|
Çeku"Kosova e gatshme të ecë jashtë KS" | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka deklaruar se ka filluar të humbasë besimi se KS i OKB-së mund të gjejë një zgjidhje të pranueshme për Kosovën. Sipas tij me Rezoluta gjysmake nuk mund të ofrohen zgjidhje të qëndrueshme. Në një bisedë me BBC-në, zoti Çeku ka thënë se sipas rrjedhave të deritashme shihet se është e pamundur të ecet rrugës përmes Këshillit të Sigurimit, por ka shtuar se Kosova është e gatshme të ecë rrugës së vështirë jashtë këtij Këshilli. Kryeministri i Kosovës ka qëndruar në Bruksel së bashku me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku ka takuar udhëheqësit e lartë të BE-së, në mesin e të cilëve edhe shefin e diplomacisë evropiane, Javier Solana. Arbër Vllahiu bisedoi me kryeministrin Çeku dhe fillimisht e pyeti se çfarë është thënë në takimet e Brukselit? Çeku: Deri më tash BE-ja ka qenë konstruktive dhe ka arritur një unitet rreth mbështetjes së paketës së Ahtisaarit, por situate ka ardhur në një, ta quaj, pat pozicion. Në të gjitha takimet që kishim ne kërkuam mundësitë se si të zhbllokohet procesi dhe si të arrihet një zgjidhje sa më e shpejt për Kosovën. Ekziston një përkushtim i BE-së në mbështetje të paketës së Ahtisaarit, por gjithashtu ekziston edhe një përkushtim i tij që zgjidhja të kërkohet përmes KS të OKB-së. Por ne kemi një qasje tjetër. Ne mendojmë se është e qartë gjithnjë e më shumë se nuk mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme përmes Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, të paktën në një afat të shkurtër. BBC: Zoti kryeministër! Aangazhimi juaj duket të ketë qenë edhe në kundërshtimin e bisedimeve shtesë kur bëhet fjalë posaçërisht për statusin, apo pavarësinë e Kosovës? Ceku: Ne argumentuam këtu se shtyrjet ose bisedimet janë plotësisht të panevojshme dhe nuk mund të sjellin asnjë rezultat dhe se janë lëshime të kota që po i bëhen Moskës dhe Beogradit dhe me këtë vetëm po ndihmohet propaganda e iluzioneve të Beogradit. Ne thamë se mund të takohemi me palën serbe, sepse jemi fqinj, dhe duam të kemi marrëdhënie fqinjësore, si dhe kemi tema për të cilat mund të bisedojmë dhe ato janë tema që i përkasin marrëdhënieve të mira fqinjësore, por asesi rreth statusit. Statusi për ne do të thotë pavarësi dhe pavarësia për ne është e panegociueshme. Mendoj se këtë porosi e kanë marrë edhe bashkëbiseduesit tanë. BBC: Zoti kryeministër, ja keni bërë me dije ju bashkëbiseduesve tuaj në Bruksel se durimi në Kosovë po humbet? Çeku: Po ne ju kemi bërë me dije se Kosova është gati, se ajo s'mund të presë dhe se kërkon një lëvizje të menjëhershme. Ne e thamë edhe këtë se po e shohim se është e pamundur rruga përmes Këshillit të Sigurimit dhe se rrugët e tjera janë të vështira. Por në mes të pamundurës dhe të vështirës, ne preferojmë ta zgjedhim të vështirën dhe jemi të gatshëm të ecim rrugës së vështirë. BBC: Nëse mund të jeni më të saktë, çka nënkupton rruga e vështirë për ju? Çeku: Rruga e vështirë është një zgjidhje jashtë KS të OKB-së, në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në. Thjesht, këtu kemi një përshtypje se edhe SHBA-ja edhe BE-ja po presin që dikush të lëvizë i pari dhe nuk e kanë gadishmërinë që të lëvizin të parët. Gadishmëria e tyre më duket se është të lëvizin të dytët. Dhe ne e kemi këtë gadishmëri që të lëvizim të parët në qoftëse nuk ka një zgjidhje tjetër, ne shprehim këtë gadishmëri. BBC: Pra ju e keni humbur besimin se mund të dalë një Rezolutë përmes Këshillit të Sigurimit që njeh pavarësinë e Kosovës? Çeku: Ne jemi duke e humbur besimin se KS mund ta gjejë një zgjidhje të pranueshme. Ata mund ta miratojnë një farë Rezolute, por nuk besoj se me Rezoluta gjysmake mund të ofrohen zgjidhje. BBC: Pra ju Rezolutën që po përgatitet e quani gjysmake? Çeku: Nuk i kemi të gjitha informacionet se cfarë përmban kjo Rezolutë, por ajo pritet që së shpejti të bëhet publike dhe atëherë mund të themi më shumë. Por ne kerkojmë një Rezolutë me të cilën do të miratohej paketa e Ahtisaarit dhe e cila do të na jepte të drejtën neve që ta shpallim pavarësinë. Dhe vetëm një Rezolutë e tillë neve na kënaq. | LOKALE Çeku kërkon afat për pavarësinë e Kosovës11 korrik 2007 | Faqja Kryesore Krerët kosovarë për bisedime në Bruksel11 korrik 2007 | Faqja Kryesore Paralajmërim i kreut të OKB-së për Kosovën10 korrik 2007 | Faqja Kryesore Ende mendime të ndryshme për statusin10 korrik 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||