|
"Kosova, fundi i politikës së keqe serbe" | |||||||||||||||||||||||
Shpallja e pavarësisë së Kosovës do të hyjë si datë në historinë e Ballkanit, thotë për BBC-në Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd. Zoti Janjiq, një njohës i mirë i problemeve kombetare të Ballkanit, thotë se çështja e Kosovës nuk mund të trajtohet vetëm si çështje territori, por duhet të merret parasysh popullsia që jeton atje. Seladin Xhezairi i BBC bisedoi me zotin Janjiq në Beograd. BBC: Zoti Janjiq, cili është komenti juaj për atë që ndodhi në Prishtinë - ku të dielën shqiptarët shpallën pavarësinë e Kosovës? Zoti Janjiq: Mund të themi se 17 shkurti është datë e rëndësishme, do të jetë datë historike jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, për Kosovën, por edhe më gjerë për korpusin shqiptar, por edhe për Evropën. U krijua një shtet i ri. Ky është një shtet i cili, nga ky këndvështrim, do të ketë një rrugë të gjatë të forcimit të institucioneve, të njohjes së plotë ndërkombëtare. Por mund të themi se më datën 17 u hap rruga e finalizimit të statusit të pavarur të Kosovës. BBC: Kjo datë, gjithësesi do të jetë e rëndësishme edhe për palën serbe, apo jo? Zoti Janjiq: Po, të them se ai për Serbinë dhe për serbët do të jetë një ndër datat në histori. Njësoj, nëse historinë do ta matim si histori të humbjes së kontriollit mbi Kosovën ose të krijimit apo të ripërtëritjes së shtetshmërisë serbe. Pra, kjo nuk është datë vendimtare fundi i një politike të pasuksesshme. Në thelb ky nuk është vetëm fundi i politikës së Tadiqit e Koshtunicës, por edhe të Millosheviqit, kjo është e njëjta politikë, e cila në të vërtetë kurrë nuk deshi të kuptojë se nuk është vetëm territori, dhe nuk është vetëm një pjesë e qytetarëve, që dikush të bëj shtet dhe të sundojë mbi një territor, atë duhet ta mbështes shumica e qytetarëve, pra edhe shqiptarët. Domethënë, ky është fundi i një politike që nuk shihte se qytetarët e Kosovës janë shqiptarët dhe e dyta, ky është fundi i një politike që Serbinë e mendon si një fuqi rajonale dhe lojtar të proceseve botërore. Serbinë tani e pret ballafaqimi me pasojat. E do të jenë të shumta pasojat negative të humbjes së Kosovës. Do të ketë edhe ndonjë pasojë pozitive por afatshkurtër. Është ky një shkarkim psikologjik që në të vërtetë është presion shtesë për tu ballafaquar me pyetjen çka është Serbia dhe kombi serb në shekullin XX. Kur të ndodhë ky ballafaqim ne do të themi se ndodhi data historike në historinë serbe. Kjo datë nuk është, por është fillim i atij procesi të përshëndetjes nga iluzionet të cilat me të vërtetë jo vetëm që shkatërruan Jugosllavinë por shkatërruan edhe interesin nacional-shtetëror serb në shekullin XX dhe XXI. BBC: A keni ndonjë koment për demonstratat në Beograd, Novi Sad e qytete të tjera të Serbisë. Shumë analistë thonë se në to ndikoi edhe fajlimi i kryeministrit Koshtunica, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në Prishtinë? Zoti Janjiq: Një gjë është e sigurt se dita e parë e zbatimit të atij planit aksional të qeverisë serbe kaloi shumë keq. Është evidente se ai nuk parashikoi këtë mundësinë e shpërdorimit nëpër rrugë të mungesës së ithtarëve të pushtetit dhe atyre që mbështesin politikën e pushtetit se kjo do të mundësoje kalljen e ndërtesave dhe egerësinë e huliganëve. A ka ndikur në këtë Koshtunica apo deklarata e shefit të policisë se nuk do të përdorë forcën, kjo tani nuk është e rëndësishme. Me rëndësi është se në ditën e parë të zbatimit të planit të veprimit u dëshmua se qeveria lëshoi rastin një segment shumë të rëndësishëm - reagimin e pritshëm të njerëzve të cilët ndjehen të mashtruar, të tradhëtuar, të frustruar. Për arsye të ndryshme, edhe për shkak të Kosovës, edhe për shkak të çështjeve të tjera. Kjo që tash po fillon të ndodhënë më duket si diçka e organizuar. Po fillon ti gjasojë "ndodhjes së popullit" dhe do të shohim se a është kjo hyrje në fillimin e forcimit të kryeministrit Koshtunica dhe qeverisë së tij, dhe forcim i radikalit Tomislav Nikoliq dhe njëherësh dobësim i presidentit Tadiq ose kjo është, si të them, e paramenduar që të qetësohet rruga e të shprazet nga huliganët. Vertët nuk jam i sigurt se çfarë domethënie kanë demonstratat e sotme. BBC: Zoti Janjiq, cili është vlerësimi juaj për vendimin e Ministrisë serbe të Punëve të Berndshme që të bëj kallëzim penal kundër udhëheqësve të Kosovës që të dielën shpallën pavarësinë? Zoti Janjiq: Është evidente se kjo është në përputhje me Planin e Veprimit. T'ua rikujtoj se edhe Millosheviqi kishte bërë kallëzime penale kundër Solanës dhe të tjerëve që urdhëruan bombardimin. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||