BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 16 tetor 2007 - 14:16 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Meidani për pavarësinë e Kosovës
Rexhep Meidani
Ish-presidenti i republikës së Shqipërisë dhe politikani i njohur shqiptar, Rexhep Meidani, thotë se çdo përpjekje për të vonuar dhe shmangur zgjidhjen e vetme realiste për Kosovën -- pavarësinë -- do të krijonte një vatër paqëndrueshmërie në Ballkan.

Në një intervistë për BBC-në Zoti Meidani gjithashtu thekson se është i bindur se pavarësisht pengesave që do të mund të vijnë nga Rusia, Kosova shumë shpejt do të bëhet e pavarur.

Me Zotin Meidani bisedoi Elira Lamani.

BBC: Zoti Meidani, si mendoni se do të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës?

Zoti Meidani: Unë kam patur një angazhim tërësor për Kosovën në periudhën e kryerjes së detyrës si kryetar i shtetit. Mund të them që në atë periudhë pothuajse një pjesë shumë e madhe mbizotëruese e bisedave, e referimeve në panele ndërkombëtare ka qenë mbi çështjen e Kosovës. Akoma edhe sot po me të njëjtën forcë e diskutoj këtë problem, flas për këtë problem sepse kam bindjen që një zgjidhje është e vetme, që e meriton ky popull mbas rreth një shekulli kolonializimi: ajo është krijimi i shtetit të pavarur, pavarësia mbas fitimit të lirisë. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte jo vetëm e gabuar, por do të ishte krijimi i një vatre paqëndrueshmërie në Ballkan.

Mjafton të kujtojmë modelin që egziston aktualisht në Lindjen e Mesme, vonesat për shpalljen e shtetit të pavarur palestinez dhe konfliktet e vazhdueshme midis Izraelit dhe Palestinës, për të mbledhur mëndjen për t'i dhënë një zgjidhje çështjes kosovare pas këtij shekulli kolonializimi, vuajtjesh, mashtrimesh nga më të ndryshme të politikave shtypse deri në ushtrimin e politikës së pastrimit etnik dhe të genocidit.

BBC: Çfarë ndikimi do të ketë Rusia, kjo kundërshtare e ashpër e pavarësisë së Kosovës në zgjidhjen përfundimtare dhe në periudhën e pas statusit?

Zoti Meidani: Është me të vërtetë problematike kjo situatë në të cilën po ngul këmbë diplomacia ruse. Pak a shumë, një situatë të ngjashme kemi kapërxyer dhe gjatë krizës kosovare të vitit 1999. Ka pasur një situatë më të favorshme në atë periudhë sepse në Rusinë e Jeltcinit, nga ana ekonomike përjetohej një krizë. Rusia kishte nevojë për ndihmat ekonomike perëndimore, disa qindra milionshe euro, kishte nevojë për ndihmën ekonomike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra u kapërxye kjo barrierë ruse më me lehtësi nga diplomacia ndërkombëtare. Aktualisht Rusia është më e fortë dhe do të vazhdojë të fusë shkopinjtë në rota, në sajë të këtyre ndikimeve apo influencave panslavike.

Por, në fund të fundit unë kam bindjen që pavarësisht pengesave, një qëndrim i unifikuar i Bashkimit Europian së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta japin zgjidhjen në përfundim të negociatave, të cilat gjykoj që nuk mund të japin, nuk mund të prodhojnë ndonjë gjë të re deri në 10 dhjetor.

Dhe Rusia do të vazhdojë të krijojë pengesa dhe për shtetin e ri të Kosovës në njohjen ndërkombëtare apo në marrëveshje të ndryshme. Sidoqoftë, besoj se më së fundi dhe klasa politike serbe, pavarësisht mbështetjes ruse, nën trysninë e mëndjeve intelektuale, ato që dinë të lexojnë realitetin e sotëm dhe drejtimin që zhvillohet ky realitet, kjo klasë politike do arrijë të kuptojë që nuk mund ta mbajë Kosovën, që gjëja më e mirë është ta pranojë këtë shtet të ri, të bashkpunoje me të në kuadër të respektimit të parimeve integruese europiane, por edhe të fqinjësisë së mirë. Dhe sa më shpejt ta kuptojë klasa politike serbe, aq më mirë për shoqërinë serbe, aq më mirë për popullin serb, aq më mirë për vetë procesin e demokratizimit të shoqërisë dhe shtetit serb.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>