BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 18 shkurt 2008 - 01:25 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Mbledhja e KS-së për Kosovën pa rezultat
Këshilli i Sigurimit
Në sesionin urgjent të hënën KS do të dëgjojëpresidentin serb
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi konsultime urgjente që nuk dhanë rezultat pas shpalljes së deklaratës për pavarësinë e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndihmojnë për të ruajtur paqen dhe stabilitein në rajon.

Në një deklaratë të shtatë vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit, thuhet se deklarata e pavarësisë së Kosovës, i kishte dhënë fund procesit të negociatave për statusin e provincës.

Përfaqësueit e këtyre vendeve thanë se negociatat kishin shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe se kjo pavarësi nuk do të krijonte precedent.

Ambasadori britanik në OKB, Sër John Sawers, u tha gazetarëve se asnjë prej përfaqësuesve të vendeve të tjera nuk i kishte mbështetur kundërshtimet e Rusisë.

"Asnjë vend nuk mbështeti propozimin nga Rusia që deklarata e pavarësisë të shpallej e pavlefshme. Të gjithë e pranuan se situata duhet të ecte përpara. Jo që të gjithë e mirëpritën, por pjesa më e madhe e pranoi se Kombet e Bashkuara duhet të adaptoheshin në atë që pritet të jetë një situatë e re," tha ambasadori Sawers.

Mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit u thirr me kërkesë të Moskës.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin tha se Rusia dëshiron që misioni i OKB-së në Kosovë të hedh poshtë deklaratën e pavarësisë, sepse ajo është në kundërshtim me rezolutën e kaluar nga Kombet e Bashkuara.

Ai e bëri këtë deklaratë pak para fillimit të një takimit.

"Përsa i takon delegacionit rus, ne do të këmbëngulim në zbatimin e rezolutës 1244 dhe të dokumenteve përkatëse nga udhëheqja e UNMIK-ut dhe në përputhje me këto dokumente, ata duhet ta cilësojnë të pavlefshme shpalljen unilaterale të pavarësisë."

Zoti Churkin shprehu gjithashtu edhe shqetësimet e tij lidhur me situatën në terren në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.

"Shqetësimi ynë ka të bëjë me sigurinë e serbëve dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë dhe ne do të kërkojmë përsa i takon kësaj çështjeje që të njohim punën dhe masat e marra nga prania ndërkombëtare atje. Ne sigurisht që paralajmërojnë për çdo lloj përpjekjeje për masa represive në rast se serbët në Kosovë vendosin që të mos njohin shpalljen ndërkombëtare të pavarësisë," tha zoti Churkin.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se të ngarkuarit special në Kosovë, i ishin dhënë garanci nga qeveria e re dhe pavarur e Kosovës se minoriteti serb do të mbrohej.

Ai shtoi se rezoluta që mandaton rolin e OKB-së atje, mbetet ende në fuqi.

Ambasadori britanik në OKB, Sër John Sawers, tha se roli i paqeruajtëve të OKB-së në Kosovë nuk do të prekej nga ndryshimet në statusin e Kosovës.

"Ne të gjithë pranuam që rezoluta 1244 të mbetet në fuqi, derisa Këshilli i Sigurimit të marrë vendime të ndryshme nga kjo. Çdo gjë që do të bëjmë ne Britania e Madhe dhe partnerët tanë evropianë do të jetë konform rezolutës 1244. Në këtë rezolutë nuk ka asgjë që ta përjashtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës."

Ambasadori belg, në OKB duke folur në emër të grupit të Këshillit të Sigurimit që e mbështet pavarësinë e Kosovës, tha se pavarësia ishte i vetmi opsion i zbatueshëm për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ditën e hënë do të ketë një tjetër sesion urgjent, gjatë të cilit pritet që presidenti i Serbisë të theksojë kundërshtimin e vendit të tij ndaj pavarësisë.

Pas shpalljes së pavarësisë presidenti Boris Tadiç, tha se Serbia nuk e njihte këtë vendim:

"Është një kohë e vështirë për vendin tonë dhe njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi, por duhet të drejtohemi nga arsyeja. Serbia do të marrë disa masa dhe do të bëjë çdo gjë që ka në dorë për ta anuluar këtë shpallje të paligjshme të pavarësisë kosovare. Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Serbia ka reaguar gjithnjë dhe do të reagojë gjithnjë me qetësi, diplomaci, mjete ligjore në mënyrë që të anulojë këtë akt," tha presidenti Tadiç.

Duke folur pas takimit të Këshillit të Sigurimit, zv/ambasadori amerikan në OKB, Alejandro Wolff tha se ishte i kënaqur që qeveria e Kosovës kishte garantuar sigurinë dhe të drejtat e minoritetit serb.

Ai hodhi poshtë edhe kundërshtimet e Rusisë të argumentuara me shqetësimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të krijonte një precendet në terrritore të tjera të diskutuara, si Osetia Jugore, Abkazia dhe Transdnistria.

"Situata është unike. Fakti që Këshilli i Sigurimit kaloi një rezolutë në vitin 1999 që ligjërisht e zhvlerësoi në pjesë të madhe sovranitetin serb mbi Kosovën, është një rast unik. Nuk ekziston situatë tjetër si kjo: fakti që ne kemi një prani administruese të OKB-së në këtë territor," tha zoti Wolff.

LOKALE
Kosova shpall pavarësinë
17 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Misioni i BE-së në Kosovë javën e ardhshme
16 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Antiç - Referimi historik i dyshimtë
17 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Sa efektive është Kosova e pavarur?
15 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>