|
Ministri i jashtëm me besim te KS | |||||||||||||||||||||||
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha i ka thënë BBC-së se qeveria e tij beson që në javët e ardhshme Këshilli i Sigurimit do të gjejë konsensusin për ta kaluar planin Ahtisaari që do t'i hapë rrugë pavarësimit të Kosovës. Zoti Basha ka thënë, në fillim të vizitës së tij të parë në Kosovë, në cilësinë e ministrit të jashtëm shqiptar, se Shqipëria së bashku me partnerët amerikanë dhe ata evropianë është e gatshme të ndërmarrë gjithë dinamikën e nevojshme për të ruajtur stabilitetin në Ballkan. Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ministrin e jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, dhe fillimisht e pyeti se me ndryshimin në ministrinë e jashtme shqiptare, a ka ndryshuar kursi politik ndaj Kosovës? Basha: Shqipëria vazhdon të mbështesë fuqimisht përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për përfundimin sa më shpejt të procesit të pavarësimit të Kosovës. Në këtë kuadër mbështetet plani Ahtisaari dhe shpresojmë se Këshilli i Sigurimit në javët që vijnë, do të gjejë konsensusin për ta kaluar këtë plan dhe për t'i hapur rrugë procesit të pavarësimit. BBC: Zoti ministër para se të vinit në Kosovë, keni qenë edhe në SHBA dhe jeni takuar edhe me sekretaren amerikane të shtetit Rice. Cilat kanë qenë angazhimet amerikane për Kosovën? Basha: Angazhimi amerikan është botërisht i njohur, qoftë përmes deklaratës së fundit të sekretes Rice në Moskë, qoftë përmes deklaratës së nënsekretarit Burns në Zagreb, SHBA-ja mbështet pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin planin Ahtisaari si rruga më e mirë për të arritur aty. BBC: Ju do të takoni gjatë vizitës një pjesë të udhëheqjes politike në Kosovë. Cili do të jetë mesazhi i politikës shqiptare për udhëheqjen kosovare? Basha: Mendoj se në këtë moment vendimtar për përfundimin e procesit të pavarësimit të Kosovës, klasa politike shqiptare në Ballkan e në veçanti autoritetet kosovare do të vazhdojnë të tregojnë pjekurinë, moderacionin dhe unitetin që kanë demonstruar gjatë këtyre viteve dhe në këtë mënyrë të shkojmë drejt një përfundimi të procesit të pavarësimit të Kosovës me sa më shumë qetësi dhe me sa shumë predispozita për të filluar procesin e gjatë të anëtarësimit të Kosovës në strukturat evro-atlantike dhe të bërjes së shtetit të Kosovës një partneri të denjë për të gjithë fqinjët në Ballkan dhe për Evropën. BBC: E besoni se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe më e mira në këtë fazë? Basha: Shqipëria mbështet fuqimisht pavarësimin e Kosovës dhe sigurisht se jemi të bindur se ky proces është tashmë drejt finalizimit dhe ky finalizim do të vijë së shpejti. BBC: Zoti ministër, por në KS të OKB-së ka ende hezitime dhe kundërshtime ndaj planit Ahtisaari. A mund të ndodhë që të mos kalojë Rezoluta e KS për Kosovën, për shkak të kundërshtimeve ruse? Basha: Ne shprehim shpresën tonë se KS do ta votojë planin e presidentit Ahtisaari si alternativa më e mirë sa i përket procesit të pavarësimit të Kosovës. Pra preferojmë, në mbështetje të axhendës së komunitetit ndërkombëtar, që ky proces të ecë nëpërmjet KS të OKB-së. Në çdo rast, ky proces ka nisur, ka nisur prej kohësh dhe tashmë është afër përfundimit. Ashtu siç është bërë e qartë edhe nga qëndrimet diplomatike të administratës amerikane dhe të BE-së, fundi i këtij procesi është i sigurt dhe i shpejtë. BBC: Do të jetë vendi juaj zoti ministër, i angazhuar në bindjen, ta themi të vendeve të rezervuara ndaj planit Ahtisaari, që ta pranojnë atë? Basha: Diplomacia shqiptare ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë e angazhuar në çdo moment për të arritur qëllimin final dhe për ta bërë këtë në një kohë sa më të shkurtër. Kjo ka të bëjë me takimet që kemi me aleatët tanë, por edhe me vendet me të cilat Shqipëria vazhdon të shpreh ndjeshmëritë e saj si një shtet fqinj i Kosovës dhe si një shtet që pavarësinë e Kosovës dhe subjektivitetin shtetëror të saj e shikon si vendimtar për paqen dhe sigurinë në Ballkan. BBC: Nëse thoni në një afat sa më të shkurtër, atëherë kur mendon politika shqiptare që do të jetë ky afat? Basha: Ne presim që së shpejti Rezoluta të paraqitet në KS. Ne shpresojmë se KS, duke respektuar plotësisht mandatin që i jep Karta e Kombeve të Bahskuara do të veprojë në përputhje me këtë mandat. Por në çdo rast së bashku me aleatët tanë, SHBA-në dhe BE-në, jemi gati të veprojmë dhe të ndërmarrim gjithë dinamikën e nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Ballkan. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||