BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 22 maj 2007 - 07:54 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
"Kosova me gjasë pavarësie në verë"
Albert Rohan
Rohan vlerëson hapat e mëtejshëm për pavarësi
Zëvendës i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka kërkuar nga anëtarët e KS të OKB-së që të mos e parandalojnë të vetmen zgjidhje që është e mundshme për të kaluar, sepse sipas tij propozimi Ahtisaari nuk ka alternativë tjetër.

Zoti Rohan, në një intervistë me BBC-në ka thënë se propozimet e zotit Ahtisaari janë të vetmet që janë praktike dhe që kanë shpresë për t'u zbatuar, dhe ka deklaruar se shtyrjet dhe bisedimet nuk mund të sjellin asnjë rezultat nën këto rrethana dhe ato nuk kanë asnjë kuptim.

Albert Rohan ka thënë se një projekt-Rezolutë për Kosovën, e hartuar nga BE-ja dhe SHBA-ja i është dorëzuar anëtarëve të KS dhe pret që këta të fundit të marrin një vendim të drejt së shpejti. Sipas tij pavarësia e Kosovës ka gjasë të bëhet nga fillimi i verës së këtij viti.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Rohan dhe fillimisht e pyeti se ka shumë deklarime për Kosovën në këto kohët e fundit. A besoni se ato mund të përkthehen në, ta quaj, veprime më të fuqishme në ditët e ardhshme?

Rohan: Siç e dini kjo cështje është tashti para KS. Atij ia kemi përcjellë propozimin tonë dhe tani disa elemente të para të një projekt Rezolute kanë qarkulluar në vende të ndryshme. Një javë më parë një tekst i një Rezolute të konsoliduar i është dhënë anëtarëve të tjerë nga vendet anëtare të BE dhë të SHBA-së. Tani bisedat joformale rreth këtij teksti po zhvillohen. Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo, por është normale që puna rreth një Rezolute të marrë kohë dhe ne vetëm mund të shpresojmë se vendet anëtare të KS do të pajtohen rreth tij.

BBC: Me një rast keni deklaruar se cështja e Kosovës do të zgjidhet gjatë verës së këtij viti. I mbeteni besnik këtij pohimi?

Rohan: Është ende pikëpamje imja se do të ishte e arsyeshme që të zgjidhet kjo cështje deri në verë dhe shpresoj se kjo do të ndodh. Kjo për arsyen e thjeshtë se shtyrja e mëtejme e vendimit nuk mund të sjellë asnjë avantazh dhe as që do të ndryshojë qëndrimet e palëve. Gjithashtu pjesët teknike të propozimit tonë nuk mund të ndryshohen sepse janë disktuar mes palëve gjatë. Prandaj ne nuk shohim asnjë avantazh duke pritur.

BBC: Por zoti Rohan ka patur ditëve të fundit deklarime se bisedimet duhet të vazhdojnë për të arritur marrëveshje. Rusia insiston në këtë. A mundet çfarëdo dialogu të prodhojë rezultat?

Rohan: Përderisa të dyja palët janë këmbëngulëse në qëndrimet e tyre, posaçërisht kur bëhet fjalë për qëndrimin fundamental rreth statusit, dhe nuk janë të gatshme të ndryshojnë këtë qëndrim, dhe kështë duket të jetë në këtë rast, sepse as Kosova nuk është e gatshme të heq dorë nga pavarësia dhe as që Serbia nuk do të heq dorë nga aspirata e saj për sovranitet mbi Kosovën, prandaj nuk mund të ketë marrëveshje dhe as që bisedimet kanë kuptim. Ato nuk çojnë askund.

BBC: Pra, do të shohim një verë të nxehtë, ta quaj, nëse Rezoluta nuk kalon?

Rohan: Unë shpresoj se do të kalojë para verës sepse është e qartë se KS duhet të marr një vendim. Ai nuk mund ta lë të hapur një problem të tillë të madh pa marrë një qëndrim ose cfarëdo vendimi.

BBC: Por zoti Rohan, Rusia është kundër propozimit tuaj për Kosovën. Në fakt ajo është kundër fjalës pavarësi të mbikqyrur. Çfarë do t'i thonit ju atyre për ta pranuar planin tuaj?

Rohan: Ne nuk kemi parë ndonjë alternativë praktike nga asnjë palë. Propozimet e zotit Ahtisaari janë të vetmet që janë praktike dhe që kanë shpresë për t'u zbatuar. Kjo është pika e parë dhe s'ka alternativë. Së dyti, shtyrjet dhe bisedimet nuk mund të sjellin asnjë rezultat nën këto rrethana dhe ato nuk kanë asnjë kuptim. Unë do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e KS-së që të mos e parandalojnë të vetmen zgjidhje që është e mundshme për të kaluar. Unë shpresoj shumë se të gjithë anëtarët e KS, përfshirë të gjithë anëtarët e përhershëm, do ta kuptojnë se duhet t'i japin rastin këtij propozimi të Ahtisaarit sepse s'ka alternativë tjetër.

BBC: Por çfarë nëse KëshilliiI Sigurimit nuk voton për këtë pavarësi të mbikqyrur? A do të shohim përshkallëzime të reja në Ballkan?

Rohan: Unë nuk dua të spekuloj për diçka që unë shpresoj se nuk do të ndodhë. Por nëse nuk zgjidhet problemi i Kosovës, kjo nuk do ta ndihmojë stabilitetin e Kosovës dhe rajonit dhe kjo mendoj se është e njohur për të gjithë.

BBC: Nëse ju thoni se zgjidhja që keni ofruar është më praktikja atëherë si do të mund të zbatohet ajo në praktikë nëse serbët nuk e pranojnë?

Rohan: Ky është një problem dhe unë mund t'ju them serbëve këtë: Nëse Kosova bëhet e pavarur, propozimet tona i ofrojnë komunitetit serb mundësi shumë të gjëra dhe të drejta që përfshijnë shumë gjëra. Nëse ata duan të mbesin në Kosovë, dhe ne shpresojmë se do ta bëjnë këtë, meqë I gjithë qëllimi është që komuniteti serb të mbijetojë në Kosovë dhe që ata që janë aty të mbesin e ata që kanë ikur të kthehen, pra nëse duan ta bëjnë këtë dhe kjo është zgjedhje e tyre e lirë, atëherë ata duhet të shfrytëzojnë mundësinë që propozimet tona u ofrojnë. Është e qartë se është e nevojshme përfshirja e komunitetit serb. Nëse ata nuk marrin pjesë, nuk angazhohen së bashku me autoritetet, nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe nuk regjistrohen, atëherë të gjitha ato përshkrime në favor të komunitetit të tyre nuk mund të jetësohen. Unë do t'ju kërkoja atyre që ta lexojnë sërish atë që ne kemi propozuar për të parë avantazhet që kemi propozuar dhe nëse KS vendos që të miratojnë propozimet tona atëherë ata duhet t'i mundësojnë vetes ato që u jepen.

BBC: Dhe ju vazhdoni të besoni se KS do t'i miratojë propozimet tuaja ashtu siç janë?

Rohan: Ne shpresojmë.

BBC: Por e besoni ju se do të ketë probleme nëse KS nuk e qartëson statusin e Kosovës?

Rohan: Ne shpresojmë se do të jetë mjaft e qartë sa që të gjithë ta dinë se si ka vendosur KS. Por natyrisht sa më të buta të jenë formulimet atëherë më e vështirë do të jetë. Por ky është Këshilli i Sigurimit dhe ata duhet të bazohen në njohuritë e tyre dhe në punën e tyre.

BBC: A mundet Rezoluta e re për Kosovën të jetë një kompromis mes vendeve të perëndimit dhe Rusisë?

Rohan: Kjo varet nga amandametet që Rusia dhe anëtarët e tjerë të KS të propozojnë dhe nëse ato janë të pranueshme për sponsorizuesit e Rezolutës. Nëse janë, atëherë, PO është një kompromis.

BBC: Më lejoni t'ju pyes cilat pjesë të planit Ahtisaari nuk mund të ndryshohen?

Rohan: Mendoj se të gjitha propozimet që kanë të bëjnë me decentralizimin, me trashëgiminë kulturore dhe ato të të drejtave të komuniteteve nuk mund të ndryshohen. Ata janë të bazuara në një vit e gjysmë negociatash. Ato reflektojnë qëndrimet e njërës dhe të palës tjetër, ato janë punuar së bashku me ekspertët më të mirë të një numri organizatash ndërkombëtare, sic janë Këshilli i Evropës, UNESCO, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OSBE, NATO dhe të tjera, pra të gjithë kanë marrë pjesë në këtë punë dhe ai është një propozim shumë i balancuar dhe unë mendoj se nuk mund të bëhet asnjë ndryshim.

BBC: Dhe më lejoni t'ju pyes: kur e besoni se Kosova do të jetë e pavarur. Më thuani me afat?

Rohan: Sa më shpejtë që KS të marrë nje vendim, unë supozoj se Kosova do ta deklarojë atë pavarësi. Dhe ky është ai çast kur do të ndodhë kjo.

BBC: Deklarojë çfarë?

Rohan: Të deklarosh nënkuptohet se është vend i pavarur. Dhe ky është fillimi. Pastaj vendet e tjera duhet ta pranojnë këtë pavarësi, sepse pa njohjen ndërkombëtare pavarësia nuk ka kuptim. Por sërish, krejt kjo do të ndodh menjëherë pas vendimit të KS për Rezolutën, pra që ajo të kalojë dhe pastaj i takon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>