|
Dita e fundit e fushatës zgjedhore | |||||||||||||||||||||||
Në një atmosferë kryesisht të qetë të enjten në mesnatë përfundon fushata parazgjedhore në Kosovë. Gjatë gjithë fushatës zgjedhore e cila zgjati 21 ditë nuk ka pasur incidente serioze dhe gjuha e përdorur në tubimet paraelektorale fillimisht ka qenë e butë. Fjalor i ashpërsuar Fjalori politik është ashpërsuar në ditët e fundit kur janë dëgjuar edhe akuza publike ndaj kundërshtarëve politikë për keqpërdorimin e fushatës, për blerjen me para të njerëzve për të rritur numrin e simpatizantëve nëpër tubimet publike dhe për të kaluarën, siç thuhet, të dyshimtë të disa zyrtarëve politikë. Kritika më të ashpra janë bërë në adresë të një subjekti të ri politik, Aleancës Kosova e Re të biznesmenit të njohur kosovar, Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka deklaruar se bisedimet për statusin e Kosovës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk do të duhej të zhvilloheshin në Vjenë apo Bruksel, por diku në Kosovë dhe në Serbi. Kryetari i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, e quajti skandaloze këtë deklaratë dhe e kritikoi zoti Pacolli për lidhje të afërta me Rusinë dhe me Serbinë gjatë kohës së luftës në Kosovë. "Qëndrojmë prapa deklaratave të Veton Surroit, i cili thotë se zoti Pacolli në vitin 1998 kishte ofruar ofertën për autonomi si i dërguar i zotit Jeltcin pas takimit me zotin Millosheviq", tha Ylli Hoxha, zëdhënës i Partisë ORA. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i quajti të çmendura deklaratat e zotit Pacolli për mbajtjen e negociatave për statusin e Kosovës në ndonjërin nga qytetet e Serbisë. Reaguan edhe subjekte tjera politike, por disa prej tyre me ton më të butë. Oponentët politikë e kritikuan po ashtu zotin Pacolli për, siç thanë, manipulim me të varfërit dhe të papunët. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, në një tubim elektoral tha se qytetarët e Kosovës po treten në Lindje, duke aluduar kështu në punësimin e mijëra kosovarëve në Kazakistan, njërën nga republikat ish-sovjetike ku zhvillon biznesin kompania Mabetex e Behgjet Pacollit. "Nuk jemi që të çojmë njerëz në Lindje, nuk jemi që t'i tretim të rinjtë tanë, nëse do të ketë nevojë do të ketë bashkëpunim me vendet që iu kanë gjetur Kosovës gjithë kohën dhe prej atje ku kthehen prapë, jo me i humbë në stepat e Rusisë apo të Kaukazit apo viseve tjera", tha presidenti Sejdiu. Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli hodhi poshtë akuzat ndaj tij, duke thënë se po sulmohej nga kundërshtarët e tij politikë vetëm për shkak se ua kishte marrë atyre elektoratin. Ai i quajti gënjeshtra akuzat që bëheshin ndaj tij për siç thuhej rolin e tij si ndërmjetësues i Rusisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. "Unë atakohem nga zoti Surroi, edhe pse kam konsideratë për atë njeri, unë atakohem se diku në vitin 1998 ai thotë se unë kam dashur që të forcojë autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë. Kjo është gënjeshtër, ju them është një gënjeshtër", tha zoti Pacolli. Por edhe forcat tjera politike shkëmbyen kritika e akuza të ndërsjella. Opozita kritikoi koalicionin qeverisës se po e keqpërdorte fushatën zgjedhore, siç ishte rasti kur qeveria vendosi të bëjë rritjen e pensioneve nga janari i vitit 2008 dhe kur njoftoi se në Prizren do të ndërtonte një universitet të dytë publik. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, tha se njerëz që më parë kishin votuar për Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tani do të votojnë për partinë e tij. Në një spot politik, ai nxori emrat dhe deklaratat e këtyre individëve, ndërsa pohoi se PDK-ja kishte hapura zyra të veçanta për të anëtarësuar qytetarët që ua kanë kthyer shpinën partive të vjetra. "Nga sot janë hapur zyrat për shkak të fluksit të madh të njerëzve për t'u anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovës, zyrat e LDK-së për PDK-në, zyrat e AAK-së për PDK-në dhe zyrat e partive tjera për PDK-në", u shpreh zoti Thaçi. Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëheq me qeverinë aktuale, iu kundërpërgjigj zoti Thaçi. "Kemi para vetes njerëz që na dalin me oferta që po hapin zyra në autobusa të ndryshëm dhe ne ju themi atyre qëndroni nëpër autobusa sepse ne do të vazhdojmë punën për qytetarët tanë, ne do t'i kryejmë detyrat tona dhe vazhdoni t'i përkrahni këta burra", tha zoti Haradinaj. Megjithëse liderët politikë shfaqën shenja nervozizmi, fushata parazgjedhore sipas vëzhguesve mund të përshkruhet si e qetë dhe korrekte. Ajo u karakterizua ndërkaq nga një marketing i shtrenjtë politik, sidomos nga disa subjekte politike që shpenzuan para të majme në reklama. Disa ditë para fillimit të fushatës zgjedhore në Kosovë, me nismën e presidentit Sejdiu subjektet politike kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën janë zotuar për zhvillimin e një fushate të ndershme dhe demokratike. Udhëheqësit politikë po ashtu kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë në fazën përfundimtare të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe kanë premtuar se do ta pranojnë rezultatin që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale të 17 nëntorit. | LOKALE Kosovë - zgjedhjet 200723 tetor 2007 | Analiza Kosova voton të shtunën14 nëntor 2007 | Rajoni Zgjedhjet pa 'probleme teknike'29 tetor 2007 | Rajoni Fillon fushata zgjedhore në Kosovë25 tetor 2007 | Rajoni Ndërkombëtarët paralajmërojnë Beogradin24 tetor 2007 | Rajoni TË JASHTME BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të
jashtme të internetit | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||