BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ruecker zyrtarizon rezultatin e zgjedhjeve
Shefi i UNMIK-ut, Joackim Ruecker
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joackim Ruecker, ka zyrtarizuar rezultatet e zgjedhjeve të 17 Nëntorit, të paraqitura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por vetëm për nivelin qendror.

Me një vendim të posacëm Joackim Ruecker ka vendosur që të mos zyrtarizojë rezultatet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes shumë të vogël të votuesve serbë në zgjedhje.

Duke u thirrur në Rezolutën 1244 dhe përgjegjësitë që atij i jepen, zoti Ruecker ia ka zgjatur mandatin deputetëve të përbërjes së vjetër të Kuvendeve komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, për një periudhë të përkohshme gjashtë muajshe.

Ndërkohë në Shtërpce, një vendbanim me shumicë serbe, 60 kilometra në jug të Prishtinës, zoti Ruecker ka vendosur që ta emërojë për kryetar të Komunës një përfaqësues serb.

Në një vendbanim tjetër me popullatë të përzier, në Novo Bërdë, shefi i UNMIK-ut e ka emëruar një përfaqësues shqiptar në postin e kryetarit të komunës kurse sipas vendimit shumica në Kuvendin Komunal do të jetë serbe.

Zoti Ruecker ka thënë se vendimi që ka marrë për komunat me shumicë serbe, është i përkohshëm dhe e ka cilësuar atë si përfaqësim të drejtë të pakicave në institucione.

"Vendimi im bazohet mbi parimin se është e nevojshme të sigurohet se bashkësitë duhet të përfaqësohen në një mënyrë të barabartë në strukturat komunale.

 ....na duhet të mbështesim të drejtën e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe si parim tjetër ne duhet të dërgojmë porosi tek ata që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje se nuk do të shpërblehen.
Joackim Ruecker

"Gjithashtu na duhet të mbështesim të drejtën e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe si parim tjetër ne duhet të dërgojmë porosi tek ata që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje se nuk do të shpërblehen" ka thënë Ruecker në vendimin e tij.

Por vendimi i shefit të UNMIK-ut për zgjatje të mandatit të deputetëve në veri të Kosovës është cilësuar si i ngutshëm nga përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili ka shfaqur drojën e tij se ai mund të mos pranohet nga vetë serbët e Kosovës.

Zoti Ivanoviq ka theksuar se vendimi do të duhej të merrej në bashkëpunim të drejtpëdrejt me ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

"Ekziston rreziku që serbët të mos e pranojnë një zgjatje të tillë të mandatit dhe pastaj UNMIK-u do të detyrohet të gjejë dikë tjetër dhe kjo do të nënkuptonte një pushtet të dyfishtë në mesin e serbëve. Një gjë e tillë është gjithnjë një lloj nxitje për konflikte ndërmjet tyre", ka thënë Ivanoviq,

Sipas tij ka qenë e ditur se mandantin e kryetarit në Novo Bërdës do ta marrë një përfaqësues shqiptar, bazuar në numrin e pjesëmarrjes së votuesve në këtë komunë. Por problemin më të madh zoti Ivanoviq e sheh në komunën e Shtërpces ku do të ketë, sipas tij, ndryshime në raportet e forcave.

"Është më se e sigurt se edhe në Shtërpcë do të vihet deri tek ndryshimet e caktuara dhe kjo nënkupton dobësim të raportit të forcave politike të serbëve, që do të mund të fuste tek ata një arsye shtesë për pasiguri dhe paqëndrueshmëri.

Mendoj se mospjesëmarrja në zgjedhje ka sjellur pasoja të mjaftueshme për komunitetin serb dhe kjo mund të jetë një arsye shtesë që një pjesë e qytetarëve serbë që jetojnë në Shtërpcë, të vendosin të ikin", ka thënë Ivanoviq.

Një numër shumë i vogël i serbëve të Kosovës ka marrë pjesë në zgjedhjet e 17 Nëntorit duke iu përgjigjur thirrjes së Beogradit zyrtar për bojkotim.

Një numër i vogël i partive politike serbe kanë arritur të mbledhin vota për t'u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe ato do të ndajnë 10 vendet e rezervuara për këtë bashkësi në përputhje me Kornizën Kushtetuese.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>