BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 07 qershor 2007 - 18:02 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Zgjidhja mund të ofrohet në korrik
Soren Jessen Petersen
Petersen thotë se dueht vendim i shpejtë për Kosovën
Ish kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka theksuar se problemet mes Washingtonit dhe Moskës, përfshirë çështjen e Kosovës, do të mund të zgjidhen në takimin Bush-Putin në fillim të korrikut në SHBA.

Në një intervistë me BBC-në, Jessen-Petersen ka thënë se samiti i G8-s nuk do të vendosë për të ardhmen e Kosovës, sepse deklarimet e zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë për Kosovën, kanë qenë të fuqishme.

Por zoti Jessen-Petersen ka thënë se nëse Rezoluta për Kosovën nuk kalon në KS të OKB-së, për shkak të vetos ruse, atëherë duhet të shihen mundësitë se si të ecet përpara.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Jessen-Petersen dhe fillimisht e pyeti se ku e sheh ai daljen nga situata e krijuar rreth Rezolutës për Kosovën?

Jessen-Petersen: Sikur e thoni, ne të gjithë po presim dhe po shpresojmë se diçka do të dalë nga takimi i G8 në Gjermani, që do të mundësonte ecjen me shpejtësi rreth kësaj çështjeje. Njëkohësisht unë jam i shqetësuar, jo me përfundimin sepse ai është i qartë dhe ai është propozimi i Ahtisaarit dhe madje as Rusia, unë besoj se ka ndonjë alternativë, por shqetësimi im është se alternativa duket të jetë vetëm zvarritja dhe shtyrja si dhe blerja e kohës. Unë nuk mendoj se është në interes të ndokujt. Është e qartë se nuk është në interes të Kosovës, nuk e besoj të jetë në interes të Serbisë dhe as të rajonit. Sa më shpejtë që Serbia dhe Rusia ta kuptojnë se e vetmja rrugë përpara është rruga e Ahtisaarit, aq më mirë do të jetë dhe rajoni do të normalizohet dhe do të ecë përpara më shpejtë.

BBC: Në fillim Kosova nuk ishte paraparë të jetë pjesë e diskutimeve në samitin e G8. Por zhvillimet e fundit e kanë bërë atë të jetë në krye të agjendës. E besoni se ky takim do të vendosë për të ardhmen e Kosovës?

Jessen-Petersen: Jo! Unë do të doja që ata ta bëjnë këtë. Por mendoj se tani ka patur deklarata të fuqishme kryesisht nga Washingtoni me qëndrimin shumë të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe nga Rusia me qëndrimin shumë të fuqishëm kundër. Unë mendoj se Washingtoni dhe Moska në shumë mënyra po e çojnë vetveten në kënd. Dhe kjo duhet të zgjidhet dhe mbase do të zgjidhet kur Bushi dhe Putini të takohen këtu në SHBA në fillim të korrikut.

BBC: Pra para korrikut nuk do të shohim zgjidhje të problemit të Kosovës?

Jessen-Petersen: Ne të gjithë pajtohemi, dhe kam parë se Ekipi i Unitetit dhe autoritetet në Kosovë gjithashtu pajtohen, se është e preferueshme që të ecet përpara mbi bazën e veprimeve të KS. Por në anën tjetër, nëse KS vendos ta vë Rezolutën për Kosovën në agjendë, dhe nëse ajo nuk do të miratohet, e kjo mund të bëhet vetëm nëse ka një veto nga Rusia, atëherë duhet të shihen mundësitë se si të ecet përpara, sepse ne duhet të ecim përpara.

BBC: Pra ka një plan tjetër dhe ai është plani B?

Jessen-Petersen: Unë nuk e dua këtë plan B, sepse mendoj se ka vetëm një plan dhe ai është propozimi i Ahtisaarit dhe mendoj se të gjithë pajtohen se ai është një propozim shumë i mirë. Kam parë se madje edhe presidenti Putin, kur ka kundërshtuar pavarësinë, ka thënë publikisht se ai nuk ka asnjë ide tjetër. Pra nuk ka ide të tjera. Nëse nuk mund të ecim përpara me planin më të mirë dhe të vetmin, atë të Ahtisaarit, që edhe është plani A, ne ende duhet të gjejmë mënyra për të ecur përpara.

BBC: A mund të jeni pak më shumë të qartë rreth kësaj. A jeni duke folur për shpalljen e pavarësisë në mënyrë të njëanshme në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj të fillojë faza e njohjes së Kosovës nga vendet e botës?

Jessen-Petersen: Unë nuk dua të spekuloj rreth kësaj, sepse unë besoj në KS dhe në anëtarët e tij. KS është një organ serioz dhe anëtarët e tij marrin përgjegjësitë e tyre seriozisht. Unë do të doja të besoja se në fund të fundit ata të gjithë e kuptojnë se veprimi në atë mënyrë që pengon ecjen përpara do të përcajë KS. Nëse cilido shtet vepron në një mënyrë të tillë, unë besoj se do kjo të jetë e papërgjegjshme, sepse pasojat do të jenë shumë serioze, nëse nuk ecet përpara. Pra pasojat do të jenë të mëdha jo vetëm për Kosovën por për gjithë rajonin. Ne e kemi parë se si Maqedonia ka dalë qartë në favor të Ahtisaarit, të gjitha vendet e rajonit kanë dalë në përkrahje të propozimit të Ahtisaarit, sepse të gjitha po mbahen peng të zgjidhjes së Kosovës.

BBC: Zoti Jessen-Petersen po shihet se rusët nuk po tërhiqen. A ka ndonjë gjasë që Rusia të izolohet në KS?

Jessen-Petersen: Jo nuk ka mundësi, sepse Rusia është një nga pesë anëtarët e përhershëm me fuqinë e vetos. Ashtu si e kam thënë shumë herë më parë, Rusia është një vend shumë i rëndësishëm. Jam i sigurt se Rusia merr përgjegjësitë seriozisht. Por ajo që nuk e kuptoj është se Rusia po vazhdon të flas për nevojën e kompromisit. Por derisa Serbia e ka thënë se pavarësia për Kosovën është e papranueshme, dhe Rusia është pajtuar me këtë, e kuptoj si diçka jo të sinqertë për të folur për nevojën e kompromisit, sepse kjo nënkupton se është jashtë asaj që është propozuar dhe që duket të jetë zgjidhja e vetme. Pra kërkesa për kompromis dhe për marrëveshje mes Serbisë dhe Prishtinës, megjithëse është e bukur në fjalë, është në kundërshtim me realitetin. Mendoj se ky qëndrim nuk është i sinqertë.

BBC: Nëse ju pyes drejtpërdrejtë, a do të më jepnit një përgjigje të tillë. Kur e prisni që të miratohet Rezoluta për Kosovën?

Jessen-Petersen: Unë do të doja që t'ju përgjigjesha drejtpërdrejtë si ma shtruat pyetjen, por unë nuk jam anëtar i KS. Unë nuk kam asnjë informacion të plotë që do të më mundësonte të përgjigjesha qartë ashtu siç do të kisha dëshirë. Por unë do të them se secili tani, dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të KS, të gjithë e kuptojnë, se na duhet një vendim i shpejtë. Unë gjithashtu shpresoj se Rusia do ta kuptojë se duke e shtyrë këtë nuk është në interes të normalizimit dhe stabilizimit në rajon dhe as në interes të Evropës.

BBC: Por çka nëse kjo zvarritet deri në shtator, ashtu siç ka patur paralajmërime?

Jessen-Petersen: Sërish nuk dua të spekulojë. Atë që mund të them është se kam qenë shumë i impresionuar me mënyrën se si udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës janë përballur me këtë paqartësi. Mendoj se ata sërish, ashtu siç e kam parë shumë shpesh gjatë dy viteve të mia atje, kanë treguar një pjekuri të admirueshme dhe një durim të admirueshëm. Le ta kujtojmë këtu se si sot e tetë vjet më parë Rezoluta 1244 e KS qe miratuar. Dhe për qytetarët e politikanët të presin tetë vjet për pavarësinë mendoj se ishte një pjekuri e madhe dhe një përgjegjshmëri e madhe. Dhe nëse do të ketë edhe pak muaj, jam i sigurt se qytetarët do të dinë se si të përballen me këtë sepse ne të gjithë e dimë se cili do të jetë rezultati dhe ai është pavarësia. Nëse duhet të pritet pak ditë më gjatë mendoj se ata do ta bëjnë këtë. Por unë mendoj se pikërisht për faktin se ne e dimë, dhe nuk mund ta imagjinoj se Serbia dhe Rusia nuk e dinë, ne të gjithë e dimë se si do të përfundojë kjo, nuk e kuptoj prandaj se pse po e shtyjmë këtë. Unë nuk e kuptoj.

LOKALE
"Rusia përdor Kosovën për lëshime"
06 qershor 2007 | Faqja Kryesore
"Të sigurta 9 vota të nevojshme"
05 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Rusia s'pranon rezolutën për Kosovën
01 qershor 2007 | Faqja Kryesore
"Nuk ka ndarje të Kosovës"
31 maj 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>