BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
"Të sigurta 9 vota të nevojshme"
Arkiv
Zv/ shefja e misionit britanik në OKB, Karen Pierce ka thënë se nëse rezoluta për Kosovën nuk kalon në Këshillin e Sigurimit para samitit të G-8, atëherë Kosova do të jetë në agjendën e këtij takimi.

Por ajo ka shtuar se po bëhen të gjitha përgatitjet që të ecet për këtë çështje me hapa të përshpejtuar.

Zonja Pierce i ka thënë BBC-së se nuk mund të caktojë afate për Rezolutën, por ka shtuar se janë të sigurta 9 vota pozitive të nevojshme për kalimin e saj.

Ajo thotë se edhe në bashkësinë e gjerë të OKB-së ka një mbështetje të fuqishme për pavarësinë e Kosovën nën mbikqyrje ndërkombëtare.

Ajo i ka bërë thirrje Rusisë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ka thënë se po presin nga Moska një lëvizje pozitive.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zonjën Pierce dhe fillimisht e pyeti nëse ishte vendosur ndonjë gjë për Rezolutën e re për Kosovën?

Pierce: Keni të drejtë kur thoni se një projekt- Rezolutë është paraqitur në KS javën e kaluar dhe se ka patur një numër diskutimesh për provizionet e paraqitura. Gjithashtu diskutimet po vazhdojnë ende ashtu siç edhe pritet me projekt Rezolutën në veçanti si një Rezolutë e rëndësishme për Kosovën. Tani për tani këto diskutime po vazhdojnë, ne shpresojmë të përfundojmë shpejt. Siç e dini ne shpresojmë të kemi një miratim të propozimeve të Ahtisaarit për Kosovën, por ne do të bisedojmë me partnerët tanë në KS me qëllim që të kemi një tekst të gjerë rreth të cilit do të mblidhen më shumë anëtarë të KS. Por një gjë që duam të arrijmë, është ajo rreth së cilës ne në perëndim jemi bashkuar, për Kosovën dhe që nënkupton një pavarësi për Kosovën nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

BBC: Ju po thoni se projekt-Rezoluta për Kosovën po diskutohet mes anëtarëve të KS. A po diskutoni për ndryshime brenda planit të Ahtisaarit, apo për diçka që është jashtë tij dhe që i përket Rezolutës pa e prekur thelbin e planit?

Pierce: Ne nuk e shohim si punë të KS që ta ribëjmë, ta rishkruajmë ose modifikojmë planin e Ahtisaarit. Presidenti Ahtisaari është emëruar nga sekretari i përgjithshëm si i dërguar për statusin. Prandaj është punë e tij që të sjellë planin dhe paketën me të cilën do të zgjidhej statusi i Kosovës. Dhe kjo është ajo që ai e ka bërë. Prandaj, ne nuk e shohim të jetë punë e KS që të hyjë në hollësitë e këtij plani. Por ne gjithnjë e kemi bërë të qartë, dhe unë e kam bërë të qartë posaçërisht në dhomën e KS, se anëtarët e KS ose palët tjera mund të kenë ide të dobishme e të cilat do të mund të shtohen në planin Ahtisaarit. Dhe ju mund të jeni në dijeni për idetë që kanë të bëjnë me kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre e që janë përmendur veçanërisht pas vizitës së misionit të KS në Kosovë. Dhe ne do të ishim të kënaqur që këto ide të reja të jenë reflektuar në Rezolutën e KS. Pra, këto ide shtesë me elemente të tjera janë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen në New York.

BBC: Pra, mund të themi se ju jeni tani më afër miratimit të Rezolutës për Kosovën?

Pierce: Ju mund të thoni se është afër, por unë nuk mund të jap një afat të caktuar se kur do të miratohet Rezoluta. Është një punë e jashtëzakonshme që ne po bëjmë dhe një hap i rëndësishëm. Është e drejtë të thuhet se anëtarët e KS duan ta cilësojnë atë të plotë, por gjithashtu është e drejtë të thuhet se kjo është gjerësisht në projektin e BE-së. Është BE-ja dhe NATO-ja që do të ofrojnë një mbikqyrje ndërkombëtare në Kosovë, është prandaj BE-ja që ka rrezikun më të madh mbi atë që ndodh në rajon, së bashku me vendet e tjera gjithashtu. Dhe është BE-ja ku Kosova dhe Serbia së bashku me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë në fund të fundit edhe e kanë vendin. Prandaj ne mendojmë se një lloj përparësie duhet t'i jepet qëllimeve të BE-së në Kosovë.

BBC: Po përsa i përket rusëve?

Pierce: Rusët po negociojnë ngadalë. Ne u kemi bërë thirrje atyre që të japin ide më konstruktive dhe që të angazhohen më thellësisht që Rezoluta të kalojë shpejt në afatin origjinal. Rusët ishin me ne vitin e kaluar që Rezoluta për Kosovën të kalonte, mundësisht deri në fund të vitit 2006, por për shkak të zgjedhjeve në Serbi nuk ishte e mundur të përmbyllej ky afat. Por rusët patën thënë në Grupin e Kontaktit se duan të ecin përpara me shpejtësi. Dhe ne po presim nga Moska që ta jetësojë atë përkushtim të bërë në Grupin e Kontaktit dhe të mundësojë që bisedimet të përfundojnë në mënyrë konstruktive, në mënyrë që t'i mundësojë paketës së Ahtisaarit që të përmbushet plotësisht.

BBC: Ambasadore. A do të thotë kjo se ju po prisni që Rezoluta të miratohet deri në fund të kësaj jave?

Pierce: Unë nuk dua që të vendos një afat të caktuar rreth kësaj, sepse është veti e OKB që të reagojë ndaj ngjarjeve të tjera që për shkak të ndoshta jo gabimeve të të tjerëve, dalin në fushë e që pengojnë një orara të përgatitur me kujdes. Ajo që dua të them është se ne duam ta kalojmë këtë Rezolutë më shpejt dhe ne po punojmë për këtë në KS.

BBC: Pra ju nuk doni të prisni që samiti i G8 të diskutojë këtë çështje?

Pierce: Meqë takimi i G8 do të mbahet brenda pak ditësh dhe nëse ne nuk e kemi kaluar Rezolutën për Kosovën deri atëherë, atëherë jam e sigurt se Kosova do të jetë në agjendën e këtij takimi. Por plani ynë për momentin është të shtyjmë përpara sa më shumë të mundemi në Nju-Jork dhe të shohim deri ku do të mbërrijmë. Pra, ne po ecim hap pas hapi.

BBC: Pra ju i keni në bord anëtarët e tjerë të KS përveç rusëve?

Pierce: Nuk do të hyj në hollësi se cili do të jetë qëndrimi i anëtarëve të KS sepse kjo ju takon atyre ta bëjnë. Por mund t'ju them se jam e sigurt se i kemi votat e nevojshme për ta kaluar Rezolutën. Kemi më shumë se 9 vota pozitive të nevojshme dhe shpresojmë se ato vende që nuk janë për, sikur është Rusia, do ta marrin parasysh numrin e vendeve përkrahëse në Këshill. Dhe gjithashtu në bashkësinë e gjërë të OKB-së ka një mbështetje të fuqishme për pavarësinë e Kosovën nën mbikqyrje ndërkombëtare dhe kishte një deklaratë të fuqishme së fundi nga Konferenca Islamike dhe shpresojmë se kjo do të ndihmojë që të risigurojë Moskën dhe t'i mundësojë asaj të angazhohet në mënyrë konstruktive me ne.

BBC: Por çfarë nëse Rusia vë veto?

Pierce: Unë nuk dua të spekuloj se çka do të ndodhë ose jo në KS kur të votohet. Qëllimi ynë është që të mos kemi veto nga askush, por të angazhohemi në mënyrë konstruktive dhe të kalojmë Rezolutën sa më shpejt që të jetë e mundur.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>