BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 04 janar 2008 - 10:26 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Nis punimet Kuvendi i ri i Kosovës

Kuvendi i Kosovës
Nuk dihet nëse në seancë do të marrin pjesë deputetët e pakicave
Kuvendi i Kosovës, i treti që nga koha kur Kosova u vu nën administrimin e OKB-së në vitin 1999, mblidhet të premten në seancën e tij inaguruese.

Deputetët e rinj të Kuvendit, që fituan zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit, pritet të bëjnë betimin në detyrë.

Sipas një rendi dite të përcaktuar në marrëveshje me kryeadministratorin e Kosovës, Joackim Ruecker, Kuvendi duhet të zgjedhë dhe kryesinë e tij, ndërkohë që do të duhej të votonte edhe për qeverinë e re të Kosovës.

Por duket se të premten do të bëhet vetëm betimi i deputetëve.

Në bazë të marrëveshjeve paraparake, seanca e nisur do të vazhdojë punimet në një ditë tjetër, pasi të jetë arritur marrëveshja për koalicionin.

Kuvendi i ri

Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 vende.

Nga këto, 20 janë të ndara për pakicën serbe dhe atë joserbe dhe të tjerat, proporcionalisht mbi bazën e votave të fituara në zgjedhje.

Partia që ka fituar shumicën e votave, ajo Demokratike e Hashim Thaçit, ka marrë 37 vende kurse Lidhja Demokratike, që ka qeverisur me Kosovën në këto tetë vitet e kaluara, ka marrë 25 vende.

Serbët e Kosovës, që përgjithësisht kanë bojkotuar zgjedhjet e 17 nëntorit, pritet që të përfaqësohen në Kuvend nga një numër partish të vogla serbe.

Por nuk dihet nëse këto parti do të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit.

Ndërkohë, emri më i përfolur për kryetar të Kuvendit është ai i sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqi.

Negociatat

Por mbledhja e së premtes, përveç aktit solemn të betimit të deputetëve të rinj, nuk do të bëjë inagurimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Takime të ngjeshura mes krerëve të Partisë Demokratike, që ka fituar shumicën e votave dhe Lidhjes Demokratike, të përzgjedhur për partner koalicioni, janë zhvilluar në ditët e kaluara dhe pritet që ato të vazhdojnë.

Partia Demokratike e Hashim Thaçit, thotë se ka përcaktuar kriteret e saj për partneritet qeverisës dhe ka fajësuar Lidhjen Demokratike për mosarritjen e marrëveshjes për koalicionin.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi ka rradhitur një numër arsyesh pse partneri i përzgjedhur, LDK-ja, nuk ka arrtitur marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Por LDK-ja, thotë se do që të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme politike dhe që do t'i hapë rrugën funksionalitetit të qeverisë së re në Kosovë.

Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari thotë se bisedimet për koalicionin qeverisës po bëhen për modalitet e ndarjes së posteve ministrore mes partnerëve në koalicion.

Koalicioni

Marrëveshja për koalicionin qeverisës të Kosovës do të arrihet vetëm pasi dy partitë të përafrojnë qëndrimet.

Kuadri ligjor i Kosovës nuk parashikon ndonjë afat ligjor për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve.

Por bazuar në momentin politik në të cilin ndodhet Kosova, mund të pritet që qeveria e re të krijohet shpejt.

Kjo për faktin se edhe një mision i BE-së, do të duhej të vendosej në Kosovë për të zëvendësuar misionin tanishëm të OKB-së.

Një vendim për misionin e BE-së pritet të merret në fund të janarit në një mbledhje të nivelit ministror të BE-së.

Dritën e gjelbër për misionin do të duhej ta jepte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Serbia dhe Rusia kanë deklaruar se do të kundërshtojnë cdo përpjekje të vendosjes së një misioni të tillë në Kosovë pa mbështetjen e KS të OKB-së.

LOKALE
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>