|
Tim Judah flet për pavarësinë e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Në një intervistë për BBC-në zoti Judah thotë se disa shtete evropiane që kanë pasur mëdyshje rreth pavarësisë së Kosovës, tani janë të gatshme ta pranojnë atë. Në këtë mes ai veçon Gjermaninë, e cila kohët e fundit ka shprehur vendosmërinë e saj për ruajtjen e unitetit të Bashkimit Evropian për Kosovën. Pas dështimit të bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Treshja SHBA-BE-Rusi, Tim Judah pret që në fillim të vitit të ardhshëm Kosova të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj. Ai thotë se ajo do të njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve evropiane. Korrespondetja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni, bisedoi me zotin Judah dhe fillimisht e pyeti se çfarë parashikon ai që të përmbajë raporti i Treshes për statusin e Kosovës, i cili do t'i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, më 10 dhjetor. Tim Judah: Mendoj se konkludimi i Treshes do të jetë se ata janë përpjekur ta bëjnë punën e tyre sa më mirë por nuk ka qenë e mundur të arrihet marrëveshje mes palëve, prandaj po e kthejnë problemin në Kombet e Bashkuara. Pas kësaj, nëse nuk ndodh diçka e papritur, Kosova do të shpallë pavarësinë, besoj në fillim të vitit të ri. BBC: Zoti Judah , a mendoni se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është tani e vetmja rrugë për zgjidhjen e statusit? Tim Judah: Për momentin, duket si e vetmja gjë në axhendë, mirëpo deri në fillim të vitit të ardhshëm dikush mund të japë ndonjë propozim tjetër. Gjithësesi, tani për tani unë nuk di që të ketë propozime të tjera. BBC: Pas dy vjet negociatash të dështuara për statusin e Kosovës, a është e gatshme bashkësia ndërkombëtare të heqë dorë nga përpjekjet për të arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin dhe ta lejojë Kosovën të shkojë drejt pavarësisë nga Serbia? Tim Judah: Termi "bashkësia ndërkombëtare" është i gjerë, apo jo? Nuk mendoj se Rusia do të heqë dorë nga ideja për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve, por shumica e shteteve të Bashkimit Evropian tashmë kanë hequr dorë nga kjo ide. BBC: Kur zoti Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikqyrur për Kosovën disa shtete evropiane hezituan ta pranonin atë. Tani, pas katër muaj bisedimesh shtesë të udhëhequra nga treshja ndërkombëtare, a ka ndryshuar diçka në qasjen e Bashkimit Evropian për pavarësinë e Kosovës? Tim Judah: Mendoj se disa shtete që kanë qenë me dy mendje për pavarësinë e Kosovës, tani do të jenë të gatshme ta pranojnë atë. Ajo që ka ndodhur është se politika ruse ka dështuar. Nëse e shikojmë hartën ku është Kosova, ajo është një enklavë në mes të territorit të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Duke thënë që plani i Ahtisaarit është diçka që ju e doni, por ne jo, Rusia i ka shtyrë shumë vende evropiane që kanë qenë me dy mendje për pavarësinë e Kosovës, të mendojnë se duhet të qëndrojnë bashkë dhe të mos lejojnë ndarjen e Bashkimit Evropian në sytë e Rusisë, e cila 'po përpiqet të na thotë neve çka të bëjmë në mes të territorit tonë'. Mendoj se në këtë aspekt ka ndryshuar qëndrimi i disa shteteve evropiane, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. BBC: Tim Judah , siç e dini, Qiproja por edhe Greqia kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, sidomos nëse kjo bëhet në rrugë të njëanshme. Çfarë ndikimi mund të ketë refuzimi i këtyre dy shteteve për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian? Tim Judah: Nuk mendoj se këto dy shtete mund të kenë ndonjë ndikim, sepse Qiproja për qëllimet e saj ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Pra kemi të bëjmë me një nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Greqia nuk është e lumtur me pavarësinë e Kosovës dhe besoj që nuk do ta njohë shpejt atë, por, unë parashikoj që ajo do ta njohë Kosovën e pavarur herët a vonë. Mendoj se fakti që disa shtete nuk dëshirojnë ta njohin pavaraësinë e Kosovës nuk është shumë i rëndësishëm. Për Bashkimin Evropian është me rëndësi që këto pak vende, Qiproja, Greqia e ndoshta edhe një apo dy shtete tjera, të mos përdorin veton për zëvendësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me atë të Bashkimit Evropian. Unë nuk mund ta besoj që Qiproja do të përdorë veton kundër vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë, në qoftë se këtë nuk e dëshirojnë 23 deri në 26 shtete tjera. Ky është shqetësimi i vetëm i Bashkimit Evropian. BBC: Tim Judah, udhëheqësit serbë thonë se nëse Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme, Serbia do të anulojë të gjitha vendimet e institucioneve kosovare, ndërsa serbët në veri të Kosovës paralajmërojnë shkëputjen e kësaj pjese nga Kosova. Sa serioze dhe të rrezikshme janë kërcënimet serbe? Tim Judah: Mendoj se është e sigurtë që Parlamenti i Serbisë do ta shpallë të paligjshme pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do ta ndryshojë aspak situatën. Më serioze janë kërcënimet për bllokadë ekonomike nga Serbia. Mendoj se kjo do ta vështirësojë jetën e qytetarëve të Kosovës, por nuk do ta pamundësojë atë. Humbësit më të mëdhenj do të jenë eksportuesit nga Serbia sepse Kosova nuk eksporton shumë në Serbi, ndërsa Serbia eksporton shumë në Kosovë, së paku 150 deri në 200 milionë euro në vit. Mendoj se biznesmenët serbë do të gjejnë mënyra për të eksportuar mallrat e tyre në Kosovë përmes Maqedonisë apo Malit të Zi. Sa i përkët kërcënimeve për shkëputje të veriut të Kosovës, kjo pjesë realisht as tani nuk është pjesë e Kosovës. Dhe çfarë ndryshimesh do të ketë nëse veriu vazhdon të mos jetë pjesë e Kosovës? Mendoj se do të jetë një fazë tjetër e një konflikti të ngrirë siç e kemi sot në Qipro, në Abkhazi apo në Osetinë Jugore. Kosova Veriore do të jetë konflikti më i ngrirë perëndimor në Evropë. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Çeku për shpalljen e pavarësisë28 nëntor 2007 | Rajoni Sot përfundojnë bisedimet për statusin28 nëntor 2007 | Rajoni Bisedime triditore për statusin e Kosovës26 nëntor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||