|
"Rezoluta mbi Kosovën sa më shpejt" | |||||||||||||||||||||||
Ekipi i Unitetit i Kosovës ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që të miratojë një Rezolutë të re për Kosovën e cila do të qartësonte statusin e saj. Ekipi i Unitetit ka thënë se çdo paqartësi dhe dykuptimësi e Rezolutës për Kosovën çon drejt zgjidhjeve të paqëndrueshme. Qëndrimi i Ekipit të Unitetit pason deklarimet për mundësinë e kalimit të një projekt Rezolute në KS deri nga fundi i muajit maj, kur KS e kryeson ambasadori amerikan. Ekipi i Unitetit, ka thënë zëdhënësi i tij, Skënder Hyseni, pret që Rezoluta të nxirret shumë shpejt, që do t'i mundësonte Kosovës të ecte më tutje. Ndërkohë zyrtarët ndërkombëtarë kanë thënë se SHBA dhe BE-ja kanë nisur hartimin e një Rezolute të re për Kosovën bazuar mbi planin e të dërguarit të posaçëm, Martti Ahtisaari, për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Ata thonë se elemente të Rezolutës janë hartuar dhe pritet që ky dokument të jetë gati brenda disa javësh. Sipas njoftimeve, Rezoluta do të përcaktojë statusin e Kosovës dhe ajo do ta trajtojë Kosovën si një rast të veçantë, pohim ky që është kundërshtuar nga Rusia. Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi rus ndaj Rezolutës së re për Kosovën, por ambasadori Vitaly Churkin ka lënë të kuptohet deri tani se nuk do të votojë pro saj. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||