BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 08 dhjetor 2007 - 09:15 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kosova në raundin e dytë të zgjedhjeve

Qendër votimi
Mbi një milion veta janë regjistruar për të votuar
Në Kosovë zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e 23 komunave. Më shumë se një milion votues do të kenë mundësinë të përcaktohen për njërin nga kandidatët e këtyre komunave, që nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të votave për t'u zgjedhur në rrethin e parë.

Gara më e fortë paraqitet në komunën e Prishtinës, ku garojnë kandidati i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidati i PDK-së, Fatmir Limaj. Zoti Limaj kishte pasur një përqindje më të vogël të votave në raundin e parë. Një garë e fortë pritet të zhvillohet edhe në Mitrovicë, në Prizren dhe në Therandë, ku vlerësohet se rezultati mund të jetë tepër i ngushtë.

Arianit Osmani zëdhënës i KQZ-së, tha se vendvotimet ishin hapur me kohë dhe se nuk kishte pasur asnjë telash në fillimin e procesit të votimit. Ai paralajmëroi se rreth orës 16.00 do të jepeshin rezultatet e para të daljes në votime.

Korrespondentët e BBC-së në Shqip nga Prizreni, Mitrovica, Gjilani, Peja dhe Prishtina kanë njoftuar se në orën e parë të votimit ka pasur një numër pothuaj simbolik të votuesve.

Është hera e parë që kryetarët e komunave zgjidhen në votime të drejtpërdrejta dhe se ata do të kenë kompetenca shumë më të mëdha se më parë. Mandati i tyre do të jetë dy vjecar.

Zgjedhjet e së shtunës për kryetar komunash, vlerësohen të rëndësishme edhe për faktin se rezultati i tyre mund të ketë ndikim në koalicionet e mundshme për qeverinë në nivelin qëndror.

Hashim Thaçi që ka pasur numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 17 nëntorit, ka deklaruar se bisedimet për krijimin e qeverisë së re do të fillojnë menjëherë javën e ardhshme.

Në këtë rreth zgjedhjesh, nuk do të ketë votime në tri komuna të Kosovës, në Skenderaj, në Drenas dhe në Novobërdo, ku kanë fituar kandidatët e PDK-së, sikundër që nuk do të votohet as në vendbanimet serbe.

Çështjen e udhëheqjes së komunave më shumicë serbe e ka zgjidhur shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, duke ua zgjatur mandatin udhëheqjeve aktuale edhe për gjashtë muaj.

E veçanta e zgjedhjeve në nivelin lokal ka qenë se Partia Demokratike e Kosovës, që deri më tash ka qenë në opozitë, e ka numrin më të madh të kandidatëve të saj në balotazh, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka përqindjen më të lartë në dy prej pesë qyteteve më të mëdha të Kosovës, në Pejë dhe Gjakovë.

Përqindja e votuesve në raundin e parë ishte më e ulta në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Analistët vërejnë se pjesmarrja në votimet e së shtunës mund të jetë akoma më e ulët, por vlefshmëria e këtyre zgjedhjeve nuk do të varet nga përqindja e votuesve.

LOKALE
Kosova në raundin e dytë të zgjedhjeve
08 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve
07 dhjetor 2007 | Rajoni
Ruecker zyrtarizon rezultatin e zgjedhjeve
05 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>