovë misionin e vet në fushën e policisë dhe të drejtësisë. Kur jeni të gatshëm të filloni këtë mision?

Casper Klynge: Në parim, ne jemi gati gjithmonë, sepse jemi këtu tash e dy vjet. Kemi bërë përgatitjet dhe planifikimin e misionit, kemi diskutuar me autoritetet lokale se ku do të jetë i përfshirë misioni i BE-së, pra do të jetë në fushën e policisë, të drejtësisë dhe të doganave.

Këto janë tri shtyllat ku ne do të angazhohemi. Ne jemi shumë të kënaqur me vendimin që ka marrë Bashkimi Evropian dhe mendoj se kjo dërgon një sinjal shumë të fuqishëm për vullnetin e BE-së për të marrë më shumë përgjegjësi në Kosovë.

BBC: Çfarë është bërë në terren deri më tani sa i përket përgatitjeve për misionin e ardhshëm të BE-së?

Casper Klynge: Ne kemi bërë një vlerësim të plotë se si qëndron puna në fushën e rendit dhe ligjit, si po e kryen punën Shërbimi Policor i Kosovës, cilat janë forcat dhe dobësitë e tij, cilat fusha kanë nevojë edhe më tutje për mbështetje ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit. Të njejtën gjë e kemi bërë edhe në fushën e drejtësisë.

Qëllimi i punës sonë ka qenë që të kufizojmë sa më shumë që është e mundur angazhimin e BE-së dhe t'i përcaktojnë cilat do të jetë përgjegjësisë e Shërbimit Policor të Kosovës, gjyqësorit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe cilat do të jenë përgjegjësitë e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit.

Mendojmë se kjo është e rëndësishme sepse qartëson punën e autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Ne nuk mund të kemi një situatë kur njerëzit janë konfuzë nëse ka ndodhur një krim dhe nuk e dinë nëse me rastin në fjalë duhet të merret komuniteti ndërkombëtar apo autoritetet lokale.

Kjo duhet të zgjidhet dhe mendoj se ne kemi bërë një plan të mirë për këtë.

BBC: Çfarë keni përfunduar nga puna juaj, a ka Kosova më shumë nevojë për ndihmë ndërkombëtare në fushën e policisë apo të drejtësisë?

Casper Klynge: Sa i përket në numër, ne do të kemi më shumë njerëz në fushën e policisë, do të sjellim rreth 1,400 policë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Por, nëse më pyesni ku ka nevojë më shumë të ndihmohet Kosova, unë do të thoja në drejtësi, sepse mendoj se ju keni këtu institucione relativisht të dobëta, keni një legjislacion të përbërë nga pjesë të ish- Jugosllavisë, të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, keni gjyqtarë dhe prokurorë që kanë punuar në sisteme të ndryshme dhe unë kam përshtypjen se shumë njerëz në Kosovë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, janë të frustruar më shumë me drejtësinë.

Kjo është fusha ku ne do të përqëndrohemi dhe do të ndihmojmë sa më shumë që mundemi.

BBC: Zoti Klynge, nëse flasim me numra, sa prokurorë dhe gjyqtarë do të sjellë Bashkimi Evropian në Kosovë?

Casper Klynge: Ne do të rrisim numrin e tyre në krahasim me ata që ka UNMIK-u sot. Do të kemi 40-50 gjyqtarë ndërkombëtarë dhe rreth 20-25 prokurorë.

Ky ndoshta mund të mos duket numër i madh, por ekspertët të cilët ne kërkojmë t'i punësojmë është vështirë t'i kemi.

Fakti që BE-ja është e gatshme të dërgojë kaq shumë njerëz në Kosovë është një shenjë e mirë për seriozitetin që ne po tregojmë në fushën e drejtësisë.

BBC: Më lejoni t'ju bëj një pyetje pak më të ndjeshme rreth bazës ligjore për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. A është rezoluta 1244 bazë ligjore për këtë mision?

Casper Klynge: Ne do të preferonim të kishim një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara dhe për këtë kemi punuar në dy vitet e fundit.

Por nëse nuk do të kemi rezolutë të re, atëherë neve na duhet të shikojmë për mundësi të tjera, për bazë tjetër ligjore për vendosjen e misionit të BE-së.

Mendojmë se sfidat në Kosovë janë të mëdha dhe ne nuk mund të mbesim peng i nxjerrjes së një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit.

Bazë ligjore për misionin e BE-së mund të jetë vazhdimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e kombinuar me një ftesë nga ana e autoriteteve në Kosovë dhe ndoshta mund të përmbajë edhe elemente tjera.

Është herët të flas për legjitimitetin e misionit, por jam i bindur njëqind përqind se ne do të gjejmë mënyrën për vendosjen e pranisë së Bashkimit Evropian me një bazë të fortë ligjore, që do të përcaktojë punën tonë dhe të autoriteteve lokale.

BBC: Siç e dini, i dërguari rus për statusin, Alexander Botsan Kharchenko, ka deklaruar se misioni policor i Bashkimit Evropian në Kosovë do të ishte i jashtëligjshëm pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.
Sipas tij nevojitet vendimi i Këshillit të Sigurimit për të ndryshuar praninë ndërkombëtare. A mendoni se është e domosdoshme që të ketë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për të vendosur misionin e BE-së në Kosovë?

Casper Klynge: Siç e thashë edhe më herët, ne do të preferonim që Këshilli i Sigurimit të pajtohej për një rezolutë të re. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për Kombet e Bashkuara, për Kosovën dhe për Bashkimin Evropian.

Por, nëse puna në Këshillin e Sigurimit për këtë çështje bllokohet, atëherë do të ishte pakujdesi nga ana e Bashkimit Evropian të mos gjente një mënyrë tjetër për të vendosur misionin e vet në Kosovë.

Kur kam folur me njerëzit këtu, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, më kanë thënë se parashikimet e tyre për punën e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit janë të mëdha.

Mendoj se ne do të jemi të mirëseardhur dhe njerëzit do ta pranojnë nevojën për të pasur këtu Bashkimin Evropian, si pjesë e një perspektive evropiane për rajonin dhe për Kosovën.

BBC:Zoti Klynge, kur do ta fillojë punën misioni i Bashkimit Evropian, para apo pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Casper Klynge:Do të doja të kisha një top të kristaltë dhe t'ju thoja në çfarë date do të ndodhë kjo. Udhëheqësit e shteteve të Bashkimit Evropian kanë marrë vendim politik për dërgimin e misionit në Kosovë, por modalitetet, koha dhe detyrat e sakta duhet të vendosen nga ministrat e jashtëm të BE-së më vonë.

Duhet të presim dhe të shohim çfarë do të ndodhë në Nju Jork në Këshillin e Sigurimit dhe duhet t'i përcjellim me kujdes zhvillimet në terren. Jam i sigurtë se do të kemi një qasje të koordinuar bashkë me qeverinë e Kosovës, Kombet e Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo do të sigurojë që të koordinojmë kohën për themelimin e misionit të BE-së dhe transferimin gradual të përgjegjësive nga UNMIK-u te Bashkimi Evropian dhe, më e rëndësishmja, te autoritetet e Kosovës.

Procesi i statusit nuk po zhvillohet për shkak të zëvendësimit të pranisë ndërkombëtare, por për të fuqizuar institucionet vendore, në mënyrë që ato të bëhen më të përgjegjshme dhe më llogaridhënëse për qytetarët.

BBC:Zoti Klynge, sa të ngjashme dhe sa të ndryshme janë misioni i Kombeve të Bashkuara dhe ai i Bashkimit Evropian në Kosovë?

Casper Klynge: Mendoj se misioni i BE-së do të jetë më ndryshe në shumë aspekte. Ne do të kemi një mision më të përqëndruar në Kosovë, që do të thotë se ne nuk do të kemi një angazhim të plotë në polici dhe drejtësi.

Ne duam t'i gjejmë disa fusha të ndjeshme, ku ne mund të ndërhyjmë në rast se autoritetet lokale nuk janë të gatshme ose nuk kanë mundësi që të merrem me krime të ndjeshme siç është krimi i organizuar, korrupsioni, krimet ndëretnike etj, por, për shembull, te policia e trafikut ne do t'ia lëmë përgjegjësitë autoriteteve vendore.

Ky, pra, është një shembull. Shembulli tjetër është se ne do t'i nxjerrim jashtë gjyqtarët tanë, nuk do t'i mbajmë ata në Prishtinë, por do t'i vendosim në rajone ku ata do të punojnë me gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, sepse ne mendojmë se kjo është mënyra më e mirë që t'i bartim aftësitë dhe përgjegjësitë tek ata.

Mendoj se do të shihni ndryshime në filozofinë e përgjithshme të punës ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore.

BBC: Çfarë mendoni se BE-ja duhet të bëjë ndryshe nga ajo që ka bërë UNMIK-u prej vitit 1999?

Casper Klynge: Mendoj se ne duhet të përforcojmë fushat që UNMIK-u i ka zhvilluar. UNMIK-u ka bërë një punë të shkëlqyer me Shërbimin Policor të Kosovës.

Ka shumë fusha tjera ku ne mund t'i shfrytëzojmë zhvillimet pozitive. Ne mund të bëjmë më shumë se UNMIK-u në disa aspekte, në radhë të parë sepse është vështirë të bëhen përparime pa zgjidhjen e statusit.

BBC: Për shembull, ku mund të bëni më shumë përparime?

Casper Klynge: Mendoj se njëra fushë është bashkëpunimi policor ndërkombëtar. Mund të jetë bashkëpunimi Europol-Interpol, që është i vështirë pa zgjidhjen e statusit.

Jashtë fushës sonë, ajo që mund të ndihmojë Bashkimi Evropian është qasja në fondet ndërkombëtare të Bankës Botërore ose Fondit Monetar Ndërkombëtar, që mund ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, që është shumë i rëndësishëm.

Ne mendojmë se përmes angazhimit në fushën e policisë dhe drejtësisë do të krijojmë një situatë në Kosovë që do të tërheqë investitorët ndërkombëtarë, sepse ata do të jetë të sigurtë që investimet e tyre do të mbrohen me ligj sipas standardeve evropiane.

Në mënyrë indirekte do të ndihmojmë në përmirësimin e gjendjes ekonomike, në zhvillimin e një sistemi më të mirë shëndetësor dhe arsimor, ku njerëzit janë të frustruar.

BBC: Sa do të qëndrojë misioni i BE-së në Kosovë në fushën e policisë dhe drejtësisë?

Casper Klynge: Do të doja ta shihja këtë në topin e kristaltë që e përmenda më herët. Nuk e di nëse misioni do të zgjasë 2, 4, 6 apo 8 vjet.

Shpresoj se do të jetë i shkurtër, sepse një nga gjërat e mira të misioneve të BE-së është se ne duam të vijmë në kohën e duhur, por gjithashtu duam të largohemi në kohën e duhur. Nuk duam që misionet tona të zgjasin përgjithmonë, duam t'i bartim përgjegjësitë dhe, gradualisht, ta zvogëlojmë praninë tonë.

BBC: Kur është koha e duhur që misioni evropian të largohet nga Kosova?

Casper Klynge: Koha e duhur është kur autoritetet të jenë gati të kryejnë punët në mënyrën e duhur, kur pakicat do të jenë të mbrojtura dhe kur do të respektohet rendi dhe ligji, pavarësisht nëse këtu do të jenë të pranishëm policët evropianë.

Unë nuk mund t'ju them kur do të vijë kjo kohë, kjo varet plotësisht nga vullneti i autoriteteve kosovare për të bërë reforma dhe për të marrë mbi vete përgjegjësitë. Ne do t'i shmangemi situatave kur vendimet e pakëndshme do t'i lihen komunitetit ndërkombëtar.

Kështu nuk do të ndodhë kur të vendoset misioni i BE-së, ne do t'ua lëmë vendimet e pakëndshme autoriteteve kosovare dhe në këtë mënyrë qytetarët do të dinë kush është përgjegjës, në qoftë se ata nuk janë të kënaqur me zhvillimet që ndodhin.

BBC: Zoti Klynge, ju jeni në përfundim të misionit tuaj në Kosovë. Me çfarë përshtypjesh po largoheni nga këtu?

Casper Klynge: Po largohem nga Kosova me përshtypje të mira. Kur kam ardhur këtu para më shumë se dy vitesh, Kosova nuk ishte gati siç është sot.

Mendoj se kemi parë zhvillime shumë të mira rreth përgatitjeve të autoriteteve vendore për marrjen e përgjegjësive të reja, kemi parë se megjithëse procesi i zgjidhjes së statusit ka zgjatur më shumë se sa kemi menduar, kjo iu ka mundësuar institucioneve të Kosovës të përgatiten për përgjegjësi të reja.

Unë po shkoj me një dozë të optimizmit pas vendimit disa ditë më parë të Bashkimit Evropian për dërgimin e misionit në Kosovë, po shkoj me ndjenja të përziera. Kam kaluar kohë të mirë këtu, do të më mungojnë shumë kolegë vendorë, të cilët kanë bërë një punë të madhe.

BBC: Çfarë ju ka pëlqyer e çfarë jo gjatë qëndrimit tuaj në Prishtinë?

Casper Klynge: Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është puna me njerëz shumë të përkushtuar dhe të kualifikuar në institucionet vendore, në opozitë si dhe puna me përfaqësuesit e pakicave. Ekziston një keqkuptim se në Kosovë nuk ka njerëz që dëshirojnë të bëjnë reforma dhe përparime.

Unë kam qenë i impresionuar nga disa kolegë të mi vendorë të cilët kanë kualifikim të duhur, shumica prej tyre janë shkolluar jashtë Kosovës dhe janë kthyer të ndihmojnë vendin e tyre pas statusin në fazën e integrimeve evropiane. Mendoj se kjo është gjëja më e mirë që e kam parë dhe do të më mungojë puna me këta njerëz.

BBC: Përveç punëve zyrtare, çfarë tjetër do të ju mungojë nga Prishtina, ushqimi, restoranet, kafiteritë, vajzat…?

Casper Klynge: Sigurisht jo vajzat, sepse do të kthehem te gruaja ime, por mendoj se kam kaluar kohë të mirë këtu. Jeta në Kosovë dhe në Prishtinë është e këndshme. Në dy vitet e fundit kemi parë një zhvillim të madh të restoraneve e kafiterive.

Jeta në Kosovë po bëhet më e gjallë, është mirë që po shohim zhvillime pozitive edhe në aspektet sociale. Do të më mungojnë të gjitha këto, më së shumti, do të më mungojnë kolegët ndërkombëtarë dhe vendorë në misionin planifikues të Bashkimit Evropian.

BBC: Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë, a keni arritur të mësoni sado pak gjuhën shqipe?

Casper Klynge: Për fat të keq unë kam qenë nën presion të madh nga autoritetet e mia në Bruksel dhe ata janë përkujdesur që unë të mos kem shumë kohë për tjetërçka, por të merrem me përgatitjen e misionit. I pikëlluar e them se po largohem nga Kosova me njohuri shumë të vogla të gjuhës shqipe dhe serbe, por shpresoj se kam kontribuar në mënyra tjera, ndonëse nuk kam qenë në gjendje ta mësoj gjuhën tuaj.

BBC: A planifikoni të ktheheni në Kosovë ndonjëherë?

Casper Klynge: Absolutisht, unë do të kthehem kur të ketë zhvillime të rëndësishme dhe mendoj se ato do të ndodhin jo shumë larg. Kosova do të thotë shumë për mua, kam kaluar shumë kohë këtu dhe unë u dëshiroj kolegëve të mi sukses në punën e tyre për ta çuar Kosovën një hap përpara. Nuk do të zgjidhen të gjitha gjërat brenda një dite. Mendoj se më shumë punë do të ketë pas statusit. Do të kthehem në Kosovë për të parë përparimet që janë bërë dhe do të kujdesem që t'i ndjek zhvillimet këtu.

BBC: Cili është misioni juaj pas Kosovës?

Casper Klynge: Dy autoritetet e mia më kanë thirrur që të kthehem, e para është gruaja ime dhe shpresoj të kaloj më shumë kohë me të dhe me djalin tim. Autoriteti tjetër është Ministria e Jashtme e Danimarkës, e cila kërkon që unë të kthehem të punoj në Kopenhagë. Ka 5 vjet që unë nuk kam qenë në Kopenhagë dhe ata mendojnë se unë duhet të kthehem dhe të jap kontributin tim te punëdhënësi im origjinal. Këtë do të bëj pasi të largohem nga Kosova.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
SHBA e BE: Jo më bisedime për Kosovën
20 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën
19 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Moska e Uashingtoni për Kosovën
18 dhjetor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>