BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 04 shkurt 2010 - 13:10 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Sindikatat në Greqi fillojnë grevat

Greva ndaj krizës në Greqi
Qeveria greke ka shprehur vendosmërinë për realizimin e programit të stabilitetit ekonomik, por masat e shpallura në kuadër të këtij programi janë kundërshtuar nga unionet sindikale, që kanë paralajmëruar greva të përgjithshme gjatë këtij muaji.

Ministri i financave, Jorgos Papakonstandinu, tha se tashmë, ajo që pret Greqia është që vendet anëtare të BE-së të bindin tregjet ndërkombëtare se Greqia po bënë përpjekjet e duhura.

"Ajo që ishte shumë e rëndësishme ishte që të dilte Komisioni Europian dhe me transparencë të madhe të mbështeste përpjekjen që po bën Greqia. Tani ne presim dhe kërkojmë që vendet anëtare të BE-së të mbështesin Greqinë. Përderisa në sistemin europian nuk parashikohet mënyrë tjetër mbështetjeje, ne kërkojmë që vendet anëtare të bindin tregjet ndërkombëtare se nuk ekziston hallkë e dobët dhe se të gjithë ndodhmi në të njëjtën barkë e duhet të përpiqemi."

Ministri shtoi se masat shtesë që u komunikuan nga kryeministri, sipas rekomandimeve të Brukselit u imponuan nga fakti se Greqisë i duhet të marrë hua deri në 40 miliardë euro për këtë vit dhe se këto hua do t’i jepeshin me interesa të papërballueshme, nëse Athina nuk jepte prova konkrete për vendosmërinë e saj në përmirësimin e treguesve ekonomike.

Si të domosdoshëm e ka cilësuar programin e stabilitetit edhe Unioni i Industrialistëve të Greqisë, presidenti i këtij Unioni, Dimitris Daskalopulos, ka theksuar se tashmë është përgjegjësi e qeverisë që t’ia shpjegojë këtë program opinionit vendas.

“Ose do t’u nënshtrohemi me vetëdije sakrificave të nevojshme, deri sa të ngrihemi përsëri në këmbë, ose do t’i nënshtrohemi kujdestarisë më të rreptë nga Brukseli dhe tregjet ndërkombëtare”.

Edhe analistët, i vlerësojnë pozitivisht masat, por theksojnë se vendimtare është ajo se sa këto masa do të realizohen në praktikë, duke injoruar koston politike që ka penguar deri më tani gjithë qeveritë greke të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme radikale.

Ilias Sakandaris është analist i çështjeve ekonomike:

"Nëse zbatimi i masave pengohet, atëherë ka dy alternativa: ose kërkohen kredi nga vende të tjera euroopiane, ose i drejtohemi për ndihmë FMN-së. Por të dy këto alternative kanë rrisqe të tjera, e fusin vendin në aventura të reja, dhe sjellin më afër mundësinë e falimentimit.
Pa shpalljes së vendimit të Komisionit Europian, qeveria theksoi vendosmërinë realizimin e objektivave të programit brenda afateve kohore të përcaktuara."

Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petalotis tha se:

"Jemi të vendosur ta realizojmë programin e stabilitetit, pse ky është një imperativ kombëtar. Vetëm kështu mund të dalim nga kjo krizë e madhe që po kalon vendi”, tha zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petalotis.

Mirëpo sindikatat kanë reguar me ashpërsi ndaj masave të shpallura prej kryeministrit, që synojnë kryesisht reduktimin e shpenzimeve buxhetore në një administratë që konsiderohet si e tejfryrë në raport me popullsinë e Greqisë.

Të enjten kanë filluar një grevë dyditore punonjësit e zyrave tatimore dhe doganierët.

Më 10 shkurt, i gjithë sektori publik do të jetë në grevë 24-orëshe, ndërsa konfederata e përgjithshme sindikale ka njoftuar për grevë të përgjithshme në sektorin publik e privat për më 24 shkurt.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>