BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
'Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme'
Rosemarz diCarlo
ShBA mbështetë planin e Ahtisaarit
Zëvendësndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Rosemary DiCarlo ka përsëritur qëndrimin e qeverisë amerikane se pavarësia e Kosovës është e pashmagshme dhe se kthimi i Kosovës nën qeverisjen e Serbisë nuk është i mundshëm.

Ajo i tha BBC-së se Evropa dhe SHBA-ja e përkrahin planin Ahtisaari dhe se po bëhen përpjekje që cështja e Kosovës të zgjidhet në KS të OKB.

Zonja DiCarlo ka thënë se është arritur ujdia që palëve t'u ofrohet edhe një mundësi e bisedimeve dhe në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje atëherë do të pranohet plani i Ahtisaarit.

Zëvendësndihmës-Sekretarja amerikane e shtetit ka qëndruar në Bosnjë e Hercegovinë pak ditë më parë dhe u ka bërtë thirrje autoriteteve në rajonin e Ballkanit që të bashkëpunojnë në dorëzimin e kriminelëve të luftës.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zonjën DiCarlo dhe fillimisht e pyeti se sa ka patur përparim në Bosnjë që nga Marrëveshja e Dayton-it.

DiCarlo: Që nga Marrëveshja e Dayton-it, ka patur një përparim të madh. Por në një vit e gjysmë të fundit ne kemi parë se shumë cështje kanë ngecur. Reformat kanë ngecur dhe posacërisht reformat në polici, që janë çelësi për Bosnjë e Hercegovinën të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të shqetësuar se ka patur ngecje në përparim në fushën e reformave. Ne duam të shohim intensifikim të zbatimit të decentralizimit, që ishte një arritje historike në Bosnjë e Hercegovinë.

BBC: Me siguri se një nga temat që keni diskutuar në Bosnjë ka qenë edhe ajo e krimninelëve të luftës, posacërisht të Ratko Mladiqit dhe Radovan Karaxhiqit. Çfarë është bërë deri tani?

DiCarlo: Sic e dini ne duam që të gjithë të arratisurit që kanë mbetur të dorëzohen në Hagë për t'u përballur me drejtësinë. Na vjen mirë të shohim që në muajin e fundit, dy të arratisur të tjerë janë kapur dhe janë dërguar në Hagë. Por ne nuk do të pushojmë deri sa të shohim të gjithë të arratisurit të jenë dorëzuar në Hagë. Ne shpresojmë se të gjitha autoritetet në rajon po bashkëpunojnë dhe se kjo do të ndodh në një të ardhme të afërt.

BBC: Po thoni të gjitha autoritetet në rajon. Këtu i drejtoheni qeverisë në Beograd , e cila qe akuzuar edhe nga prokurorët e Hagës se nuk po bashkëpunon?

DiCarlo: Natyrisht Serbia duhet të bëjë më shumë për të bashkëpunuar, dhe kanë bërë përparime në javët e fundit por duhet të bëjnë më shumë. Bosnja ka bashkëpunuar gjithashtu edhe Mali i Zi qe përfshirë në bashkëpunim. Na duhet të shohim një bashkëpunim të këtillë në rajon për të arritur objektivat për të cilat ne shpresojmë.

BBC: Pra tash Serbia po përballet njëkohësisht me dy cështje. Me Hagën dhe me Kosovën?

DiCarlo: Natyrisht se Serbia po përballet me sfida të vështira në këtë moment. Por ajo është përballur me sfida për një kohë tashmë, kryesisht në fushën e kriminelëve të luftës, të arratisurve dhe kjo është një gjë të cilën ia ka bërë shumë të qartë bashkësia ndërkombëtare Serbisë për disa vite me radhë se dorëzimi i të arratisurve është çelësi për të ardhmen e Serbisë, për pajtimin në Serbi dhe në rajonin e Ballkanit. Ne shpresojmë se qeveria e re do të vazhdojë rrugën e ndërmarrë që vërtetë të dorëzojë të gjithë ata që janë të arratisur. Sa i përket Kosovës, është e qartë se ajo është një cështje shumë e vështirë, edhe për Serbinë. Por ju e dini qëndrimin tonë dhe presidenti Bush e ka bërë shumë të qartë se ne e shohim pavarësinë e Kosovës si të pashmangshme.

BBC: Kjo është kështu për presidentin Bush dhe administratën amerikane por jo edhe për Rusinë dhe Serbinë!

DiCarlo: Mendoj se është shumë e qartë se Evropa dhe SHBA e përkrahin planin Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ka punuar shumë, gjatë një viti e gjysmë që të hartojë propozimet që do të sigurojnë një Kosovë shumëkombëshe, që do të ofrojnë të drejtat për të gjithë në Kosovë dhe që do ta zgjidhnin këtë cështje që ka mbetur e hapur për disa vjet.

BBC: Zonja DiCarlo, duket se ka një problem në kalimin e një projekt-Rezolute për Kosovën, e cila së fundi ka qarkulluar në KS. Duket se rusët nuk po heqin dorë nga kundërshtimi. Cili ëhstë hapi i ardhshëm?

DiCarlo: Është e qartë se diskutimet do të vazhdojnë në New York . Ne mendojmë se kemi paraqitur një casje shumë të drejtë, ne kemi një mbështetje të gjërë në KS për këtë casje. Do të vazhdojmë të diskutojmë për këtë cështje me Rusinë dhe me anëtarët e tjerë të KS dhe ne do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë cështje edhe me palët dhe duam që ta shohim këtë cështje të zgjidhur. E kuptojmë se kjo nuk është një cështje e lehtë për Serbinë dhe as për Kosovën, por që të kemi përparim në rajon kjo cështje duhet të zgjidhet.

BBC: Pra ju qëndroni fuqishëm në deklarimet se Kosova nuk mund të kthehet më nën Serbi?

DiCarlo: Është shumë e qartë për ne se kthimi i Kosovës nën qeverisjen e Serbisë nuk është e mundshme.

BBC: Zonja DiCarlo kur e prisni miratimin e Rezolutës për Kosovën? Para apo pas takimit të presidentëve Bush e Putin në SHBA?

DiCarlo: Unë nuk mund t'jua them këtë dhe nuk dua që të spekulojë. Ajo që mund t'ju them është se ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë intensive që ta zgjidhim këtë cështje sa më shpejt të jetë e mundur.

BBC: Kjo nënkupton se projekt-Rezoluta e re parasheh një periudhë prej 120 ditësh shtesë të bisedimeve. Pra ju mendoni se 120 ditë më shumë janë të mjaftueshme të zgjidhin cështjen?

DiCarlo: Po ne mendojmë kështu. Ne e dimë se disa vende duan që t'u japin më shumë mundësi palëve t'i afrohen një marrëveshje, nëse është e mundshme. Ne e respektojmë këtë qëndrim dhe mendojmë se lejimi i bisedimeve për një kohë të kufizuar është e mundshme.

BBC: Por për 18 muaj të bisedimeve nuk ka patur marrëveshje prandaj prisni ju se do të ketë për 120 ditë të ardhshme?

DiCarlo: Është e qartë nga qëndrimi i një numri të madh të anëtarëve të KS se nëse nuk ka një marrëveshje atëherë do ta pranojmë planin që ndodhet në tavolinë dhe ai është plani i Ahtisaarit.

BBC: Por a e ka perëndimi një plan B për cështjen e Kosovës?

DiCarlo: Ne po e shtyjmë tani Rezolutën në KS dhe të gjitha përpjekjet tona janë përqëndruar këtu.

BBC: Pra ju spo mendoni asnjë gjë jashtë Rezolutës?

DiCarlo: Sikur e thash qëllimi ynë tash për tash është të punojmë përmes KS dhe nuk dua të spekulojë rreth cështjeve të tjera. Ne duam që të vazhdojmë diskutimet tona në Neë York dhe duam ta zgjidhim këtë cështje. Mendojmë se kemi një plan shumë të mirë në tavolinë, pra planin e presidentit Ahtisaari. Ne e kemi pranuar dëshirën e disa anëtarëve të KS për bisedime të mëtejme por ne duhet të përqëndrohemi në përpjekjet tona në vitet e fundit, pra në afro dy vjetët e fundit.

BBC: Dhe së fundi. A mendoni se fundi i këtij viti është koha më reale për ta zgjidhur problemin e Kosovës?

DiCarlo: Nuk mund të spekulojë dhe sikundër e thash ne duam që ta zgjidhim këtë sa më shpejt të jetë e mundur.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>