BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 17 shkurt 2010 - 10:30 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Greqia shikon nga FMN për daljen nga kriza

Jorgos Papakonstandinu
Ministri grek i Financave ka thënë se qeveria do të garantojë pagat
Nën trysninë e Bashkimit Europian që kërkon marrjen e masave shtesë,
Greqia ka mundësi t’i drejtohet për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Megjithë përgënjeshtrimin e qeverisë, ka ekspertë që e vlerësojnë këtë mundësi si zgjidhjen më më të mirë, ndërkohë që analistët thonë se ky mund të jetë një skenar për të neutralizuar presionet e Brukselit.

Përballë reagimeve në rritje ndaj masave shtrënguese që synojnë kryesisht uljen e shpenzimeve në sektorin publik, qeveria greke përpiqet të japë garanci se do të avancojë në këto masa duke ruajtur të ardhurat e punonjësve.

Bashkimi Europian ka kërkuar ndër të tjera që brenda muajit mars, qeveria të heqë pagën e 14–të mujore që u jepet si shpërblim punonjësve të sektorit publik.

Duke marrë parasysh se numri i punonjësve në administratën shtetërore është rreth njëmilion vetë, nga zbatimi i kësaj mase vlerësohet se do të kurseheshin përnjëherë më shumë se njëmiliard euro.

Por grupimet sindikale të sektorit publik kanë kërcënuar me përshkallëzim të reagimeve të tyre.

Ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu, pas përfundimit të mbledhjes së ECOFIN-it, tha se qeveria do të garantojë të ardhurat e punonjësve.

“Mund të them në mënyrë kategorike se qeveria do të bëjë ç’të mundet që të ruajë të ardhurat e punonjësve grekë”.

Ministri shtoi se kjo do të realizohej me çdo mënyrë dhe përsëriti se ishte kategorik në deklaratën e tij.

Skenari me FMN-në

Por në kohën që Greqia ndodhet në buzë të falimentimit pikërisht për shkak të keqmenaxhimit e shpërdorimit të financave publike, është e vështirë që situata të përmirësohet pa bërë ndërhyrjet e domosdoshme në administratën shtetërore.

Tani është hedhur mbi tavolinë një skenar tjetër, i cili parashikon që Greqia t’i drejtohet për ndihmë fondit monetar ndërkombëtar, skenar që qeveria e përgënjeshtroi.

Por gazetat kryesore greke të ditës së mërkurë thonë se, kryeministri Papandreu ua ka paraqitur këtë mundësi homologëve të vet gjatë samitit të javës së kaluar, ndërkohë që e ka diskutuar edhe me presidentin rus Dimitri Medvedev, që ky i fundit, tha se ia sugjeroi zotit Papandreu gjatë takimit që patën dje në Moskë.

Analistët thonë se tani nuk është momenti i përshtatshëm për t’iu drejtuar FMN-së, mirëpo, theksojnë, nëse Bashkimi Europian i rrit presionet, atëherë FMN do të mund të ishte një zgjidhje më pak rraskapitëse, siç thonë shprehimisht.

Një ish ministër i financave të Greqisë, Stefanos Manos, i njohur për pragmatizmin e vet, ka thënë se FMN mund të kërkojë reforma më të drejta, pse ka përvojë më të madhe.

Analistët theksojnë se zgjidhja e FMN-së do të ishte një "cacus belli", (shkak për luftë) ndaj Greqisë nga gjithë vendet anëtare të zonës së euros.

Por ata shtojnë se kjo është ndoshta e vetmja armë që ka në dorë Greqia për neutralizuar kërkesat e Brukselit lidhur me uljen e pagave dhe heqjen e pagës së 14-të në sektorin publik.

LOKALE
Rritet presioni brenda Greqisë pas Brukselit
16 shkurt 2010 | Faqja Kryesore
BE ofron ndihmë për Greqinë
11 shkurt 2010 | Faqja Kryesore
Greva 'bllokon' Greqinë
10 shkurt 2010 | Faqja Kryesore
Sindikatat në Greqi fillojnë grevat
04 shkurt 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>