BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 20 dhjetor 2007 - 05:35 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
SHBA e BE: Jo më bisedime për Kosovën
Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Diskutohet Kosova në OKB
Vendet perëndimore kanë pranuar dështimin e bisedimeve të OKB-së për të ardhmen e Kosovës dhe thonë se nuk ka asnjë kuptim për negociata të mëtejshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se BE-ja tani do të marrë udhëheqjen në ravijëzimin e të ardhmes së Kosovës.

Serbia dhe Rusia kërkuan negociata të mëtejshme.

Rusia tha se ndonjë lëvizje drejt pavarësisë së njëanshme të Kosovës do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

BE-ja tha javën e shkuar se është e gatshme të dërgojë 1800 zyrtarë policie dhe administratorë për të ruajtur rendin nëse, siç pritet, shqiptarët shpallin pavarësinë.

Në fillim të këtij muaji treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare arriti në përfundimin se bisedimet shtesë katërmujore mes dy palëve nuk dhanë ndonjë rezultat.

Pritet që shumë shpejt Kosova të shpallë pavarësinë.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se do ta hedhin këtë hap në konsultim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Debati për të ardhmen e Kosovës tregoi se sa i thellë është hendeku mes Rusisë dhe Perëndimit lidhur me atë se çfarë duhet të ndodhë me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca argumentuan se përderisa bisedimet shtesë katërmujore mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës nuk dhanë rezultat, ka ardhur koha për të hedhur hapa drejt pavarësisë së Kosovës, dhe kjo pavarësi duhet mbikqyrur nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.

Presidenti Fatmir Sejdiu i tha BBC-së se shumë shpejt do të merren vendime shumë të rëndësishme.

Rusia thotë se një hap drejt pavarësisë së njëanshme mund të shkaktojë një krizë të pakontrolluar.

Reagimi i Shqipërisë

Tirana zyrtare ka ndjekur me vëmendje të veçantë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Në një konferencë për shtyp drejtori i informacionit në Kryeministri, Grid Rroji, tha se Qeveria shqiptare përshëndet fjalën historike të presidentit Sejdiu përpara përfaqsuesve të kombeve më të fuqishme të botës dhe anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si një kontribut i fuqishëm për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, si dhe paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Sipas qeverisë shqiptare, dita e fjalimit të presidentit Sejdiu në OKB, është një ditë historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar.

LOKALE
BE flet për mision civil në Kosovë
14 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Brown flet në parlament për Kosovën
12 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Apel drejtuar BE-së për Kosovën
08 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Millibend: Do të njohim pavarësinë e Kosovës
11 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
'Nisin konsultimet' për pavarësinë
10 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Asnjë kompromis në bisedimet për Kosovën
21 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>