BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 24 maj 2007 - 07:15 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Diskutohen çështje të tjera jashtë rezolutës
Londër
Drejtori politik në Ministrinë e jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Lyall Grant, ka deklaruar se ka çështje të tjera jashtë propozimit të Ahtisaarit që po diskutohen në New York dhe që mund të përfshihen në Rezolutën e re për Kosovën.

Ai i ka thënë BBC-së se rezoluta e re për Kosovën do të qartësojë statusin e Kosovës dhe ka shtuar se po kërkohet një konsensus rreth saj.

Zoti Grant që ka marrë së voni detyrën e drejtorit politik, ka thënë se ajo ç'ka ka rëndësi është që Rezoluta të jetë e qartë dhe e drejtë dhe jo afati kohor kur duhet të miratohet.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Grant.

BBC: Të gjitha tani janë përqëndruar në Rezolutën e re për Kosovën. Ka patur ditëve të fundit deklarime se ajo mund të mos e qartësojë deri në fund statusin e Kosovës. A mund ta ndihmojë Rezoluta e paqartë, ta quaj, ecjen përpara të Kosovës?

Grant: Kjo nuk është e vërtetë. Projekt-rezoluta është diskutuar në New York dhe ajo në mënyrë të qartë i miraton propozimet e Ahtisaarit, që vendos platformën për një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës. Pra, nuk ka paqartësi në Rezolutë.

BBC: Ka zëra ditëve të fundit në diplomacinë perëndimore që thonë se plani i Ahtisaarit mund të ndryshojë. Ndani ju këtë mendim?

Grant: Është e qartë se po zhvillohen negociata në New York. Ajo që ne po kërkojmë është një Rezolutë që do të fitojë një konsensus në Këshillin e Sigurimit. Për ne është me rëndësi që, kur Rezoluta të miratohet, të jetë e qartë rreth çëhtjes së statusit dhe që ajo të miratojë propozimet e Ahtisaarit. Janë çështje të tjera që nuk janë përfshirë në propozimet e Ahtisaarit, por që gjithashtu mund të futen në Rezolutë. Por kjo pa dyshim se do të jetë pjesë e negociatave.

BBC: Dhe çka janë ato çështje të tjera që janë pjesë e diskutimeve?

Grant: Unë nuk dua të hyj në këtë çështje, në këtë fazë. Këto janë negociata konfidenciale. Ajo që po them është se ne po provojmë që të hartojmë një Rezolutë që do të jetë e pranueshme për Këshillin e Sigurimit dhe ne besojmë se kjo do të mund të ndodhë dhe që do të jetë e qartë për statusin e ardhshëm të Kosovës.

BBC: Nëse po e kërkoni konsensusin në KS, atëherë a është Rusia pjesë e tij?

Grant: Është e nevojshme që ata të jenë pjesë e këtij konsensusi për Rezolutën, nëse ajo duhet të miratohet. Është e qartë se nëse ata vënë veto në Rezolutë atëherë s'do të ketë Rezolutë. Prandaj ata duhet të përfshihen në këto negociata.

BBC: Por nëse nuk ka Rezolutë dhe nëse rusët vënë veto në të, atëherë kjo do të thotë se udhëheqësit kosovarë kanë të drejtë ta shpallin pavarësinë e tyre?

Grant: Unë nuk dua që të spekulojë rreth këtij skenari. Ne jemi të përkushtuar që ta sigurojmë Rezolutën, ajo është tani në tavolinë. Bisedimet kanë filluar në New York dhe kjo mund të marrë kohë. Ne do të lejojmë që kjo kohë të shfrytëzohet. Është më me rëndësi që të kemi një rezultat të drejtë se sa të bëjmë presion për përshpejtim. Është prandaj e qartë se një Rezolutë në të cilën vihet veto nga Rusia nuk është rezultat i drejtë, sepse kjo do të thotë se nuk ka Rezolutë.

BBC: E besoni se keni shpenzuar shumë kohë për ta miratuar një Rezolutë për Kosovën?

Grant: Jo, absolutisht jo. Propozimi i Ahtisaarit u bë i qartë më herët gjatë këtij viti, kishte konsultime rreth tij dhe pastaj versioni përfundimtar iu dorëzua OKB-së. Tani po vazhdojnë diskutimet në KS. Teksti ka qarkulluar dhe është diskutuar. Ky është një përparim i madh.

BBC: Kur presim që Rezoluta të dal në KS për t'u votuar?

Grant: Nuk mund ta parashikoj se kur do të ndodh kjo. Ne po kërkojmë Rezolutën sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresojmë se kjo do të ndodh brenda pak javësh , megjithëse mund të marr pak më shumë kohë. Jetike është që të kemi një rezultat të drejt.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>