BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 20 shkurt 2008 - 11:06 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Feith kërkon bashkëpunim nga serbët
Peter Feith
Feith tha se synimi është të vendoset një mision civil
Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Feith në ditën e parë të punës së tij në Prishtinë ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun ku është e përqëndruar pakica serb.

Beogradi zyrtar dhe serbët në veri të Kosovës kanë kundërshtuar vendosjen e misionit të BE-së dhe kanë kërcënuar se do ta bojkotojnë atë.

Zoti Feith tha se serbët nuk duhet ta shohin misionin e Bashkimit Evropian si kërcënim për jetën e tyre në Kosovë.

"Së bashku me qeverinë ne do të përpiqemi t'u japim sinjale serbëve se ky është vendi ku ata duhet të jetojnë dhe se janë të mirëseardhur të punojnë me të gjithë qytetarët për të ardhmen e Kosovës. Unë do të punoj për këtë qëllim. Synimi i BE-së është të vendosë misionin civil dhe atë për policinë dhe drejtësinë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe veriun", tha kreu i pranisë civile ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, Peter Feith.

Prania civile ndërkombëtare në Kosovë do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, i cili brenda periudhës tranzitore 120 ditëshe do të marrë përgjegjësitë nga Misioni i OKB-së.

Bashkimi Evropian do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes për statusin e Kosovës bazuar në planin Ahtisari, në veçanti pjesën për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Përveç kësaj BE-ja ka miratuar dërgimin e 1800 zyrtarëve të saj në Kosovë në misionin e koduar me emrin EULEX, që do të ndihmojnë autoritetet vendore në fushën e policisë dhe drejtësisë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>