BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 19 tetor 2007 - 07:11 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Qeveria franceze kërkon angazhim aktiv
Ministri i jashtëm francez, Kouchner
Kouchner pritet të takohet me Grupin e Kontaktit
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Francës, Frederic Desagneau (Dezanjo), i ka thënë BBC-së se Franca dhe partnerët e saj nga BE-ja e kanë bërë të ditur se plani i Ahtisaarit do të vazhdojë të jetë në tryezë, nëse nuk do të ketë një marrëveshje deri më 10 Dhjetor.

Zoti Desagneau ka theksuar se për momentin 10 Dhjetori paraqet afatin e fundit të bisedimeve shtesë dhe ka përsëritur thirrjen e qeverisë franceze që palët të angazhohen aktivisht në procesin e bisedimeve me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të negociuar.

Sipas tij, në dhjetor Grupi i Kontaktit do të dorëzojë një raport tek Sekretari i Përgjithshëm I OKB-së dhe më pastaj do të vlerësohen rezultatet e arritura në bisedime.

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner ka takuar të enjten në Paris ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremiq me të cilin thuhet se ka diskutuar mbi çështjen e Kosovën dhe marrëdhëniet mes Serbisë me BE-në.

Zoti Kouchner pritet që në fund të javës të takohet edhe me përfaqësuesit e Grupit të Negociuesve të Kosovës.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zëdhënësin Frederic Desagneau.

BBC: Kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës cili ka qenë qëndrimi i Francës?

Desagneau: E para ju e dini se ministri Bernard Kouchner ka një interesim të fuqishëm për gjendjen në Kosovë, për të ardhmen në Kosovë dhe për bisedimet që po zhvillohen. E dyta, ai ka qenë në kontakt dhe ka biseduar me të gjitha palët që janë të përfshira në procesin e bisedimeve. Në këtë rrafsh ai ka kontakte me anëtarët e Treshes, me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe ai do të pranojë një delegacion të Ekipit të Unitetit këtë të djelë, si dhe gjithashtu ka qenë në kontakt me zotin Jeremic dhe me autoritetet serbe dhe natyrisht ai po konsultohet me homologët e tij nga BE-ja.
Prandaj ju e dini se ne e përkrahim fuqishëm detyrën që i është dhënë Treshes që të angazhohet në dialog dhe në takime me të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia.
E dini gjithashtu se ka një afat të fundit dhe ai është 10 Dhjetori e ne vërtetë i inkurajojmë dhe ju bëjmë thirrje të dyja palëve dhe delegacioneve që të arrijnë një marrëveshje dhe të arrijnë një zgjidhje të negociuar, me qëllim që ne t'i afrohemi kësaj date të 10 Dhjetorit me një zgjidhje.

BBC: Nëse nuk do të ketë një marrëveshje të negociuar, atëherë a po bën përpjekje Franca që të gjejë një zgjidhje menjëherë pas 10 Dhjetorit?

Desagneau: Më lejoni ta bëjë të ditur se kjo nuk është perspektiva që ne po e shqyrtojmë tani. Po zhvillohen bisedime që janë inkurajuar nga Treshja me palët dhe ne vërtetë u bëjmë thirrje atyre që të arrijnë një marrëveshje. Ne nuk duam të parashikojmë dështime, por suksese, sepse kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj si dhe për marrëdhënien në të ardhmen ndërmjet kësaj pjese të Evropës dhe të BE-së.
Prandaj, ne e mbështesim punën e Treshes, ne jemi në kontakte të ngushta me zotin Ischinger që është përfaqësues i BE-së në Treshe, dhe e inkurajojmë atë dhe Treshen që të ketë një propozim dhe një qasje dinamike me delegacionet.
E gjithë kjo me qëllim të arritjes së zgjidhjes. Më 10 Dhjetor do të ketë një raport të Grupit të Kontaktit që do t'i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe pastaj do të mund të vlerësojmë se cilat rezultate janë arritur. Por në këtë fazë, ajo që ne po e shqyrtojmë dhe ajo që po e adresojmë është gjendja me procesin e bisedimeve.

BBC: Pra ju mendoni se 10 Dhjetori do të jetë fundi i bisedimeve meqë e shihni se me bisedime të tjera edhe pas 10 Dhjetorit nuk ka gjasa të arrihet ndonjë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit?

Desagneau: Perspektiva për këtë është 10 Dhjetori dhe ajo që ndërkohë duhet të bëhet është që të përshpejtohen përpjekjet dhe propozimet më imagjinative me qëllim që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje. Ne do të vlerësojmë situatën dhe do të shohim se cilat hapa duhet të ndërmerren atëherë. Por sot për sot, le të punojmë dhe t'u bëjmë thirrje palëve që të punojnë aktivisht që të arrijnë një marrëveshje. Ka ende dy muaj për ta bërë këtë.

BBC: Bazuar në atë që ju po thoni ende ka gjasa që të dyja palët të arrijnë marrëveshje apo jo?

Desagneau: Natyrisht se ne nuk jemi optimistë por ajo që duhet të nënvizojmë është nevoja që të arrijmë një marrëveshje. Nëse kjo nuk është e mundshme ne do të vlerësojmë situatën dhe do të veprojmë në përputhje me të. Por të mos e vazhdojmë procesin e bisedimeve me vlerësimin se mund të përfundojë me dështim. Kjo nuk është perspektiva që ne duam ta konsiderojmë.

BBC: A po e merr Franca një lloj udhëheqje brenda BE-së kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës?

Desagneau: Kjo nuk është mënyra se si do ta paraqisnim situatën. Sikundër e thashë, zoti Bernard Kouchner ka një interes të fuqishëm për situatën. Ai ka kaluar dy vjet në Kosovë dhe është i familjarizuar jo vetëm me situatën por edhe me njerëzit. Ai ka punuar me ta dhe ai në atë kohë ka qenë në Prishtinë. Franca, si një anëtare e BE-së, së bashku me partnerët e saj evropianë, ka një interes të sinqertë për situatën në Ballkan, në veçanti tani në Kosovë dhe për statusin e ardhshëm të saj. Por ne nuk e marrim udhëheqjen, ne e mbështesim përfaqësuesin tonë në Treshe, zotin Ischinger dhe ne i besojmë punës së tij dhe të Treshes dhe e përkrahim fuqishëm atë.

BBC: Në një deklaratë, ministri i jashtëm francez ka thënë se Kosova duhet të arrijë pavarësinë që është e pranuar edhe nga serbët. Mbi çfarë është bazuar deklarata?

Desagneau: Ajo që ne po kërkojmë është një marrëveshje mes palëve dhe ky duhet të jetë rezultati përfundimtar i bisedimeve që po zhvillohen nën përkujdesjen e Treshes, mbi mandatin që u është dhënë. Pra kjo është ajo që ne po kërkojmë dhe për të cilën shpresojmë, siç e thashë, se do të ndodhë.

BBC: Pra ju nuk e mohoni se do të jetë një pavarësi për Kosovën?

Desagneau: Ju e dini se në Nju-Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme dhe të shumë takimeve të ndryshme, u lëshua një deklaratë e ministrave të BE-së, me të cilën përkujtohet se plani i Ahtisaarit do të vazhdojë të jetë në tryezë, nëse nuk do të ketë një marrëveshje deri më 10 Dhjetor dhe nëse sekretari i përgjithshëm i OKB-së do të këshillonte një gjë të tillë.

BBC: Dhe për fund, cila do të jetë porosia që ministri i jashtëm i Francës do t'ua përcjellë udhëheqësve politikë kosovarë kur të takohen nga fundi i javës?

Desagneau: E para mendoj se ai do të jetë shumë i kënaqur ta pranojë këtë delegacion, sikurse që më 4 nëntor do ta pranojë në një takim joformal dhe miqësor delegacionin nga Serbia. Mendoj se ajo që do të nënvizojë ai në takim do të jetë dialogu me të cilin do të arrijmë një zgjidhje, që do të jetë e pranushme për të dyja palët. Është me rëndësi që të përcillet kjo porosi dhe të bisedohet me të gjithë ata që janë përfshirë në proces, pavarësisht nga ajo që është bërë nga Treshja.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Meidani për pavarësinë e Kosovës
16 tetor 2007 | Faqja Kryesore
Takimi i Brukselit pa rezultat
15 tetor 2007 | Rajoni
Trojka diskuton për Kosovën
14 tetor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>