BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 05 tetor 2007 - 10:20 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
KFOR-i ka kapacitet të merret me formacione ilegale
Forca të KFOR-it në Kosovë
Ivanko thotë se policia dhe KFOR-i merren me fakte konkrete.
Misioni ndërkombëtar në Kosovë ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet rreth origjinalitetit të kronikës së transmetuar në RTK, ku janë paraqitur njerëz të armatosur e të maskuar me shenjat e AKSh-së.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, i tha BBC-së se nuk ka dëshmi të fuqishme për ekzistimin e formacioneve paraushtarake në Kosovë.

Arbër Vllahiu bisedoi me zotin Ivanko dhe i kërkoi një sqarim për situatën e krijuar.

Aleksandër Ivanko: Para së gjithash na duhet ta verifikojmë nëse rrëfimi ishte korrekt. Ka filluar një hetim nga SHPK-ja i cili po shikon se çfarë përmban kaseta që është transmetuar në RTK.

BBC: Domethënë, ju ende nuk po besoni se këta njerëz ekzistojnë?

 Tash për tash ne nuk shohim asnjë kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Kosovë.
Aleksandër Ivanko

Aleksandër Ivanko: Kjo nuk është çështja. Është një kasetë e posaçme për të cilën ne po flasim dhe na duhet të jemi të sigurtë se a është autentike.

Ju e dini qëndrimin tonë rreth të gjitha formacioneve ilegale në Kosovë dhe kjo është një çështje që ne besojmë se KFOR-i ka kapacitete që të merret me të.

Tash për tash ne nuk shohim asnjë kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Kosovë.

BBC: Zoti Ivanko, por UNMIK-u vite më parë e shpalli organizatë terroriste AKSh-në. Ata dolën në RTK, ka patur shumë thashetheme muajve të fundit se ata ekzistojnë. Pra, i cilësoni apo i luftoni ju ata si një organizatë terroriste?

Aleksandër Ivanko: Është e saktë se njësiti antiterrorist është marrë me ta, por ajo për të cilën flisni janë disa foto dhe thashetheme. Ama kur është fjala për faktet atëherë nuk është shumë e lehtë të bëhen gjërat.

Por kur bëhet fjalë për fakte të padiskutueshme, atëherë do thënë se ka një numër grupesh, siç është edhe Car Lazari që gjithashtu është ndaluar të veprojë si një formacion ilegal në Kosovë.

Kur kemi të bëjmë me fakte konkrete atëherë policia dhe KFOR-i merren me ta.

BBC: Pra, mund të themi se në Kosovë ekzistojnë grupe të armatosura?

Aleksandër Ivanko: Ka foto, thashetheme, por në përgjithësi ne nuk kemi parë dëshmi të fuqishme për ekzistimin e këtyre grupeve.

Për shembull, kur njerëzit flasin për njerëz të maskuar, del se ata janë hajna duke e fshehur identitetin e tyre. Prandaj, është e vështirë të thuhet me siguri, por deri tash na mungon një fakt i fuqishëm.

BBC: E cilësoni pra këtë grup të jetë jo i rrezikshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë?

Aleksandër Ivanko: Nuk do ta thosha në atë mënyrë, por do të thoja se nëse ka ndonjë kërcënim për sigurinë dhe qëndrueshmërinë, UNMIK-u dhe KFOR-i janë të gatshëm të merren me të.

LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>