|
Dënohen sulmet kundër ambasadave | |||||||||||||||||||||||
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar qeverinë e Serbisë se ka nxitur pakënaqësitë e qytetarëve të saj. Të enjten qindra protestues hynë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Beograd, duke i vënë zjarrin një pjese të saj. Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, i tha BBC-së se zëdhënësit e qeverisë së Beogradit i kishin justifikuar sulmet e mëparshme. "Në disa nga deklaratat e qeverisë serbe ka patur një frymë nxitëse dhe kjo duhet te marre fund", tha zoti Fried. "Qeveria serbe, sigurisht, që e dinte që do të kishte turma të mëdha dhe shumica e zëdhënësve të tyre kanë bërë të pamundurën për të justifikuar disa nga aktet e dhunës", tha ndihmës-sekretari amerikan i shtetit. Zoti Fried tha se qeveria serbe duhej të kishte bërë më shumë për të parandaluar dhunën: Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë të garantonte sigurinë e ambasadave të huaja, duke e paralajmëruar Beogradin se, përndryshe, kjo do të dëmtonte përpjekjet për përmirësimin e marrdhënieve. Késhilli i sigurimit të OKB-së i dënoi me forcë këto sulme -- pikëpamje kjo e përkrahur nga ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Ambasada ishte e mbyllur dhe e pambrojtur kur ndodhi sulmi. SHBA-ja thotë se po evakuon një pjesë të stafit jo të rëndësishëm nga ambasada pas incidenteve të ditës së enjte. SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe Italia janë mes vendeve që e kanë njohur Kosovën. Pas mitingut të protestës kundër pavarësisë së Kosovës, kryeqyteti serb për disa orë ishte arenë e sulmeve të qindra vetëve, të cilët i vunë zjarr ambasadës amerikane, kurse dëmtime iu janë shkaktuar edhe ambasadës së Kroacisë, Turqisë, Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar. Turmat më pas kanë thyer edhe shumë dyqane duke plaçkitur mallra të ndryshëm. Administrata amerikane ka kërkuar mbrojtjen e përfaqësisë së saj diplomatike, duke paralajmëruar se për këtë do të kërkojë edhe prononcimin e Këshillit të Sigurimit. Korrespondenti i BBC-së në Beograd, njofton se megjithëse priteshin sulme të tilla, në momentin e fillimit të tyre nuk ishin vënë re forca policore për t’i parandaluar ato. Si rezultat i ndërhyrjes së forcave policore në orët e vona të së enjtes, situata pak a shumë është vënë nën kontroll. Të lënduar Burime spitalore në Beograd thanë se ndihmë mjekësore kishin kërkuar rreth 90 persona. Prej tyre 21 janë policë. Ndër të lënduarit është edhe një fotoreporter holandez. Ndërkohë, presidenti serb Boris Tadiq, dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë thirrje për qetësim të situatës. Në një apel të transmetuar disa herë nga televizionet e Beogradit, ai tha se kjo që po ndodh, krijon imazh të keq për serbët dhe Serbinë. "Kjo vetëm sa mban Kosovën larg Serbisë," tha presidenti i Serbisë. Dhuna erdhi pas një proteste paqësore nga të paktën 150,000 vetë jashtë ndërtesës kryesore të parlamentit kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Reagime serbe Korrespondenti i BBC-së thotë se gjatë protestës, kryeministri Vojisllav Koshtunica iu drejtua protestuesve duke thënë se Kosova do të mbetet gjithnjë serbe. "Kosova- ky është emër i vërtetë i Serbisë", tha Koshtunica. "Kosova është e Serbisë, i takon popullit serb. Kështu është nga brezi në brez dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Nuk ka forcë, nuk ka kërcënim, nuk ka dënim aq të madh dhe të tmerrshëm që cilido serb të thotë ndonjëherë ndryshe – përveç një dhe vetëm një - Kosova është Serbi,”- tha kryeministri Koshtunica. Ai akuzoi ata që ai i quajti "të fuqishmit e botës" për përpjekje për përçmim të serbëve që ata të bien darkord për tregti pa dinjitet. "Derisa ekziston shteti i Serbisë nuk do ta pranojmë atë që është krijuar me shkeljen e parimeve mbi të cilat mbështetet bota e civilizuar", tha kryeministri serb. "Në atë luftë nuk jemi të vetmuar. Populli serb nuk do ta harrojë miqësinë dhe mbështetjen parimore që ia ka ofruar Serbisë, presidenti Putin në krye të Rusisë” deklaroi ai para protesuesve në Beograd. Me ton të njëjtë foli edhe udhëheqësi i radikalëve Tomislav Nikoliq. Ai u zotua se, sikurse u shpreh, nuk do të qetësohet përderisa Kosova të mos jetë nën kontrollin e Serbisë. “Nuk ka mund Hitleri ta marrë e nuk do të mund ta marrin edhe këta të sotmit. Dhe, ne këtë ia kemi borxh vetes, që dhe ne të jetojmë, që dhe fëmijët tanë të jetojnë që të kenë arsye të kenë fëmijët e vet,”- tha Tomislav Nikoliq. Ai akuzoi SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Nuk ka Serbi, pa Kosovën", u shpreh udhëheqësi i radikalëve serbë. Në tubimin e zhvilluar me moton “Kosova është Serbi” nuk morën pjesë partia e presidentit Tadiq, e aleatit të tij G-17, partia Liberaldemokrate, Socialdemokrate e Vojvodinës dhe partitë e pakicave. Presidenti Tadiq në vend se të marrë pjesë në këtë protestë, zgjodhi Rumaninë për t’i shprehur mirënjohje homolugut të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Më herët ai ishte angazhuar që në këtë miting të mos flasin udhëheqësit partiakë dhe ata shtetërorë, personalitete të shquara nga jeta shkencore, sportive, gjë që nuk ndodhi. | LOKALE Serbët mblidhen në Beograd kundër Kosovës21 shkurt 2008 | Rajoni Qindra serbë sulmuan Shërbimin Policor të Kosovës21 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Ndërkombëtarët akuzojnë serbët për incidentet21 shkurt 2008 | Rajoni Feith kërkon bashkëpunim nga serbët20 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Kosova, fundi i politikës së keqe serbe20 shkurt 2008 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||