|
Britania këshillon durim për rezolutën | |||||||||||||||||||||||
Një zyrtar i lartë britanik tha në Prishtinë se nuk ekziston një afat i caktuar kohor për miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës. Drejtori politik në ministrinë e Jashtme britanike, Mark Lyall Grant, ndodhet për një vizitë në Prishtinë në kuadrin e një turneu në rajon, që përfshiu edhe një ndalesë në Beograd. Zoti Grant tha se më e rëndësishme është që të ketë një zgjidhje të drejtë të statusit të Kosovës, se sa një zgjidhje të shpejtë. "Mendoj se është e rëndësishme të kemi durim, sepse më e rëndësishme është që nga këto negociata të dalë një zgjidhje e drejtë, se sa e shpejtë," tha zoti Grant. "Ne shpresojmë se rezoluta do të sjellë qartësi për statusin e ardhshëm të Kosovës," tha diplomati britanik, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pas vizitës në Beograd zoti Grant tha se beson që rezoluta do të miratohet brenda javësh dhe se ajo do të qartësojë statusin e Kosovës. Ai tha se projekt-rezoluta e mbështetur nga britanikët dhe amerikanët nuk e përmend fjalën "pavarësi", por mundëson që të krijohet kuadri në bazë të të cilit Kosova mund të kërkojë pavarësi dhe ta njohin vendet tjera në botë. Zyrtari britanik tha se beson që mospajtimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ardhmën e Kosovës do të tejkalohen. Rusia e ka kundërshtuar këtë plan, duke kërkuar gjetjen e një zgjidhje që do të ishte e pranueshme edhe për Beogradin. Ndërkohë disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, si Afrika e Jugut dhe Indonezia kanë shprehur rezerva për projekt-rezolutën, por nuk janë deklaruar ende për apo kundër saj. "Ne nuk po shikojmë alternativa tjera për momentin, ne dëshirojmë që rezoluta të miratohet," tha zoti Grant. "Nuk dëshiroj të them tani çfarë ndryshimesh do të bëhen në projektrezolutën që po diskutohet tani." "Po zhvillohet procesi negociator, i cili është dinamik dhe ne jemi të interesuar të kemi një zgjidhje që mbështetet nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit," tha zoti Grant. Projekt-rezoluta, që po qarkullon ndër anëtarët e Këshillit të Sigurimit, heq të gjitha pengesat për pavarësinë e Kosovës, shfuqizon rezolutën 1244 të OKB-së me të cilën administrohet Kosova prej vitit 1999, dhe lejon vendosjen e misionit të ri të BE-së. Prishtina në pritje Prishtina zyrtare beson se statusi i Kosovës do të zgjidhet shumë shpejt dhe sipas kryeministrit Agim Çeku, tashmë është gati skenari që do të pasojë miratimin e rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Gjatë një debati me qytetarë të Prishtinës, zoti Çeku tha se Kuvendi i Kosovës do të shpallë pavarësinë disa minuta pasi Këshilli i Sigurimit të miratojë rezolutën e re në Nju Jork. Përfaqësuesit e pakicës serbe shpresojnë se plani i kryendërmjetësit Martti Ahtisari do të modifikohet me rezolutën e re. Udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovë e Metohi, Oliver Ivanoviq, ka shfaqur shpresën e tij se rezoluta për të ardhmën e Kosovës do të jetë më e matur. "Siç qëndron tani situata, shumë anëtarë të Këshillit të Sigurimit, në veçanti Rusia, kërcënojnë me të drejtën e vetos, që në këtë moment është një garanci se rezoluta do të jetë shumë më e matur dhe në pajtueshmëri me të dyja palët," tha zoti Ivanoviq, pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Joackim Reucker me të cilin bisedoi për statusin e Kosovës. Politikani serb tha se serbët janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre. "Serbët janë shumë të shqetësuar dhe mendoj se ky shqetësim do të vazhdojë derisa të zgjidhet çështja e statusit," tha zoti Ivanoviq. "Shpresoj se zgjidhja do të jetë e tillë që do t'u mundësojë serbëve të mbesin në Kosovë," tha ai dhe kritikoi udhëheqësit shqiptarë në Kosovë për siç tha "përcaktimin e afatave artificiale për zgjidhjen e statusit". Zoti Ivanoviq tha se është keq që bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës nuk kanë një plan alternativ në qoftë se nuk kalon rezoluta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai përsëriti se Serbia dhe serbët e këtushëm nuk do të pajtohet kurrë me pavarësinë e Kosovës. BE-ja gati Shefi i ekipit planifikues të Bashkimit Evropian në Kosovë, Casper Klynge, tha se BE-ja është gati të marrë përgjegjësi të reja menjëherë pas miratimit të rezolutës së OKB-së. Ai tha se BE-ja dëshiron miratimin e shpejtë të rezolutës për Kosovën. Rezoluta do t'i japë fund mandatit të UNMIK-ut dhe do të vendosë mandatin i pranisë civile ndërkombëtare nën udhëheqjen e BE-së. "Ne jemi gati, edhe nëse rezoluta miratohet nesër, Bashkimi Evropian do të jetë i gatshëm që në 120 ditët e ardhshme të marrë përgjegjësitë e reja," tha zoti Klynge. Sipas tij, ai pritet të jetë misioni më i madh i BE-së deri më sot jashtë vendet anëtare me rreth 1800 persona, prej të cilëve shumica do të jenë policë, rreth 1400, ndërsa të tjerët gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të doganave, që do të ndihmojnë autoritetet vendore. | LOKALE Lavrov nënvizon mosmarrëveshjet për Kosovën19 maj 2007 | Faqja Kryesore Ministri i jashtëm me besim te KS17 maj 2007 | Faqja Kryesore Ende jo marrëveshje për Kosovën16 maj 2007 | Faqja Kryesore "Rezoluta mbi Kosovën sa më shpejt"10 maj 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||