|
BE ndihmon për pajtushmëri për rezolutën | |||||||||||||||||||||||
Bashkimi Evropian do një rezultat të qartë në procesin aktual të përcaktimit të statusit të Kosovës dhe po angazhohet që të arrihet një pajtueshmëri rreth një Rezolute të re për Kosovën. Kështu i ka thënë BBC-së zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christina Gallak. Ajo ka deklaruar se rruga më e mirë për të planifkuar stabilizimin dhe për të përkrahur kosovarët në këtë drejtim është miratimi i një Rezolute për Kosovën në KS. Zonja Gallak ka theksuar se BE-ja e përkrah në tërësi planin e presidentit Ahtisaari dhe ka pohuar se po vazhdojnë bisedimet me palën ruse për të arritur një konsensus rreth tekstit të Rezolutës së re për Kosovën. Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zonjën Gallak dhe fillimisht e pyeti nëse BE-ja vazhdon të qëndrojë fuqishëm në deklarimet e saj se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet shpejt? Gallak: BE-ja do të përcjellë nga afër procesin që po zhvillohet në KS të OKB-së. Ne plotësisht e përkrahim planin e paraqitur nga presidenti Ahtisaari. Pesë anëtarë të BE-së janë pjesë e Këshillit të Sigurimit dhe prandaj definitivisht BE-ja është plotësisht e përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës. Por vendimi përfundimtar për këto bisedime duhet të merret në OKB. Ne si vende anëtare të BE-së jemi plotësisht të përfshira në proces dhe në veçanti po përgatitemi për vendosjen e ekspertëve të BE-së, kur statusi të jetë definuar dhe të jetë pajtuar. BBC: Zonja Gallak ju thoni se BE-ja është e përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës. Por a është BE-ja, që ka sponzorizuar Rezolutën për Kosovën në KS, e njëzëshme? Gallak: Pa dyshim se po. Bisedimet për projekt-rezolutën sapo kanë filluar dhe teksti do të përcillet, sipas disa burimeve, në KS shumë shpejt. Por për këtë udhëheqjen e ka KS. Po ju jap një shembull; në muajin qershor Këshilli i Sigurimit do të kryesohet nga Belgjika dhe në të njëjtën kohë, Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Sllovakia janë gjithashtu anëtarë të BE-së dhe që gjithashtu janë pjesë e KS. Por, BE-ja si tërësi është në rolin udhëheqës, sepse ne kemi kontakte të vazhdueshme në nivelin diplomatik, pra të përfaqësuesve evropianë me anëtarët e tjerë të KS. Pra ka një përfshirje të plotë në këtë proces. BBC: Por a jeni duke punuar tani me përfaqësuesit rusë për të arritur një Rezolutë të përbashkët dhe sa jeni të përfshirë në këtë fazë në bindjen e palës ruse për të pranuar planin Ahtisaari? Gallak: Duhet ta kujtoni se ne kemi patur takime me rusët në nivelin më të lartë filluar nga Putini e deri te niveli më i ulët, pra ai diplomatik, dhe kemi ngritur një numër cështjesh që duhet të diskutojmë më rusët. Disa janë bilaterale dhe të tjerat janë ato që prekin fqinjësinë tonë dhe natyrisht se Kosova është një nga ato. Dhe meqë Kosova është një nga çështjet fundamentale, që për momentin e kemi në tavolinë dhe duhet ta zgjidhim me partnerët tanë, definitivisht e kemi diskutuar atë. Dhe sikundër e thash më herët, para një vendimi zyrtar që duhet të ndodh në Nju Jork, BE-ja është e përfshirë plotësisht edhe në bisedimet diplomatike. BBC: Ju nuk jeni pajtuar me palën ruse deri tash? Gallak: Teksti i projekt-rezolutës tani po qarkullon në KS, kurse bisedimet zyrtare rreth tekstit të plotë do të fillojnë më vonë. Por kontaktet politike dhe shkëmbimet diplomatike janë zhvilluar për një kohë të gjatë. Prandaj ne po vazhdojmë me këto shkëmbime dhe rusët deri tash kanë qenë të qartë në përgjigjen që i kanë dhënë planit të paraqitur nga presidenti Ahtisaari, por në të njëjtën kohë kanë qenë të qartë edhe në qëndrimin se duan të vazhdojnë të jenë të angazhuar. BBC: Por çka nëse Rezoluta për Kosovën nuk kalon. A shënon kjo fillimin e një epoke të re të konfliktit mes perëndimit dhe lindjes? Gallak: Sinqerisht të them se kjo nuk është mënyra se si do të duhej të portretizohej marrëdhënia ndërkombëtare kundruall Kosovës. Konflikti mes perëndimit dhe lindjes më tingëllon sikur vjen nga një kohë tjetër, nga një epokë tjetër dhe madje një tjetër shekull. Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, anëtarëve të BE-së, me qëllim që të arrihet një marrëveshje në KS do të vazhdojnë sikur edhe përcaktimi për ta arritur këtë sa më shpejtë të jetë e mundur. Prandaj këto përpjekje do të vazhdojnë. BBC: Zonja Gallak ju thatë se po bëhen përgatitjet e BE-së për të marrë përsipër misionin në Kosovë. Pritet që OKB-ja të tërhiqet nga Kosova dhe pastaj BE-ja do të jetë përgjegjëse në Kosovë për disa vite. Gallak: Më lejoni që të sqaroj diçka. BE-ja nuk do të jetë përgjegjëse për Kosovën, por vetë kosovarët do të jenë përgjegjës për të. Kurse BE-ja do t'i jap krah autoriteteve kosovare dhe do t'i përkrah ato me qëllim të zbatimit të vendimit për statusin të definuar në Rezolutën e KS. Kjo është me rëndësi të madhe për ta thënë sepse kjo mund të krijojë një përshtypje të gabuar për planet që ka BE-ja për të ardhmen e Kosovës. BBC: Pra cilat janë ato plane të BE-së për të ardhmen e Kosovës? Gallak: Ne do të ndihmojmë në zbatimin e Rezolutës së KS që do të vendos për statusin. Një nga propozimet e rëndësishme që plani i Ahtisaarit përmban është që BE-ja të marr përgjegjësitë në ndihmën e autoriteteve lokale në zhvillimin e strukturës së rendit dhe ligjit, që janë strukturat e sigurisë, të policisë dhe të sistemit juridik që të ngriten në nivelin e standardeve që e kanë vendet perëndimore. Me këto objektiva ne planifikojmë vendosjen e afro 1.500 ekspertëve të policisë, prokurorë, gjykatës dhe që objektiv kryesor do të kenë punën me autoritetet lokale në ndihmë të ndërtimit të një sektori të shëndetshëm të rendit dhe të ligjit. BBC: Por si mendoni ju të punoni në një pjesë të Kosovës, ku do të ketë shumicë serbe, nëse psh. autoritetet e Beogradit nuk e pranojnë vendimin që Kosova të bëhet e pavarur? Gallak: Sikundër e dini BE-ja nuk ka plan që të vendos në Kosovë, llojet e strukturave që përmenda, nëse nuk ka një Rezolutë të re të KS. Nëse nuk ka një Rezolutë të re të KS, struktura aktuale që është përgjegjëse për Kosovën, do të mbetet UNMIK-u dhe të gjitha organet e tjera të OKB-së që janë të bashkuara me UNMIK-un dhe në veçanti njësia e policisë. Prandaj BE-ja do të ndihmojë në zbatimin e Rezolutës së re. Me këto objektiva ne duam Rezolutë të re dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Por pa të, ajo që po them, roli i BE-së në fushën e rendit dhe të ligjit nuk mund të ndodh. BBC: Por nëse nuk miratohet Rezoluta, atëherë a frikësoheni se në Kosovë do të rikthehet dhuna? Gallak: Nuk e besoj. Jam e sigurt se askush, filluar nga vetë kosovarët, s'ka interes të shoh më shumë probleme. Në të kundërtën, kosovarët, evropianët, bashkësia ndërkombëtare duan definitivisht duan që Kosova të ecë drejt stabilizimit. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam një rezultat të qartë në procesin aktual. Prandaj ne mendojmë se rruga më e mirë për të planifkuar stabilizimin dhe për të përkrahur kosovarët në këtë drejtim është që të kemi një Rezolutë. Dhe ne po punojmë për këtë. BBC: Dhe, me këtë që thatë deri tash a po i hapni dyert Ballkanit që të bëhet pjesë e pandashme e BE-së në një të ardhme ta quaj të afërt? Gallak: Dyert janë të hapura. Ato u hapën fillimisht në samitin e Zagrebit në vitin 2000, por përfundimisht ato u hapën kur të gjithë udhëheqësit evropianë në Selanik të Greqisë, thanë qartë se Ballkani i takon Evropës. Nuk ishte çështje nëse i takon apo jo, por ishte çështja e kohës. Tani afati i takon gatishmërisë së vendeve Ballkanike dhe BE-së. Kjo është arsyeja pse ne insistojmë aq shumë në reforma, qëndrueshmëri dhe përparim e në veçanti në sistemin e fuqishëm të rendit dhe ligjit dhe në atë demokratik. Kjo mundëson një stabilizim dhe një progres drejt afrimit me institucionet evropiane. | LOKALE Evropa të përballet me Rusinë për Kosovën25 maj 2007 | Faqja Kryesore Diskutohen çështje të tjera jashtë rezolutës 24 maj 2007 | Faqja Kryesore Britania këshillon durim për rezolutën23 maj 2007 | Faqja Kryesore "Kosova me gjasë pavarësie në verë"22 maj 2007 | Faqja Kryesore Lavrov nënvizon mosmarrëveshjet për Kosovën19 maj 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||