BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 13 tetor 2010 - 15:44 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Clinton: Dialogu të fillojë sa më parë
Clinton dhe Thaçi
Zonja Clinton theksoi rëndësinë e fillimit të dialogut Kosovë-Serbi
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha të mërkurën në Prishtinë se çështja e statusit, sovraniteti dhe tërësia tokësore e Kosovës nuk mund të diskutohen.

Ajo tha se bisedimet mes Prishtinës e Beogradit shënojnë një mundësi të mirë për të adresuar nevojat e menjëhershme dhe praktike të të dyja vendeve.

Zonja Clinton tha se bisedimet duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga zgjedhjet e paralajmëruara të parakohshme në Kosovë dhe 'ato duhet të japin rezultate'.

Ajo tha se udhëheqësit e të dyja vendeve duhet t’i qasen dialogut me një besim të mirë dhe me respekt për shqetësimet e njëri-tjetrit dhe e cilësoi atë si një rast të mirë për të zgjidhur problemet praktike dhe për të tejkaluar pengesat për një fqinjësi të mirë.

Ajo tha se SHBA-ja i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ofrojnë planet për bisedime për të vendosur bazat e një marrëdhënieje të gjatë dhe pozitive.

“Ne duam që ky dialog të jetë një përvojë pozitive për Kosovën. Mendojmë se dialogu duhet të fillojë sapo të jetë i gatshëm sepse, pavarësisht nga zgjedhjet që do të organizohen në Kosovë dhe pastaj vitin e ardhshëm edhe në Serbi, ne besojmë se është në interes të Kosovës që dialogu të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zonja Clinton.

“SHBA-ja do të luajë një rol mbështetës dhe ne besojmë fuqishëm se duhet të ketë një rrugë të qartë për dialogun. Ai nuk mund të zgjasë shumë kohë dhe duhet të jetë i përqëndruar e të japë rezultate”, tha zonja Clinton duke përsëritur qëndrimin se SHBA-ja do të vazhdojë që të mbështesë fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

Sekretarja amerikane e shtetit tha se gjatë ditëve të ardhshme do të diskutojë me zyrtarët e lartë të BE-së në Bruksel çështjen e strukturimit të këtij dialogu.

Mikëpritësi i sekretares amerikane të shtetit, kryeministri Hashim Thaçi, ka shprehur sërish gatishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore edhe me Serbinë por 'me respektimin e sovranitetit të secilit shtet'.

Zoti Thaçi tha se me vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës është 'hapur një kapitull dhe një fazë e re në marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Serbinë'.

“Ka ardhur koha e mbylljes së konfliktit njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë. Ka ardhur momenti i bashkëpunimit dhe shikimit kah e ardhmja. Kosova është gati. Ajo ka treguar vullnet për dialog për çështje praktike me Serbinë si dy shtete në një nivel të barabartë”, tha zoti Thaçi.

“Dialogu është në interes të të dyja vendeve dhe popujve tanë, është në interes të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes së përbashkët dhe zbatimit të vizionit euro-atlantik. Jam i bindur se fundi i dialogut Kosovë-Serbi do të përmbyllet me integrimin edhe të shtetit të Kosovës por edhe të Serbisë në strukturat e NATO-s dhe të BE-së”, tha kryeministri Thaçi.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, arriti në Kosovë të mërkurën, pas qëndrimit në Beograd, në ndalesën e saj të fundit në kuadër të turneut Ballkanik.

Ajo u prit me ngrohtësi nga qindra qytetarë të Kosovës dhe me të arritur në Prishtinë, fillimisht u ndal tek shtatorja e presidentit amerikan Bill Clinton, që u përurua në nëntor të vitit të kaluar.

Zonja Clinton takoi udhëheqësit e lartë të institucioneve të Kosovës, të cilëve iu përçoi porositë e mbështetjes amerikane për ndërtimin e një shteti demokratik e shumëkombësh, por gjithashtu kërkoi edhe thellimin e reformave ekonomike e politike.

Zonja Clinton u takua edhe me udhëheqësit politikë lokalë serbë në Graçanicë të Prishtinës.

Kjo ishte vizita e parë e zonjës Clinton në Kosovë. Në vitin 1999 ajo kishte shoqëruar bashkëshortin e saj, Bill Clinton në vizitën që i kishte bërë ai kampeve me refugjatë të Kosovës në Maqedoni.

Çifti Clinton është shumë i popullarizuar në Kosovë, për shkak të rolit udhëheqës të ish-presidentit amerikan në fushatën ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe që kishte për qëllim ndaljen e dhunës së Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës.

LOKALE
Clinton konfirmon angazhimin për Ballkanin
12 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Clinton: Dialogu të fillojë sa më parë
13 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Jetë e pasigurt në veri të Kosovës
12 tetor 2010 | Faqja Kryesore
'Dialogu me Serbinë përgatitet gradualisht'
10 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Nuk janë kushtet për dialog
08 tetor 2010 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>