BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 16 dhjetor 2009 - 10:51 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Rritet presioni për marrëveshje në Samit
Ban Ki Moon
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së është optimist për një marrëveshje
Në kohën që negociatat për klimën që po zhvillohen në Kopenhagë arrijnë një moment kritik, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka sugjeruar se vendet e varfëra mund ta humbin shpresën për një angazhim imediat afatgjatë, lidhur me mënyrën se si vendet e pasura do të paguajnë për të luftuar ngrohjen globale.

Takimi përfundon ditën e premte, por një korrespondent i BBC-së që ka ndjekur negociatat thotë se ato kanë ngecur në argumente që reflektojnë ndarjet e thella mes vendeve të pasura dhe atyre të varfëra.

Korrespondenti i BBC-së thotë se mosmarrëveshjet e vazhdueshme do të thonë që ata përballen me një detyrë të vështirë.

Duke folur për BBC-në Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se kishte shpresë që delegatët do t'i linin mënjanë dallimet dhe të bënin përparim të vërtetë në takim.

"Jam optimist që Kopenhaga mund të jetë një sukses dhe të ketë një marrëveshje të pranuar, një marrëveshje të drejtë, të qartë e që do të jetë një traktat i detyrueshëm nga ana ligjore, sa më shpejt të jetë e mundur në 2010."

"Kjo marrëveshje do të mbulojë të gjitha elementet që po shqyrtohen dhe që do të na çojë drejt rrugës për zvogëlimin e temperaturave globale brenda 2 gradëve."

"Një reagim i shumicës së udhëheqësve botërorë sinjalizon se ka një angazhim politik dhe vullnet për të vulosur një marrëveshje në Kopenhagë," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Vendet në zhvillim kanë kritikuar Shtetet e Bashkaura që kanë premtuar ulje më shumë konservatore të emetimeve, sesa kishin shpresuar shumë vetë.

Qëndrimi amerikan

 Presidenti beson se do të arrijmë një marrëveshje operative që ka kuptim.
Robert Gibbs, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë

Presidenti Obama përmendi vështirësitë e brendshme.

Por zoti Ban tha se këto çështje nuk duhet t'i pengonin delegatët që të arrinin marrëveshje në samit.

"Nuk është vetëm SHBA-ja që po përballet me vështirësi të brendshme, çdo vend ka probleme, unë e di këtë."

"Por kjo është një sfidë globale, që kërkon përgjigje globale me solidaritet global," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Dy ditë përpara se të niset për në samitin e OKB-së në Kopenhagë, Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Obama ka besim se do të sigurohet një marrëveshje për emetimet e karbonit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha se zoti Obama besonte se një marrëveshje operative ishte e mundshme.

"Kjo konferencë është një prej bisedave të shumta që presidenti ka kryer me telefon gjatë ditëve të fundit me udhëheqësit e mbarë botës."

"Presidenti rishikoi përpjekjet e bëra nga SHBA-ja për ndryshimin e klimës, ritheksoi angazhimet për të bërë përparim drejt një konkluzioni të suksesshëm për një marrëveshje operative në ditët e ardhshme."

"Natyrisht që ne do të jemi që të gjithë sëbashku në ditët në vazhdim dhe presidenti beson se do të arrijmë një marrëveshje operative që ka kuptim", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

 Ka mundësi që ne të mos arrijmë një marrëveshje.
Gordon Brown, kryeministri britanik

Marrëveshje apo jo

Kryeministri Gordon Brown, që ndodhet në Kopenhagë tha se ishte një moment kritik.

"Ka mundësi që ne të mos arrijmë një marrëveshje dhe është gjithashtu e vërtetë që ka shumë çështje për t'u zgjidhur."

"Por unë jam i vendosur për të bërë çdo gjë që mundem për ta afruar botën."

"Mendoj se mund të luajmë një rol shumë të rëndësishëm për t'u siguruar që në këtë javë të rëndësishme, arrijmë një marrëveshje ambicioze për ndryshimin e klimës," tha kryeministri Brown.

Nëse nuk arrijnë një marrëveshje këtë javë udhëheqësit botërorë dhe anturazhi i tyre që kanë udhëtuar me avionë privatë dhe po qëndrojnë në hotele me pesë yje do të kenë pak për të treguar lidhur me përpjekjet e tyre në një sfond ndotjesh që kanë shkaktuar fluturimet deri në Kopenhagë.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme daneze tha se qeveria e tij po bënte sa kishte mundësi për të minimizuar efektin mbi atmosferën të këtij takimi të madh.

Disa udhëheqës, si ai tajlandez, austriak dhe finanlandez, kanë dhënë një shembull të mirë duke udhëtuar me avionë komercialë, në kontrast me avionët e mëdhenj privatë presidencialë, me të cilët kanë udhëtuar Barack Obama, Nicolas Sarkozy dhe Luiz Inacio Lula da Silva i Brazilit.

Kjo ekstravagancë është dënuar nga organizata ambjentaliste si Miqtë e Tokës.

LOKALE
Ban Ki Moon optimist për Kopenhagën
15 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
Rifillojnë negociatat në Kopenhagë
14 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
'Pezullohen' negociatat për klimën
14 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
BE premton miliarda për fondin e klimës
11 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
Kina e pakënaqur me propozimet
09 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>