BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 05 nëntor 2010 - 13:27 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Topi: Afrimi në BE forcon institucionet
Presidenti Topi duke folur për BBC-në
Presidenti Topi duke folur në emisionin Zigzag të BBC-së me Seladin Xhezairin
Presidenti shqiptar Bamir Topi shpreh optimizëm se përpjekjet e Shqipërisë për t'u afruar me Bashkimin Evropian do të ndihmojnë vendin për të përparuar dhe konsoliduar institucionet.

Duke folur në emisionin zigzag të BBC-së gjatë vizitës së tij në Londër zoti Topi tha se, megjithëse partitë politike në vend nuk kanë arritur ende mirëkuptim, kjo nuk mund të konsiderohet dështim.

"Suksesi i liberalizimit të vizave dhe shansi për të marrë statusin e vendit kandidat na lejon që të shohim edhe në perspektivën e funksionimit sa më të mirë të institucioneve," tha zoti Topi për BBC-në.

"Ka një element i cili ndoshta na bën që të ndjehemi keq, që vërtet kur vjen problemi për të bashkëpunuar ose kur në përfundim të debatit kërkohet që të dilet me një produkt, dhe produkt është mirëkuptimi për ligje të caktuara, ne atë nuk e shikojmë," tha zoti Topi.

"Ende ka një impas në këto lloj marrëdhëniesh, por kurrsesi nuk do ta konsideroja një dështim."


Topi dhe kryeministri britanik

Megjithatë presidenti shqiptar theksoi se Shqipëria ishte një "histori suksesi" sidomos në fushën ekonomike.

Kryeministri britanik David Cameron takon presidentin shqiptar Bamir Topi dhe zonjën Topi
Presidenti Topi takon kryeministrin britanik në Londër

Ai tha se me kryeministrin britanik David Cameron kishte biseduar për mundësitë e Shqipërisë për të afruar investitorët e huaja, sidomos ata britanikë.

Duket se çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në fushën e sigurisë, Afganistani, kanë marrë një fokus të veçantë në takimin e zotit Topi me kryeministrin britanik.

"Me kryeministrin David Cameron ndava disa biseda mjaft të rëndësishme për sa i takon bashkëpunimit, kryesisht, në fushën e sigurisë, diskutuam për situatën në Afganistan, për nevojën e bashkëpunimit sa më të ngushtë të trupave tanë me trupat e aleatëve," tha presidenti shqiptar për BBC-në.

"Kemi folur edhe për çështje të shërbimit inteligjent, për ta përafruar atë totalisht në parametrat dhe standardet e partnerëve tanë," tha ai.

"Bashkohemi në Bruksel"

Presidenti shqiptar tha se gjatë dekadave të fundit shqiptarët në rajon kanë përfituar nga hapja për të komunikuar më shumë me njeri-tjetrin, dhe forcimin e elementëve të përbashkëta si gjuha, kultura, historia.

Por ideve për një bashkim të mundshëm kombëtar ai iu përgjigj:

"E ardhmja e vendeve tona, si vende sovrane të lira, patjetër që është në familjen euroatlantike, që do të thotë që ne të gjithë do të bashkohemi në Bruksel."

Presidenti shqiptar inkurajon një bashkëpunim rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, tani pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 Nuk ka një ftesë për presidentin Tadiq për të vizituar Shqipërinë
Presidenti Bamir Topi

Ai tha për BBC-në se kur të piqeshin kushtet do të mirëpriste uljen në të njëjtën tryezë të udhëheqësve të Kosovës e Serbisë.

Zoti Topi tha se, megjithëse me Serbinë nuk mund të bihet dakord për çështjen e Kosovës, ka një numër fushash të tjera bashkëpunimi, përfshirë ekonominë, komunikimin, kulturën, ku të gjitha palët në rajon mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Ende jo ftesë për Tadiqin

Zoti Topi tha se nuk ka ende një ftesë zyrtare për një vizitë të presidentit serb Boris Tadiq në Shqipëri.

"Nuk ka një ftesë për presidentin Tadiq për të vizituar Shqipërinë," tha zoti Topi i pyetur nëse po vonohej ardhja e presidentit serb në Tiranë siç ishte paralajmëruar më parë.

"Duke marrë në konsideratë që kjo ftesë do të bëhet nga presidenti i Shqipërisë në një rast eventual, përderisa unë e konfirmoj që nuk ka ftesë, çdo gjë tjetër që hamendësohet mbetet në një terren jo real," tha zoti Topi.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>