BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 27 maj 2007 - 13:58 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pavarësia e Kosovës në interes të Evropës
Frank Wisner
Ambasadori Wisner shpreson që rezoluta të kalojë në KS
I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, Frank Wisner, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është në interes të rajonit të Ballkanit, por edhe për Evropën dhe SHBA-në.

Ambasadori Wisner i ka thënë BBC-së se shpreson që Rezoluta e re për Kosovën të jetë e qartë dhe se do të kalojë shpejt në Këshillin e Sigurimit.

Ai ka pohuar se do të ishte në interes të Kosovës dhe tërë rajonit që të ketë një proces, siç e ka quajtuar, të bekuar të OKB-së, që çon drejt një përfundimi për Kosovën.

Zoti Wisner është shprehur skeptik për ndryshimin e qëndrimit serb ndaj Kosovës, por ka theksuar se SHBA-ja do që ta shoh Serbinë të ketë hyrë në familjen perëndimore.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ambasadorin Frank Wisner.

BBC: Çështja kryesore është një Rezolutë e re për Kosovën. Ka patur deklarime të ndryshme deri tani nga diplomatë të ndryshëm botërorë por më së shumti nga ata amerikanë dhe rusë. Ku jemi tani?

Wisner: Pyetje e mirë. Debatet në KS po zhvillohen. SHBA-ja së bashku me Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Belgjikën dhe anëtarët perëndimorë në KS, e kanë qarkulluar nga fundi i javës së kaluar një projekt Rezolutë.

Ka patur diskutime teknike gjatë gjithë javës dhe pres që këto diskutime të intensifikohen. Shpresojmë, si amerikanë, të shohin këtë cështje të ketë ecur përpara me shpejtësi pa ndonjë shtyrje.

Diskutimet teknike janë të rëndësishme, kontekstet politike gjithashtu, por në besojmë se nuk ka asnjë avantazh në zvarritje.

Ne po e shtyjmë këtë sa më shpejtë të jetë e mundur me një mirëkuptim të plotë dhe në marrëveshje me kolegët tanë perëndimorë.

BBC: Ambasador kemi parë këto ditë të fundit refuzim të palës ruse për të pranuar planin Ahtisaari, ashtu sic është. A keni arritur që të bindni rusët të pranojnë projekt Rezolutën e paraqitur nga ju dhe gjithashtu a i keni rusët tani në bordin tuaj?

Wisner: Keni të drejtë kur thoni se rusët kanë vërejtje në projekt Rezolutën e cila është shpërndarë të premten e kaluar. Diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë javës dhe do të ketë bisedime të mëtejme gjatë javës që po hyjmë. Nuk ka një përmbyllje, por ne po punojmë shumë.

BBC: Ambasadori Wisner, pak javë më parë në New York keni thënë se Kosova po ecën drejt një pavarësie të mbikëqyrur, ashtu sic e parasheh edhe plani Ahtisaari. A vazhdojnë SHBA, të mbrojnë këtë qëndrim edhe sot?

Wisner: Absolutisht! SHBA-ja përkrah planin e presidentit Ahtisaari dhe ai plan parasheh një pavarësi për Kosovën.

Ne pajtohemi me këtë përfundim dhe besojmë se duhet të bëhet sa më shpejtë që Rezoluta të mund të miratohet.

 Besojmë se do të ishte në interes të Kosovës dhe natyrisht edhe të tërë rajonit që të ketë një proces të bekuar të KS të OKB-së.
Fran Wisner

Besojmë se do të ishte në interes të Kosovës dhe natyrisht edhe të tërë rajonit që të ketë një proces të bekuar të KS të OKB-së, që con drejt një përfundimi për Kosovën. Dhe ky është objektivi që ne po provojmë ta arrijmë.

BBC: Pra ta themi se objektivi që po provoni ta arrini është pavarësia e Kosovës?

Wisner: Natyrisht kjo është pjesë e pikëpamjes dhe qëndrimit tonë të fuqishëm dhe ai është përfshirë në planin Ahtisaari.

BBC: Por ambasador, ka patur ditëve të fundit një numër deklarimesh se Rezoluta për Kosovën do të jetë një Rezolutë e paqartë por gjithashtu ka patur deklarime se do të ketë edhe cështje të tjera që do të përfshihen në Rezolutë. A do të jetë kjo Rezolutë e qartë?

Wisner: Është objektiv yni që të kemi një Rezolutë të qartë: thelbi i parimeve që duhet të respektohet është që Rezoluta duhet t'i mundësojë procesit të ecën përpara dhe duhet të ofrojë përfundimin që presidenti Ahtisaari e ka arritur dhe kjo është pavarësi, nën mbikëqyrje të një shkalle nga bashkësia ndërkombëtare.

Ne besojmë se të gjitha këto elemente duhet të jenë në Rezolutën përfundimtare.

BBC: Zoti ambasador, Beogradi ka shfaqur një numër pakënaqësish ndaj procesit të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari, por në vecanti ka kundërshtuar planin e tij për Kosovën. Cili është qëndrimi i SHBA-së ndaj Serbisë sot?

Wisner: SHBA-ja ka qenë pjesë e plotë e Rezolutës 1244, dhe sipas pikëpamjes sonë asaj i pushon përgjegjësia për ta zgjidhur cështjen e Kosovës në KS dhe për atë arsye ne jemi aty me Rezolutë tani.

Natyrisht se ka patur vërejtje për procesin 15 muajsh të bisedimeve nga ana e Beogradit dhe unë dyshoj se dallimet nga ana e qeverisë serbe do të ngushtohen dhe unë nuk e besoj se kjo do të ndodh.

Por ne, si amerikanë, besojmë se zgjidhja e problemit të Kosovës duke ofruar qartësi do të jetë mirë jo vetëm për Kosovën e Serbinë por për gjithe rajonin.

Akti përfundimtar, apo perdja e fundit e dramës jugosllave do të lëshohet, njerëzit do ta dinë se ku qëndrojnë dhe do të vazhdojnë me jetën e tyre. Ne si amerikanë, e mirëpresim Serbinë, për ta sjellë atë në kontekstin e plotë transatlantik përfshirë edhe anëtarësimin në NATO.

Evropa duhet të marrë vendimet e saj, por e di se është pozitive gjithashtu. Ne duam të shohim që Serbia të ketë hyrë në familjen perëndimore.

BBC: Por amabasador, nëse Rezoluta për Kosovën nuk do të jetë e qartë apo edhe nuk do të kalojë, a mendoni se do të ketë pasoja për vetë Kosovën dhe rajonin?

Wisner: Ne besojmë se ka dy rrugë përpara: e para, një Rezolutë e Këshillit të Sigurimit që ofron një proces të organizuar, pra një proces që do të sjell pavarësinë e Kosovës. Kjo është në interes të të gjithëve.

Alternativa është dicka më pak e organizuar dhe më shumë kaotike. Askush nuk e do këtë sepse nuk do të jetë në interes të Kosovës dhe as në interes të rajonit.

Hartë e Kosovës
Wisner thotë se pavarësia e Kosovës e mirë edhe për Serbinë

Ne si amerikanë po punojmë shumë që të sigurojmë një Rezolutë që do të ofrojë një consensus ndërkombëtar.

BBC: Pra ju shpresoni se keni mjaft vota në KS për ta kaluar Rezolutën dhe se do ta neutralizoni, ta them kështu, Rusinë kur të votohet?

Wisner: Unë do t'ju lejoj të zgjidhni fjalët tuaja, por përgjigja është se ne kemi një përkrahje të fuqishme në KS për Rezolutën që po e kërkojmë. Por hollësitë përfundimtare duhet të negociohen.

BBC: E besoni se do të mund ta miratoni Rezolutën gjatë kryesimit amerikan të KS apo ajo do të kalojë diku në qershor?

Wisner: Unë nuk mund të parashikoj saktësisht se si do të punojë KS rreth kësaj cështjeje shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Por jam i qartë rreth asaj se cili është qëllimi i SHBA-së. Ne duam që kjo cështje të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur.

BBC: Dhe nuk bëhet fjalë që SHBA-ja të ndërmarrë hapa të njëanshëm nëse cdo gjë nuk shkon mirë në KS?

Wisner: Mendoj se po shkoni në rrugën e hipotezave. Ne do të donim të mendojmë se është e mundshme të sigurojmë një konsensus ndërkombëtarë, në formën e një Rezolute të KS.

Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe duam që kjo të bëhet me një bekim të gjërë ndërkombëtar, sepse kjo do të ishte e mirë për Kosovën dhe për rajonin e gjithashtu për Serbinë.

BBC: Dhe kjo që po thoni ju është se pavarësia e Kosovës është e vetmja mënyrë për të stabilizuar rajonin...

Wisner: Mendoj se qartësia për Kosovën, dhe kjo është pavarësia e saj, që përputhet me përshkrimin e propozimit të Ahtisaarit, është në interesin më të mirë për të gjithë në rajon, por edhe për Evropën dhe për SHBA-në.

LOKALE
Britania këshillon durim për rezolutën
23 maj 2007 | Faqja Kryesore
"Kosova me gjasë pavarësie në verë"
22 maj 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>