BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 15 shkurt 2008 - 19:03 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Roli i BE-së dhe sovraniteti i shtetit të ri

Ushtarë të NATO-s
BE do të ketë forcën e saj policore
Pavarësisht kundërshtimit nga ana e Serbisë, Britania e Madhe dhe Amerika, ashtu si edhe shumica e vendeve të BE së, do t'a njohin shtetin e ri kosovar, menjëherë pas shpalljes.

Por siç njofton Alan Little i BBC-së nga Kosova - sovraniteti i shtetit të ri, ka gjasa që të jetë i kufizuar, në një kohë që çështjet e sigurisë dhe të drejtësisë mbeten nën kontrollin e ndërkombëtarëve.

Korrespondenti i BBC shkoi në një dhomë provash të orkestrës filarmonike në Prishtinë, ku po bëhen prova për koncertin e pavarësisë.

Ata me muzikën e tyre do të jenë pjesë e shpresës që tani është aq e fortë dhe drejt realizimit.

"Është një emocion i mrekullueshëm, pasi kemi shumë kohë që e presim të ndodhë një gjë e tillë në Kosovë, shumë vetë po vdesin," thotë një banor i Kosovës.

Por nëse udhëton me makinë për një orë, një harmoni e tillë nuk ekziston.

Njëqind mijë serbët e Kosovës janë të hidhëruar e gjithë mllef - thotë Alan Little i BBCsë.

Ata jetojnë të frikësuar në enklava të shkëputura, vetë qyteti i Mitrovicës është i ndarë nga lumi që shkon mes qytetit. Tre vjet më parë tensioni etnik çoi në tubime.

Për të kaluar urën duhet vetëm një minutë e gjysmë, por pas shpalljes së pavarësisë ky lum në fakt do të jetë barriera e parë ndërkombëtare edhe pse askush nuk do t'a njohë si të tillë. Një banore serbe u shpreh kështu:

" E si mund të ndihem? Unë jam serbe, jetoj këtu, ky është vendi im dhe e pranoj Kosovë Metohinë si pjesë të Serbisë. Unë nuk jam dakort me këtë, jam plot zemërim."

 Ata mund të qëndrojnë këtu, ta pranojnë që jetojnë në vendin e dikujt tjetër ...
Një serbe në Mitrovicë

E pyetur nga Alan Little i BBC-së se çfarë i thotë ajo dy milionë shqiptarëve që me të vërtetë duan të jenë të pavarur, ajo përgjigjet:

" Le të shkojnë në Shqipëri, s'e di. Nëse duan të jetojnë në vendin tonë....mund të gëzojnë të gjithë të drejtat e njeriut, arsimim dhe të gjitha të tjerat. Ata mund të qëndrojnë këtu, ta pranojnë që jetojnë në vendin e dikujt tjetër dhe kështu të vazhdojnë të jetojnë."

Gjashtëmbëdhjetë mijë trupa të NATO-s patrullojnë Kosovën në të dyja anët e ndarjes etnike. Shqiptarët e Kosovës kanë rënë dakort të mos krijojnë ushtrinë e tyre. Siguria do të mbetet në duart e ndërkombëtarëve.

Ky patrullim është një shembull shumë i mirë i natyrës së kufizuar të pavarësisë së kosovarëve pas shpalljes së pavarësisë.

Atyre u kanë thënë evropianët se përgjegjësia për çështjet ushtarake, përsa i përket sigurisë së vendit, do të ngelet në duart e NATOs.

Kjo nuk është diçka që qeveria e Kosovës do t'a marrë nën kontrollin e saj në një të ardhme të afërt. Kufizimet përsa i përket sovranitetit të Kosovës do të shkojnë më tej sigurisë.

BE-ja po dërgon një forcë civile të përberë prej dy mijë trupash për të mbikqyrur sistemin e drejtësisë, policinë dhe gjykatat në Kosovë.

Teknokratët evropianë do të jenë ata që do të jenë udhërrëfyesit për qeverinë e Kosovës gjatë viteve të reformës.

Ata do të kenë mundësinë të vënë veton për qeverinë e zgjedhur, po qe se ajo del nga drejtimi që është aprovuar. Sa kohë do të duhet derisa kosovarët të thonë që kjo nuk është pavarësia për të cilën ne luftuam, pyet Alan Little i BBC-së?

Roy Reeve është drejtues i planifikimit në misionin e BE-së. Ai thotë se ata janë në numër të vogël dhe jo si protektorat i BE-së.

Qëllimi i vetëm i tyre dhe gjithcka që po bëjnë është pjesëmarrje jo vetëm nga autoritetet lokale, por nga i gjithë komuniteti. Të gjitha programet e tyre janë të bazuara në gadishmërinë e lokalëve për të vazhduar me ta.

Do të ofrojnë atë çka nuk kanë strukturat lokale, do të jenë të hapur me publikun dhe ndaj të gjitha pyetjeve të publikut.

Udhëheqësit kosovarë e kanë pritur me kënaqësi misionin e BE-së.

 Ne duam që ata (BE) të qëndrojnë këtu, të punojnë me ne...
Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës

Alan Little i BBC-së u takua me kryeministrin Hashim Thaçi dhe e pyeti nëse kjo ishte liria për të cilën kishin luftuar kosovarët -- apo ishte Bashkimi Europian që drejtonte me pult?

"Ne duam që ata të qëndrojnë këtu, të punojnë me ne për të implementuar standartet e tyre demokratike, por në të njëjtën kohë të ndryshojë rolin, jo vetëm BE-ja të qëndrojë në Kosovë e të jetë në Kosovë, por Kosova të bëhet pjesë e BE-së," - i tha kryeministri Thaçi, Alan Little të BBC-së.

Orkestra filarmonike në Prishtinë ka zgjedhur Bethovenin për të përshëndetur pavarësinë, muzikë që përshtatet me atë çka prisnin ata.

Por është BE-ja që do të duhet të mbajë barrën e vërtetë kur të pushojë muzika. Është një territor i ri dhe i pashkelur më parë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>