|
Thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë | |||||||||||||||||||||||
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker kërkon formimin sa më shpejt të qeverisë së re. Në një intervistë për BBC-në, zoti Ruecker thekson se institucionet e reja të Kosovës i presin shumë sfida për zgjidhjen e statusit. Ai ka shfaqur bindjen se deri të mërkurën do të formohet qeveria e re e Kosovës. Zoti Ruecker beson se udhëheqësit kosovarë do të jenë në gjendje të merren vesh deri në mesin e kësaj jave për ndërtimin e institucioneve të reja dhe se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrjen e UNMIK-ut. "Mendoj se neve na duhen institucione funksionale demokratike gjatë tërë kohës, na duhet qeveria e re, po aq sa na duhej konstituimi i Asamblesë se re. Mendoj se ende jemi në limite të tolerueshme kohore dhe nëse e kemi qeverinë deri të mërkurën, unë nuk shoh ndonjë problem të madh këtu", tha zoti Ruecker. Të premtën e kaluar, u konstitua Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, por për shkak të mosmarrëveshjeve brenda forcave kryesore politike për formimin e koalicionit qeverisës, në seancën solemne nuk u zgjodh as kryetari, as kryesia e Kuvendit. Gjatë fundjavës, Partia Demokratike njoftoi të ketë arritur pajtim me Lidhjen Demokratike të Kosovës që të qeverisin bashkë dhe se tani mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes. Mandatari për kryeministër, Hashim Thaçi, ka deklaruar se të mërkurën Kosova do të ketë presidentin, qeverinë si dhe kryetarin e kryesinë e Kuvendit. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker i ka thënë BBC-së se institucionet e reja të Kosovës i presin shumë sfida për zgjidhjen e statusit. "Natyrisht ka shumë sfida për Kuvendin dhe qeverinë e re, duke filluar me procesin e statusit. Një përgjegjësi e madhe bie mbi duart e deputetëve të Kuvendit dhe mbi qeverinë e re, por unë absolutisht jam i bindur që ata do të jenë të gjendje t'i përballojnë këto sfida dhe do të shkojnë me hapa të duhur, në kohë të duhur, në bashkëpunim në ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare", tha zoti Ruecker. I pyetur nëse Kosova është e gatshme të lëvizë drejt shpalljes së pavarësisë, ai u përgjigj: "Ju e dini që unë kam mandat, prandaj unë them që Kosova është gati të lëvizë drejt hapit të ardhshëm për zgjidhjen e statusit politik", tha kreu i Administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker. Ai pritet që më 16 janar të paraqesë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin tremujor mbi gjendjen në Kosovë. Ky pritet të jetë raporti i fundit i zoti Ruecker, para se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian të shpallin pavarësinë e Kosovës nga Serbia. "Raporti ka të bëjë me procesin e standardeve për Kosovën, standardet për funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit, ekonominë e tregut dhe unë rregullisht them disa fjalë edhe për situatën aktuale", tha zoti Ruecker. Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbinë do të përfaqësojë presidenti Boris Tadiq. Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se në Nju Jork do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, kërkesë kjo edhe e Rusisë, por që kundërshtohet nga Prishtina si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian. | LOKALE Shtyhet zgjedhja e kryesisë së Kuvendit04 janar 2008 | Rajoni "Kosova është rast unik dhe jo precedent"04 janar 2008 | Rajoni Kosova- sprovë për udhëheqjen sllovene02 janar 2008 | Rajoni Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën 19 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||