|
Jetë e pasigurt në veri të Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Një mikrobus humanitar transporton nga e hëna në të premten në Mitrovicë shqiptarët që jetojnë në tri fshatrat e komunës së Leposaviqit me shumicë serbe. Fshatrat Cerajë, Bistricë e Koshtovë janë vendbanimet më veriore të banuara me shqiptarë dhe gjenden në një zonë malore afër kufirit me Serbinë. Kjo pjesë e Kosovës vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës. Dhe dy vjet e ca mbas shpalljes së pavarësisë, serbët që përbëjnë shumicën në këtë zonë, vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin. Tensionet ndëretnike janë ende të pranishme dhe ato kanë bërë që për pakicën shqiptare në këtë pjesë të ketë kufizim të lirisë së lëvizjes. Banorët e tri fshatrave shqiptare thonë se qarkullimi i tyre varet nga minibusi të cilin ua ka siguruar qeveria e Kosovës. Ende pasiguri Xhemile Mustafa rreth të gjashtëdhjetave nga fshati Cerajë thotë se incidentet tani nuk ndodhin shpesh si dikur, por ende ka pasiguri. “Nuk jemi krejtësisht të sigurt, sepse ky minibus është sulmuar përpara tre herë dhe unë kam qëlluar aty së bashku me bashkëshortin dhe vajzën, por s’kemi çfarë të bëjmë, jeta jonë vazhdon kështu”, shprehet ajo. Sipas shefit të zyrës për komunitete në komunën e Leposaviqit, Haki Imeri para luftës në tri fshatrat shqiptare kanë jetuar rreth 160 familje, ndërsa tani ka mbetur vetëm çereku i tyre. Banorët janë shpërngulur për shkak të sigurisë së pamjaftueshme për ta. Përforcohet siguria Një numër incidentesh që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovën Veriore, kanë nxitur forcat ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë që të shtojnë praninë e tyre që nga fillimi i këtij muaji. Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës me mbështetjen e forcës paqëruajtëse të NATO-s ka ngritur pika të kontrollit në këtë zonë. Ekipet lëvizëse të organeve të rendit janë më shumë të dukshme gjatë orëve të natës në përpjekje për të penguar aktivitetet e grupeve të ndryshme kriminale. Autoritetet thonë se ky operacion ka për qëllim të përmirësojë gjendjen e sigurisë dhe të vendosë ligjshmërinë në atë pjesë. Jo vetëm siguri
Por deri tani ky rritja e pranisë së policisë dhe ushtarëve të KFOR-it nuk e kanë ndryshuar përceptimin e qytetarëve të kësaj pjese për sigurinë. “Ne e kemi parë në televizion që po thonë se janë shtuar masat e sigurisë, por veriu përfshin një zonë më të madhe e ne këtu nuk po vërejmë asgjë”, shprehet Faik Mustafa, mësimdhënës në shkollën e fshatit Cerajë. Ai tregon për për vështirësitë me të cilat përballen banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit: "Pas mbarimit të shkollës fillore, ata që duan ta vijojnë shkollimin e mesëm, këtë duhet ta bëjnë në Mitrovicë, pasi në Leposaviq nuk ka shkollë të mesme ku mund t’i ndjekin mësimet nxënësit shqiptarë," thotë ai. "Ne e kemi më afër komunën e Leposaviqit, por kme ta nuk kemi kurrfarë lidhje. Kryetari i komunës nuk vjen kurrë ta vizitojë fshatin. Ne nuk i interesojmë askujt." Mungesë komunikimi Në komunën e Leposaviqit gjithçka është më e ndërlikuar për shkak të funksionimit të dy pushteteve atje. Në njërën anë janë strukturat komunale të dala nga zgjedhjet e Serbisë të cilat për Prishtinën janë të papranueshme. Në anën tjetër janë përfaqësuesit serbë të cilëve qeveria e Kosovës ua ka vazhduar mandatin, pavarësisht bojkotimit të zgjedhjeve të fundit nga ana e qytetarëve serbë. Shefi i zyrës për komunitete në komunën e Leposaviqit, Haki Imeri thotë se si përfaqësues i pakicës shqiptare në këtë pjesë, nuk ka fare qasje në objektin e komunës. “Ne kemi një bashkëpunim me ata serbë që me vendim të qeverisë u është vazhduar mandati, por vështirësi kryesore është shkuarja në komunë, sepse ne si zyrë e komuniteteve nuk i njohim ato si struktura ilegale”, thotë z.Imeri. Mënyra e vetme e komunikimit me udhëheqësit serbë, sipas tij, është me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Branko Niniq është kryetar i komunës, i zgjedhur në bazë të rezultatit të votimeve të organizuara nga Serbia. “Komunikimi zyrtar nuk ekziston sepse në komunikim me pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it unë kam thënë se tani situata e sigurisë nuk është aq e mirë sa unë si kryetar i komunës së Leposaviqit dhe si përfaqësues i serbëve t’i vizitoj disa fshatra" tha ai. Por z. Niniq nuk e përjashtoi mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen. "S'ka diskriminim" Ai tha se udhëheqja komunale nuk ka qasje diskriminuese ndaj pakicës shqiptare në Leposaviq dhe ankesat e banorëve të tri fshatrave i cilësoi të paqëndrueshme. “Sigurisht që të gjitha kërkesat e atyre banorëve ne do t’i shqyrtojmë dhe do t’i ndihmojmë si të gjithë fshatrat tjera”, tha kryetari i komunës. Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare kohë më parë kanë bërë të ditur planin e tyre për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat serbe në veri të Kosovës me qëllim të legjitimimit të strukturave komunale. Megjithatë, deri tani ky mbetet vetëm një synim i Prishtinës zyrtare, si pasojë e sfidimit që i bëhet pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve shtetërore të Prishtinës nga serbët e kësaj pjese. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||