BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 09 nëntor 2010 - 19:27 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Zgjerimi ngadalësohet por ende 'gjallë'
Gabriel Partosh
Procesi i zgjerimit të BE-së është ngadalësuar dhe vendeve aspirante për anëtarësi do t'u duhet ndoshta një dekadë deri sa t'u plotësohet ëndra për antëarësi të plotë në organizatë.

Kështu thotë për BBC-në Gabriel Partosh, analist në Njësinë Kërkimore të revistës Economist, pasi komisioneri i zgjerimit të BE-së Stefan Fule bëri të ditura hollësitë e raporteve të progresit të vendeve aspirante për në BE.

Komisioneri Fule dha opinionin e Komisionit për aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësi në të ardhmen në BE, duke i ofruar statusin e kandidatit Malit të Zi, dhe duke shtyrë për vitin e ardhshëm shqyrtimin e mëtejshëm të aplikimit të Shqipërisë.

Zoti Partosh thotë për BBC-në se megjithëse oreksi për zgjerimin e Be-së brenda organizatës ka rënë, vendet e Ballkanit Perëdnimor ende kanë një perspektivë anëtarësimi.

"Mendoj që 'po', në fund do të ketë anëtarësim, por them 'jo' ndaj ndonjë përparimi të madh në një afat të shkurtër, në dy-tre vitet e ardhshme," tha zoti Partosh.

Ilir Nishku i BBC-së bisedoi me zotin Partosh.

 Me përjashtim të Turqisë, ... vendet e tjera të përfshira në proces do të futen, sipas mendimit tim, në BE.
Gabriel Partosh

BBC: Komisioni i dha statusin e kandidatit, megjithëse me kushte, Malit të Zi, por nuk ia dha Shqipërisë. Cila është arsyeja sipas mendimit tuaj:

Gabriel Partosh: Ka dy përgjigje për këtë. Ka një përgjigje proceduriale, që do të thotë se në një farë mënyre Mali i Zi aplikoi për anëtarësi para Shqipërisë, por kjo sigurisht nuk është çështja thelbësore. Ajo që ka rëndësi me të vërtetë është përparimi i bërë nga secili vend dhe ajo që po shohim ne tani është ajo që mund të quhet ndëshkim ndaj Shqipërisë për faktin se klasa politike, elita politike, nuk ka mundur të zgjidhë, apo ndoshta nuk ka dashur të zgjidhë, debatet që buruan nga zgjedhjet e debatueshme në qershor të vitit 2009. Dhe për shkak të mungesës së një debati të kuptimtë politik, mungesa e konsensusit, fakti që nuk ka marrëveshje për rrugën që duhet bërë përpara për t'u përballur me këto probleme të vazhdueshme, që kanë përfshirë bojkote të parlamentit nga opozita socialiste, apo bojkotimin e procesit legjislativ, për shkak të gjithë kësaj, sigurisht që Shqipëria ka mbetur pas Malit të Zi, megjithëse shumë vëzhgues mund të kenë dyshime serioze lidhur me përparimin e bërë nga Mali i Zi në një numër fushash.

BBC: Nga deklaratat e Komisionerit Fule duket se nuk ka ndryshuar ndonjë gjë shumë e madhe në marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin, megjithëse ai tha se zgjerimi është ende mbi tryezë. A mendoni se në situatën e tanishme, po të kemi parasysh problemet e organizatës, ekonominë, duket se nuk ka ndonjë oreks të madh për zgjerim në BE?

Gabriel Partosh: Mendoj se kjo është një çështje thelbësore që ndikon në procesin e zgjerimit për disa vite. Ka shumë pikëpyetje si në mesin e publikut në disa vende si, në Gjermani, Austri, Francë, ashtu edhe në mesin e elitave politike. Megjithatë, ka disa vende si Britania, disa vende skandinave, që duan që procesi i zgjerimit të ecë përpara. Dhënia Malit të Zi e statusit të kandidatit ndoshta bëhet për të treguar deri në një farë mase që procesi i zgjerimit nuk ka ndaluar, se po bëhet përparim, megjithëse disa mund të vënë në dyshim gatishmërinë e Malit të Zi.

Pra ne shohim forca kontradiktore në veprim. Edhe sikur vendet anëtare ta aprovojnë statusin e kandidatit për Malin e Zi, data për të filluar bisedimet e anëtarësimit do të shtyhet për disa kohë dhe Malit të Zi do t'i duhet të plotësojë disa kushte të tjera, si luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionin, pavarësinë e drejtësisë, të gjitha kushtet që kërkohen nga të gjitha vendet, por këto do të duhet të plotësohen para se të fillojnë bisedimet me Malin e Zi. Pra, në një farë mënyre, ky është më shumë se thjesht një gjest, por ky gjest është pjesë e rëndësishme e gatishmërisë së Komisionit për të treguar se zgjerimi nuk ka arritur një rrugë pa krye dhe se po vazhdon.

BBC: Për sa i takon periudhave kohore. Cili është mendimi juaj për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE? A do të futen ato më shpejt apo më vonë, apo ndoshta komisioni po përpiqet t'ua mbajë shpresat lart për të ruajtur stabilitetin në këto rajone dhe në fund ato mund të mos futen fare në organizatë?

Gabriel Partosh: Mendoj se pyetja që bëre lidhur me humbjen e oreksit për zgjerimin, apo lodhja ndaj zgjerimit, kjo është e rëndësishme dhe është një tendencë nën të gjithë procesin. Dhe për këtë arsye mendoj se zgjerimi, megjithë njoftimin për statusin e kandidatit për Malin e Zi, në përgjithësi, po ngadalësohet dhe do të duhen vite, shumë vite, për të kaluar gjithë ato faza, si statusi i kandidatit, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit, përfundimi i bisedimeve. Megjithatë, nuk mendoj se projekti i zgjerimit ka mbaruar. Mendoj se, me përjashtim të Turqisë - një vend shumë i madh, me popullsi shumë të madhe, me pjesën më të madhe të vendit jashtë Evropës - vendet e tjera të përfshira në proces do të futen, sipas mendimit tim, në BE, por mendoj se nuk flasim për periudhë të shkurtër apo të mesme kohore, por po flasim në fakt për një periudhë 10-vjeçare. Pra - Po në fund do të ketë anëtarësim, por Jo ndaj ndonjë përparimi të madh në një afat të shkurtër, në dy-tre vitet e ardhshme.

LOKALE
Shqipëria nuk merr statusin e kandidatit
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Pikat kyçe të raportit për Shqipërinë
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
BE i jep shtysë anëtarësimit të Malit të Zi
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
BE aprovon regjim pa viza për shqiptarët
08 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Festime për heqjen e vizave
08 nëntor 2010 | Rajoni
Vazhdojnë replikat pozitë-opozitë
06 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>