BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 05 tetor 2007 - 10:07 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kuqi: Paraqitja e AKSh-së shqetësuese
Ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuqi
Zoti Kuqi thotë se paraqitja e AKSH-së është shqetësim për forcat e sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Blerim Kuqi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që prapa formacioneve të AKSH-së dhe Gardës së Car Llazarit në Serbi të qëndrojnë politika të caktuara.

Zoti Kuqi i tha BBC-së se paraqitja në RTK e formacionit të AKSH-së, shënon një shqetësim për forcat e sigurisë në Kosovë, por ka shtuar se të gjithë mekanizmat e sigurisë janë angazhuar që të menaxhojnë me situatën e krijuar.

Ai u ka bërë thirrje gjithë subjekteve dhe partive politike të ndihmojnë në situatën e krijuar.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ministrin Kuqi dhe e pyeti nëse mekanizmat e sigurisë në Kosovë kanë qenë në dijeni të veprimeve të AKSH-së.

Zoti Kuqi: Paraqitja e AKSH-së me një element të ri të formës filmike është një shqetësim i ri për ne edhe pse ne kemi patur informacione apo edhe paraqitje të mëhershme rreth AKSH-së.

Shërbimi Policor ka pasë disa informacione, ndoshta jo të plota, për paraqitjen e AKSh-së. Ky element i ri është një shqetësim i ri për ne, sidomos tani para përfundimit të procesit të statusit.

 Ky element i ri është një shqetësim i ri për ne sidomos tani para përfundimit të procesit të statusit
Blerim Kuqi

Përpjekjet tona edhe si ministri por edhe të SHPK-së janë të mëdha për të bërë çmos për të menaxhuar situatën e ndjeshme e sidomos tani para finales së finales rreth definimit të statusit.

BBC: Zoti ministër ju keni deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për mbrojtje jashtëinstitucionale?

Zoti Kuqi: Po. Ne kemi edhe një shqetësim tjetër të ri. Ju e dini se kohët e fundit është mjaft e zëshme edhe e ashtuquajtura Garda e Car Llazarit në Serbi. Dhe tash kjo e tipit të AKSH-së na sjell në një situatë tjetër dhe e bën atë edhe më të rëndë.

Kështu që përkushtimi ynë, i gjithë mekanizmave të sigurisë dhe i gjithë subjekteve politike do të jetë edhe më i madh që në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme, ta nxisim edhe faktorin ndërkombëtar që statusi i Kosovës të definohet më shpejt, sipas vullnetit të shumicës së kosovarëve.

Duke përsëritur edhe deklaratat e presidentit dhe të kryeministrit, sërish po them, se ne nuk kemi nevojë për asnjë organizatë paralele ose struktura paralele në fushën e sigurisë.

Kjo sepse Kosova është e aftë që t'i qëndrojë çfarëdo situate që mund të paraqitet gjatë periudhës së definimit të statusit.

Megjithatë, shqetësimi ynë është se përfundimi i statusit në një afat më të gjatë do ta vështirësojë menaxhimin e situatës në një kohë të caktuar.

BBC: Zoti ministër ju e përmendët Gardën e Car Llazarit. A po bëhen AKSh-ja dhe kjo gardë, dy formacione, që po e kërcënojnë sigurinë në Kosovë?

Zoti Kuqi: Ky është një shqetësim yni dhe shënon një kërcënim. Është një sfidë e re dhe një formë gare e tillë. Ne do të bëjmë përpjekje që të menaxhojmë me çfarëdo situate në fushën e sigurisë.

BBC: Ju besoni se keni forcë që të menaxhoni krizën që mund të paraqitet?

 ...ne nuk kemi nevojë për asnjë organizatë paralele ose struktura paralele në fushën e sigurisë.
Blerim Kuqi

Zoti Kuqi: Ju e dini se mekanizmi kryesor i sigurisë dhe përgjegjës për sigurinë në Kosovë është KFOR-i, një mekanizëm i NATO-s që në një formë të prerë garanton sigurinë në Kosovë dhe sidomos në aspektin e kufijve.

ShPK-ja, së bashku me policinë e UNMIK-un, dhe pse jo edhe me TMK-në do të mundohen që në aspektin e brendshëm të menaxhojë këtë situatë.

Ne do të bëjmë përpjekje që të nxisim edhe partitë e subjektet politike që të na dalin në përkrahje në këtë aspekt.

Thjesht nuk është e mjaftueshme që vetëm mekanizmat e sigurisë ose forcat e sigurisë të përballen, por na duhet një përkrahje politike, kemi nevojë për përkrahjen e faktorit ndërkombëtar që sa më shpejt të vijë deri te zgjidhja e statusit.

BBC: Më lejoni që t'ju pyes: e besoni se prapa këtyre dy formacioneve qëndron politika, çfarëdo qoftë ajo, në Kosovë dhe Serbi?

Zoti Kuqi: Nuk kisha mundur të jap ndonjë përgjigje të prerë në pyetjen tuaj, por unë mendoj se janë disa elemente edhe të tilla.

LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>