BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 03 korrik 2007 - 08:43 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ruecker kërkon përshpejtim të statusit

Harta e Kosovës
Statusi i Kosovës ende në negociata në Kombet e Bashkuara
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Reucker përmes një letre dërguar zyrtarëve të lartë ndërkombëtare, ka bërë thirrje për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës.

Zoti Reucker në letrën dërguar ministrave të jashtëm të disa shteteve, shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hop Schefer u shpjegon atyre situatën në Kosovë dhe kërkon mbylljen e procesit të statusit.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka kërkuar përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, pas paralajmërimeve për një shtyerje të re të vendimit në Këshillin e Sigurimit.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Reucker pak ditë më parë u ka dërguar një letër zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilëve u ka bërë thirrje që t'i japin fund procesit për zgjidhjen e statusit.

Shefi i zyrës për informim në UNMIK, Aleks Ivanko ka përgënjeshtruar raportet në media, të cilat thonë se z.Reucker ka kërkuar ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, pasi siç thuhet "situata mund të dalë nga kontrolli".

"Para 10 ditëve zoti Reucker u ka dërguar një letër ministrave të jashtëm të disa vendeve dhe kopja u është dërguar edhe z.Solana dhe z.Schefer, duke kërkuar nga ata që ta përmbyllin në kohë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Letra është pjesë e aktiviteteve të z.Reucker për t'ua shpejguar situatën në terren zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë.

Sidoqoftë letra nuk përmend asgjë për dhunën apo trazirat e mundshme siç është cituar në shtyp", tha zoti Ivanko.

Ai tha se Misioni i OKB-së në Kosovë vazhdon të shpresojë në miratimin e shpejtë të rezolutës në Këshillin e Sigurimit dhe ruajtjen e qetësisë.

"Situata ka qenë e qetë, madje edhe në protestën e lëvizjes Vetëvendosje të shtunën nuk kishte më shumë se 500 njerëz. Ne mirëpresimin maturinë që po tregojnë qytetarët e Kosovës për këtë shtyerje fatkeqe, por ne shpresojmë se statusi do të zgjidhet shpejtë", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleks Ivanko.

Në fund të javës së kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Schefer bëri një vizitë të shkurtër në Kosovë, për të bërë thirrje për durim dhe qetësi pas propozimit të Këshillit të Sigurimit për shtyerjen e zgjidhjes për disa muaj.

Vizita e z.Schefer në Kosovë, është bërë pas letrës që ai ka marrë nga z.Reucker lidhur me situatën në terren, e cila po tregonte shenja të rritjes së pakënaqësisë dhe tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Diplomaci lindore

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Arsenij Jacunjek takohet të martën në Prishtinë me krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, për të diskutuar mbi procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Diplomati ukrainas do t'i bëjë një vizitë edhe trupave paqëruajtëse të Ukrainës, që veprojnë në kuadër të forcës së NATO-s në Kosovë.

Zoti Jacunjek vjen në Prishtinë pas vizitës të hënën në Beograd, ku ka thënë se Ukraina dëshiron të jetë mikëpritëse e një konference ndërkombëtare për konfliktet e ngrira, përfshirë edhe Kosovën.

Mediat serbe nuk kanë transmetuar qëndrimin e Kievit zyrtar për statusin e Kosovës.

Pavarësi e paevitueshme

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka thënë se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme dhe e paevitueshme.

Ai deklaroi se Ekipi Negociator i Prishtinës nuk ka mandat të negociojë pavarësinë e Kosovës, që sic tha ai, është vullnet i shumicës shqiptare dhe pakicave joserbe.

Në fjalimin e tij javor në radio, kryeministri Çeku vuri në dukje se procesi i zgjidhjes së statusit nuk varet nga udhëheqësit e Kosovës, por ai premtoi angazhimin e palës kosovare në përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi.

Sipas tij, pala kosovare ka detyrime ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhohet me partnerët ndërkombëtarë për procesin që garanton njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

LOKALE
Bush-Putin diskutojnë për diplomacinë
02 korrik 2007 | Faqja Kryesore
Masa të rrepta sigurie në Kosovë
28 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Rezoluta mund të votohet këtë javë
26 qershor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>