BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 06 qershor 2007 - 16:53 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
"Rusia përdor Kosovën për lëshime"
Arkiv
Shqiptarët duan pavarësi të Kosovës
Analistë ndërkombëtarë thonë se për shkak të përçarjeve ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës rreth vendosjes së sistemit mbrojtës raketor të SHBA-së në Evropë, Kosova nuk do të jetë lart në agjendën e samitit të G8-s.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan thotë se Rusia për herë të parë po flet hapur për mundësinë e përdorimit të vetos kundër rezolutës që do t'i hapë rrugën pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për BBC-në, ai thotë se Rusia po e përdor statusin e Kosovës për të marrë lëshime nga SHBA dhe BE-në për çështje që janë në interes të saj.

Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me zotin Caplan dhe fillimisht e pyeti se cilat ishin pritjet e tij nga samiti i G8-ës lidhur me statusin e Kosovës?

Caplan: Shqetësimi im është se Kosova tani do të mbetet nën hijen e disa çështjeve që kanë zgjuar vëmendje më të madhe, posaçërisht mbrojtjes raketore dhe kërcënimeve të Rusisë për të qëlluar raketat si përgjigje ndaj sistemit mbrojtës raketor që po planifikon ta ndërtojë administrata e Bushit. Megjithatë, unë besoj se çështja e Kosovës do të diskutohet, por nuk jam optimist se do ta kemi rezolutën. Ajo që e di është se Kosova nuk do të jetë lart në agjendën e samitit të G8-s, apo nuk do të jetë aq lart sa do të mund të ishte sikur të mos ishin tensionet ndërmjet Rusisë dhe shtatë anëtarëve tjerë të G8-ës.

BBC: Zoti Caplan, kërcënimet që vijnë nga Rusia për statusin e Kosovës duken mjaft serioze. A besoni ju se Rusia do ta bllokojë miratimin e rezolutës për statusin e Kosovës?

Caplan: Kjo është një mundësi shumë reale. Rusia për të parën herë po flet hapur për përdorimin e vetos së saj në Këshillin e Sigurimit. Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin iu ka referuar përdorimit të mundshëm të vetos. Rusët kurrë më parë nuk kanë qenë më të qartë për shfrytëzimin e vetos. Kjo nuk domethënë domosdoshmërisht se ata do ta përdorin veton, rusët mund të abstenojnë, por ka mundësi që kjo të ndodhë.

BBC: Dhe a shihni ju mundësi për arritjen e kompromisit ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit?

Caplan: Po mendoj që ka mundësi, por nuk e di mbi çfarë baze Rusia do të pranonte rishikimin e rezolutës. Nuk është e qartë çfarë lëshime do të kërkojë Rusia. Duket që rusët dëshirojnë që marrëveshjen për Kosovën ta lidhin me shqetësimet tjera që i kanë, sic është mbrojtja raketore ose pranimi i shteteve tjera në NATO, siç është Ukraina për shembull.

BBC: Profesor Richard Caplan, pse Rusia është kaq e interesuar për statusin e Kosovës? Çfarë interesash fshihen prapa kësaj çështje?

Caplan: Nuk është për shkak se Rusia ndjen një vëllazërim të posaçëm me serbët e Kosovës edhe pse kjo është thënë shpesh. Rusia i ka tërhequr trupat e saj nga Kosova në vitin 2003, pra nuk ka ndonjë interes të posaçëm në rajon, por rusët po e shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë koncesione me shtetet tjera të përfshira në proces për çështje tjera. Unë e përmenda mbrojtjen raketore, por ka pasur edhe diskutime për të lidhur rastin e Kosovës me Abkhazinë apo Osetinë Jugore në Gjeorgji dhe kjo mund të jetë njëra prej çështjeve që i intereson Rusisë.

BBC: Zoti Caplan, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë disa herë se pavarësia e Kosovës do të mund të shërbente si precendent për rajonet tjera të trazuara siç janë Abkhazia dhe Osetia Jugore. Sa reale janë këto shqetësime të Rusisë, a mund të jetë Kosova vërtetë precendent për zgjidhjen e krizave tjera në botë?

Caplan: Mendoj se ky është një shqetësim edhepse rrethanat janë shumë të ndryshme. Askush nuk do të jetë në gjendje t'ia imponojë Rusisë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore ashtu siç është e detyruar tani Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Shqetësimet e Rusisë dhe Serbisë dallojnë. Mendoj se Rusia nuk është shumë e brengosur çfarë do të ndodhë në ato rajoneve, pavarësisht deklaratave të bëra.

BBC: Zoti Caplan, javën e kaluar u bënë disa ndryshime në projektrezolutën për statusin e Kosovës. A mendoni se ky dokument mund të pësojë të tjera ndryshime?

Caplan: Mund të ketë ndryshime tjera. Një prej çështjeve në të cilat mund të këmbëngulë Rusia është që Kosovës të mos i lejohet të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, pra të bëhet një ndryshim i planit të Ahtisarit. Mendoj se kjo mund të pranohet nga anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit, të cilët do të thonë se nuk ka ndryshuar substanca e planit të Ahtisarit. Çështja është se a do t'i pranojnë shqiptarët e Kosovës këto ndryshime. Ekziston rreziku që nëse plani nuk pranohet ose ndryshohet shumë, mund të ketë shpërthim të dhunës në Kosovë.

BBC: Dhe së fundi zoti Caplan, çfarë prisni të ndodhë në qoftë se Rusia e përdor të drejtën e vetos?

Caplan: Ka mundësi që Kosova të shpallë njëanshëm pavarësinë e saj, kjo është një mundësi shumë reale. Disa shtete mund ta njohin pavarësinë e Kosovës, SHBA-të kanë lënë të kuptohet se mund të njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë, disa shtete evropiane mund ta njohin, por mendoj se Evropa është e ndarë në këtë çështje. Evropa më shumë do të dëshironte të njihte pavarësinë e Kosovës si rezultat i miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se ky do të jetë hapi i ardhshëm nëse Rusia e përdor veton e saj kundër rezolutës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>